Nasim Haradinajt nuk ia ndien për kryeministrin

18:27 | 18 Janar 2018
Arbresh.info

Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj sot e ka quajtur “palaço” ambasadorin amerikan, Greg Delawie.

Por, Haradinaj nuk është ndalur me kaq.

Ai e ka quajtur Delawien një figurë të shëmtuar të diplomacisë amerikane.

Në një prononcim për “Indeksonline”, Haradinaj ka thënë se nuk e ka ndërmend t`i kërkojë falje ambasadorit. Madje, ai ka thënë se Delawie bashkë me ambasadorin britanik Ruari O`Connell duhet të japin dorëheqje si diplomatë për shkak të presionit që po iu bëjnë deputetëve për të mos e votuar shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

“Mbrëmë edhe kërcënoi, ai nuk mundë të kërcënojë dhe nuk mund t`ia imponojë asnjë deputeti. Ata janë përfaqësues të popullit dhe popullin duhet ta lënë të vendosë. Kujt me i kërku falje? Nëse duhet dikush të kërkojë falje është Delawie me gjithë ambasadorin britanik me i kërku falje këtij populli dhe me dhënë dorëheqje si diplomatë dhe sepse e kanë shkelë demokracinë. Bile, unë mendoj që Delawi është figura më e shëmtuar e politikës amerikane, që nuk i bën nder as Amerikës”, ka thënë ai.

I pyetur rreth reagimit që kryeministri Ramush Haradinaj ka bërë sot kundrejt deklaratës së tij, nënkryetari i OVL UÇK-së thotë se nuk i bën fare për atë se çka thonë krerët e shtetit, nga presidenti deri te kryeministri.

“Çka ma ndjen more mua se çka thotë kryeministri. Nuk e kam dert kryeministrin, e kam dert punën time. Kryeministri, kryeparlamentari dhe presidenti duhet me qenë të zotët e vetes që mos me e lënë atë me hy brenda dhe me bë çka do ai. I qëndroj mbrapa dhe duhet të turpërohen presidenti, kryeministri, kryeparlamentari që e lënë një diplomat të huaj me hy me u sill sikur turist dhe me iu bë presion deputetëve. Ai i ka thyer të gjitha kufijtë e diplomacisë, i ka kalu shoqi”, është shprehur Haradinaj tutje.

Ndryshe, kryeministri Haradinaj e ka quajtur të papranueshme deklaratën e Nasim Haradinajt dhe ka bërë thirrje ndaj të gjithëve që të distancohen nga shprehja e papërmbajtshme.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme