Kërkesa e 43 deputetëve për shfuqizimin e Speciales, sot në Kryesi të Kuvendit

09:13 | 17 Janar 2018
Arbresh.info

Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mblidhet sot, ku pritet që mes tjerash, ta shqyrtojë edhe kërkesën e 43 deputetëve për seancë të jashtëzakonshme për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu thotë se Kryesia duhet ta përmirësojë gabimin që ka bërë më 22 dhjetor.

Kërkesës së 43 deputetëve për seancë të jashtëzakonshme për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, pritet t’i jap përgjigje Kryesia e Kuvendit në mbledhjen që do të mbajë të mërkurën. Një prej nënshkruesve të kësaj kërkese, është edhe deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e cila edhe kur u votua për themelimin e Gjykatës Speciale, pati votuar kundër saj. Musliu thotë se vazhdon të qëndrojë prapa nënshkrimit të saj për seancë të jashtëzakonshme.

“Shpresoj që Kryesia e Kuvendit do ta përmirësojë gabimin që e ka bërë më 22 dhjetor, sepse ajo i ka shkelë të drejtat tona si deputetë të Kuvendit, duke anashkaluar ose duke injoruar kërkesën prej 43 nënshkrimeve të deputetëve dhe uroj që nesër do ta përmirësojë atë gabim”, tha Musliu për Radio Kosovën.

Pas reagimit të faktorit ndërkombëtar, kryeparlamentari Kadri Veseli,ditë më parë përmes një letre ka thënë se Gjykata Speciale është e dëmshme, por Kuvendi nuk ka fuqi ta shfuqizojë atë.

Në anën tjetër, Organizata e Veteranëve të UÇK-së ka bërë thirrje që Kuvendi të merret seriozisht me kërkesën për shfuqizimin e Speciales, të cilës veteranët javë më parë i kanë parapri me mbledhjen e mbi 15 mijë nënshkrime. Deputetja Musliu thotë se nuk mund të paragjykojë nëse do të shfuqizohet Gjykata Speciale në seancën e radhës, por thotë se deputetët duhet të jenë të pavarur në vendimet e tyre.

“Pres që deputetët përfundimisht t’i thërrasin arsyes, ta dinë që janë deputetë të Kuvendit të Kosovës. Munden miqtë dhe dashamirët të këshillojnë dhe sygjerojnë, por fundja deputetët i marrin vendimet vetë. Në një vend demokratik dhe sovran siç është Kosova për mua është paradoksale që të ndërhyjë dikush nga jashtë dhe t’i detyrojë deputetët që të marrin vendime”, tha Musliu.

Deputetë tjerë të PDK-së nuk kanë preferuar të flasin për këtë pozicionin e tyre karshi kësaj çështje, ndërkohë që në Vetëvendosje, siç merr vesh Radio Kosova, ende nuk kanë një qëndrim të unik sa i përket kërkesës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Radio Kosova ka kontaktuar me zyrtarë të Kuvendit, të cilët pa dashur të flasin me emër, kanë thënë se kërkesa e 43 deputetëve për seancë të jashtëzakonshme, pas dështimit më 22 dhjetor e ka humbur relevancën që ka pasur si kërkesë. Por, sidoqoftë, thonë se është Kryesia e Kuvendi ajo që do t’i japë përgjigje kërkesës në mbledhjen që do të mbahet të mërkurën.

Ndërkohë, gjatë ditës së martë shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova ka qëndruar në zyrën e kryeparlamentarit Kadri Veseli. Por, zyrtarët nga kabineti i tij kanë mohuar të ketë qenë temë bisede kërkesa për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Sipas tyre, në këtë takim është biseduar kryesisht për zhvillimet e përgjithshme politike dhe për agjendën legjislative./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme