Google ADS

Gucati për Specialen: Rreziku vjen nga LDK-ja, jo nga ndërkombëtarët

09:30 | 20 Janar 2018
Arbresh.info

Pavarësisht deklarimeve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, se Projektligji për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale do të procedohet të mërkurën nga Kryesia për në Kuvend kjo gjë nuk ndodhi, shkruan arbresh.info.

Kjo për shkak se nuk pati kuorum në mbledhje tëkryesisë, mbledhje në të cilën ishte në rend dite edhe projektligji për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Kryetari i Organizatës së veteranëve të luftës së UÇK-së, Hysni Gucati në një intervistë të shkurtë për arbresh.info ka dhënë qëndrimin e tij rreth dështimit të mbledhjes së Kryesisë, çka bëri që për këtë projektligj të mos diskutohet fare.

Gucati, ka thënë se pavarësisht pritjeve të mëdha që kanë pasur, kjo nuk ndodhi, duke shtuar që presin që të hënën të diskutohet në mbledhje të kryesisë.

“Është e vërtetë që ne kemi prit që të mërkurën me e vendos si pikë e rendit të ditës. Ka qenë pika e gjashtë e rendit të ditës , mirëpo e kanë hjek edhe nuk ka pas kuorum. Tash po presim për të hënën e kanë  shty mbledhjen. Shpresoj që të hënën do ta vendosin si pikë të rendit të ditës megjithëse që kanë pengesa të  mëdha dhe reagime kanë shumë por unë shpresoj që do ta vendosin të hënën”, ka thënë ai.

I pyetur se si i vlerëson kritikat e ndërkombëtarëve të cilët thonë se shfuqizimi i Gjykatës Speciale do të shkoj në dëm të vendit, ai ka pohuar se nuk sheh rrezik nga ndërkombëtarët sa sheh rrezik dhe krizë prej deputetëve të vendit.

Kjo pasi që siç thotë Gucati, ndërkombëtarët po masin impulsin e institucioneve tona se sa janë të qëndrueshme në vendime.

“Prej ndërkombëtarëve po shihet dhe është e vërtetë që jemi duke marrë kritika të mëdha, por ndërkombëtarët po e masin impulsin tonë sa jemi në të qëndrueshëm në vendimet tona dhe punën tonë, kështu që unë fort prej ndërkombëtarëve nuk e shoh krizën dhe rrezikun sa e shoh prej deputeteve tonë konkretisht prej subjektit politik që është LDK-ja, e cila nuk guxon të merr pjesë në mbledhje”, ka pohuar Gucati.

Gucati është shprehur se ajo që kërkojnë nga kryesia e Kuvendit është që këtë projektligj  ta vendosin në rend dite dhe tani është parlamenti ai që vendos.

Mirëpo, se çfarë do të ndërmarrin nëse përsëri as të hënën ky projektligj nuk vendoset në rend dite për t’u diskutuar në mbledhje të kryesisë, Gucati nuk ka dashur të tregojë detaje.

“Ne do të ulemi të bisedojmë me Kryesinë dhe do të marrim masa, kështu që edhe njëherë po e them jemi kundër saj sepse është e njëanshme dhe e padrejtë për Kosovën”, ka thënë ai.

Ditë më parë ambasadori i ShBA-së, në Kosovë GregDelawie në një konferencë për medie ka thënë se përpjekja për shfuqizimin e Gjykatës Speciale paraqet shembull të tmerrshëm të rastit kur interesat vetanake mbizotërojnë mbi të mirën e përgjithshme dhe mbi interesat e Kosovës si shtet.

Sipas tij, deputetët që e mbështesin këtë nismë dhe politikanët që i prijnë asaj, përkundër mohimeve të tyre do t’iu nënshtrohen pasojave specifike dhe të ashpra nëse kjo nismë ka sukses./J.Zhuniqi/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme