Ivanov e Stoltenberg diskutojnë për integrimin euroatlantik të Maqedonisë

12:06 | 18 Janar 2018
Arbresh.info

Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, ka pritur të enjten në një takim Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg i cili po qëndron për një vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë.

Në takim, thuhet në njoftimin e kabinetit të presidentit Ivanov, është biseduar për integrimin euroatlantik të Republikës së Maqedonisë, reformat në mbrojte dhe në sferën e sigurisë në përputhje me standardet e NATO-s, si dhe për promovimin dhe thellimin e bashkëpunimit me Aleancën Veri-Atlantike.

“Ivanov dhe Stoltenberg janë pajtuar se marrëdhëniet dhe bashkëpunimi mes Maqedonisë dhe NATO-s janë në një nivel të lartë, por njëkohësisht theksuan kontributin e ushtrisë së Maqedonisë në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare”, thuhet në njoftim

Presidenti Ivanov nga ana e tij ka nënvizuar se vendi në vazhdimësi dëshmon se është një partner strategjik dhe i besueshëm i NATO-s, për çka tashmë duhet të merr anëtarësimin e merituar i cili nga ana e tij do të sjellë përfitime të përhershme për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit në tërësi.

“Republika e Maqedonisë bashkë më paqeruajtësit e saj vazhdimisht ndan vlerat dhe detyrimet e Aleancës dhe nga këtu nevojitet që sa më parë të marrim përfitimet e anëtarësimit”, ka thënë Ivanov në takim me Stoltenbergun, të cilit i ka shprehur përkushtimin e Maqedonisë që të vazhdojë kontributin aktiv në sigurimin e paqes dhe sigurisë globale, përmes pjesëmarrjes dhe mbështetjes së misioneve të udhëhequra nga NATO.

Sipas asaj që është paralajmëruar, kreu i NATO-s do të takohet edhe me kryeministrin Zoran Zaev, kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi, ministren e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska, liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti si dhe me liderin e partisë opozitare të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme