Vetura e djegur e gjetur të martën pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit në Mitrovicë, ka origjinën nga Serbia, ka konfirmuar për REL, zëvendësdrejtori rajonal i Policisë së Kosovës në Mitrovicën Veriore, Besim Hoti. Po ashtu, kjo veturë, ka zinxhirin e pronarëve në Serbi, ka thënë ai.
Këto informacione, Policia e Kosovës, sipas tij, i ka siguruar përmes organizatave ndërkombëtare, nga të cilat ka kërkuar ndihmë për hetimet rreth këtij rasti.
Sidoqoftë, ende nuk është dëshmuar nëse kjo veturë ka lidhje direkte me rastin Ivanoviq, por është një prej pistave të hetimeve.
“Aktualisht po shqyrtohen faktet e mbledhura, siç janë video-xhirimet si dhe janë marrë deklarata nga disa dëshmitarë”, ka thënë Hoti.
Sipas tij, hetimet në lidhje me rastin Ivanoviq po zhvillohen me një intensitet të plotë nga ana e grupit punues hetues që vepron nën mbikëqyrjen e prokurorit shtetëror.
“Grupi punues hetimor përbëhet prej punonjësve hetues të policisë dhe ekspertë të nivelit qendror dhe lokal. Kur them niveli lokal, mendoj në Drejtorinë e Policisë Rajonale të Veriut dhe të një grupi punues i policëve hetues nga Prishtina. E gjithë puna zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me përfaqësuesit e EULEX-it”, tha Hoti.
Një rol aktiv në procesin hetimor, ka kërkuar edhe Beogradi, përmes organeve shtetërore të Serbisë. Sipas ministrit të Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Abelard Tahiri, Ministria e Drejtësisë e Republikës së Serbisë ka kërkuar shkëmbim të informatave rreth hetimeve që po zhvillohen në lidhje me vrasjen e Oliver Ivanoviqit.
Tahiri tha se se Qeveria e Kosovës dhe organet kompetente të përfshira në këtë rast, shprehin gatishmërinë dhe vullnetin për bashkëpunim dhe për ndarjen e informacioneve për zbardhjen e këtij rasti.
Por, ka nënvizuar ai, procesi i hetimeve do të zhvillohet nga organet e Kosovës, duke mos lejuar që këtë proces ta zhvillojë një shtet tjetër.
Që të zbardhen dyshimet e mundshme, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka lënë të hapur mundësinë që të ftohet për hetime edhe një palë e tretë, por jo nga Serbia.
Halil Matoshi nga kabineti i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se “për të hequr dilemat, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka ftuar eventualisht FBI-në që të jetë pjesë e hetimeve”.
Ivanoviq, i cili ishte lider i Iniciativës qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia” është qëlluar për vdekje të martën para selisë së partisë së tij, në Mitrovicën Veriore. Sipas Policisë së Kosovës, mbi Ivanoviqin është qëlluar 6 herë me armë zjarri të kalibrit 9×19 mm, me shurdhues./REL/
Sara dhuron spektakël, realizon vallëzim si dënim nga Xuxi
Akuzat e Pecit, Pacolli: Dikur mbante bluzën me emrin e firm...
A do ta ndaje ndonjërën prej banoreve nga partneri i saj bre...
Tare: Sjellja e futbollistëve të Kosovës tejet dinjitoze
Zarfi ngjyrë hiri shfaqet në ekran – banorët nisin hamendësi...
Papa ‘bekon’ lumturimin e 2 martirëve të krishterë në Shkodë...