Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, i cili ndodhet për një vizitë në Prishtinë, ka komentuar mosdekretimin nga presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, të ligjit të miratuar pak ditë më parë në Kuvendin e Maqedonisë për përdorimin e gjuhës shqipe.
Në një prononcim për Ekonomia Online, Xhaferi tha se ende nuk i ka të gjitha hollësitë të njohura, por me t’u kthyer në Shkup, qysh nesër, do t’i shqyrtojë të gjitha aspektet e vërejtjeve apo sugjerimeve të Ivanovit.
Xhaferi tha se ligji do të kthehet për rishqyrtim në seancën e radhës në Kuvend, ndërkohë që rregullorja e parasheh që kjo të bëhet më së largu deri më 11 shkurt 2018.
Nëse miratohet sërish me shumicën e parlamentarëve, ai hyn automatikisht në fuqi.
“Duke pasur parasysh faktin që gjendem në Prishtinë rreth manifestimeve për shënimin e 550-vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeut, unë kam marr lajmin që Ivanov ka nënshkruar të gjitha projektet ligjore që janë miratuar në seancë; i vetmi që nuk është dekretuar është ligji për gjuhët. Por hollësitë nuk i kam të njohura. Me t’u kthyer në Shkup, unë gjatë ditës së nesërme do të shqyrtojë të gjitha aspektet e qasjes të vërejtjeve apo sugjerimeve të Ivanovit”, tha Xhaferi.
“Normalisht që për faktin që nuk do të ndodhë dekretimi, unë do të respektoj procedurat parlamentare që janë të përshkruara në rregulloret e punës të parlamentit të Republikës së Maqedonisë që projektligjin me sugjerimet që ka Ivanov ta rikthejë në rivotim në procedurë parlamentare. Kjo duhet të ndodhë brenda 30 ditëve nga momenti që është miratuar ligji, dmth 11 janar data e miratimit të ligjit, dita e fundit e rivotimit është 11 shkurti ose 10 shkurti”.
“Kështu që në seancën e parë të radhës të rregullt që ka të bëjë me pikat e rendit të ditës do të jetë një prej atyre, ligji për gjuhët i rikthyer në procedurë për rivotim”, shpjegoi Xhaferi.
Derisa Xhaferi ndodhej për vizitë në Prishtinë, presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, ka njoftuar se nuk e ka dekretuar ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe, i cili u miratua me 69 vota pro. Në votim nuk kishin marrë pjesë deputetët e opozitës së kryesuar nga VMRO-DPMNE-ja.
Përmes një deklarate për medie, Ivanov njoftoi se i ka dërguar një letër kryetarit të Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, në të cilën ka dhënë të gjitha arsyet përse nuk e ka nënshkruar këtë ligj.
Sipas presidentit maqedonas, me këtë ligj “vendoset një paralelizëm shumë i shtrenjtë në të gjitha organet shtetërore të vendit, që dërgon deri te bllokimi i tërësishëm i tyre, madje edhe mosfunksionim”.
Xhaferi sot në Prishtinë mori pjesë në disa aktivitete të organizuara me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, përfshirë promovimin e pullave postare “Skënderbeu” nga Posta e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë.
Sulmi në Ibër Lepenc, LDK: Të papranueshme këto akte terrori...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, ambasadori britanik: Të hetohet s...
Ushtarët amerikanë me armë të gjata te vendi i shpërthimit n...
Hoxha: Për shkak të dy shpërthimeve në veri, kemi shtuar mas...
Bedri Hamza shkon në Zubin Potok, dënon aktin nga vendi i ng...
Sveçla: Grupet terroriste sponsorizohen nga Serbia