Haradinaj kritikon sistemin arsimor, përmend mungesën e çerdheve

10:43 | 18 Janar 2018
Arbresh.info

Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF ka bërë lançimin kombëtar të Indeksit për Mbrojtjen e Fëmijës 2.0

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka kritikuar në këtë ngjarje sistemin arsimor të vendit, duke thënë se Kosova është e dobët në ofrimin e qasjes parashkollore për shkak të numrit të pamjaftueshëm të çerdheve publike, shkruan Arbresh.info

“Një shqetësim të madh e kam personal si mungesa e përfshirjes së fëmijëve të vendit në përballjen e parë të edukimit, përballjen parashkollore, mungesa e çerdheve, e mundësive jo vetëm në zonat rurale por edhe në zonat urbane, pra kapaciteti ynë absorbues që tu ofrohet prindërve që më herët të marrin pjesë është bukur i dobët në Kosovë, mos me thënë tepër i dobët”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka bërë të ditur se është në hartim e sipër Projektligji për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve.

“Kosova është caktuar të bazohet në normat dhe marrëveshjet ndërkombëtare mbi të drejtat e fëmijëve dhe për këtë hyn në obligim. Ne si Kosovë kam informata që është në hartim e sipër, Projektligji për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe strategjia dhe plani nacional i veprimit për të drejtat e fëmijëve”, është shprehur kryeministri Haradinaj.

Sipas tij, Kosova është një shoqëri me specifika të veta dhe shumë prej këtyre specifikave i ngarkojnë disa kategori të njerëzve e sidomos fëmijët.

Sipas të dhënave të Indeksit për Mbrojtjen e Fëmijës 2.0, 30 për qind e popullësisë në Kosovë janë fëmijë./Arbresh.info

https://www.facebook.com/arbresh.info/videos/1663086207089798/

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme