Xhafaj: Ka efektivë të korruptuar

22:54 | 19 Janar 2018
Arbresh.info

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, tha se Shqipëria është një vend i sigurtë për të jetuar, punuar dhe bërë biznes. Gjithsesi ai shtoi se përsëri ka shumë probleme, por trendi është drejt përmirësimit.

I ftuar në emisionin Kapital, Xhafaj theksoi se sipas statistikave, viti 2017 është me numrin më të ulët të vrasjeve, ndërkohë që numri i vrasjeve me eksploziv ka qenë zero.

“Ajo që unë shoh është një tjetër, pasi edhe 10 vrasje janë një problem për mua. Unë nuk e shikoj si një pamje statistikore, por si një problem”, tha Xhafaj.

Ai citoi një sondazh duke thënë se në Shqipëri njerëzit deklarojnë se janë të sigurt. Sipas tij sondazhi është bërë në Elbasan, ku shumica deklarojnë se janë të sigurt si ditën dhe natën.

Gjithashtu Xhafaj ka folur për vetingun në polici, për të cilin tha se ka qenë një ide që kur nisi reforma në drejtësi.

“Duke parë nevojën në polici, çuan në këtë angazhim publik për të bërë një proces vlerësimi në radhët e policisë. Përtej historive të veçanta, unë mendoj se në radhët e Policisë së Shtetit unë mendoj se ka shumë njerëz që janë të aftë dhe të ndërtuar.

Ne nisëm vettingun në gjykata dhe prokurori, por menduam se ishte shumë e rëndësishme që ky proces të niste edhe në polici. Të dhëna të shumta tregojnë se në radhët e policisë ka efektivë të inkriminuar apo të korruptuar, por edhe të paaftë”, tha Xhafaj. Sipas tij, kjo përfshihet edhe në raporte, e thonë shumë agjensi të huaja, por edhe opinioni publik na ka treguar se policia duhet të pastrohet.

“Vetingu mund të zgjasë dy vite dhe është i drejtuar në dy faza. Faza e para është për oficerët me grada të larta. Kam parasysh, anën profesionale, lidhjen me krimin dhe anën morale. Do të shikohet dhe për pasuritë e çdo kujt, pasi mund të kenë pasuri që kalojnë në qindra fishin e rrogës që marrin.

Sapo kemi mbyllur projekti ligji, dhe në fund të këtij muaj do të jetë në dyert e Kuvendit”, tha Xhafaj./Kapital

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme