Google ADS

Policia e Kosovës ofron siguri në Aeroportin ‘Adem Jashari’

15:16 | 16 Janar 2018
Arbresh.info

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Abduselam Shkodra, i shoqëruar nga Naim Muja, udhëheqës i Sekretariatit të Strategjive të MPB-së, Drita Pereziq, këshilltare e lartë në Programin Ndërkombëtar të Asistencës në Trajnim për Hetimet Penale (ICITAP) dhe Anila Kadiu, koordinatore nacionale nga ICITAP, kanë vizituar Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Qëllimi i kësaj vizite është në kuadër të politikave qeveritare për intensifikimin e veprimeve sa i përket realizimit të aktiviteteve të Strategjisë Kundër Narkotikëve.

Me këtë rast, zëvendësministri Shkodra u njoftua për së afërmi për punën që kryejnë pjesëtarët e Policisë së Kosovës në ofrimin e sigurisë në Aeroport.

Shpend Maliqi, ushtrues detyre i komandantit të Stacionit të PK-së në ANP, njoftoi zëvendësministrin Shkodra se Policia e Kosovës gjatë vitit të kaluar ka pasur rritje të efektshmërisë të zbulimit të veprave penale, ku konkretisht, gjatë vitit 2017 janë shënuar katër raste të zbulimit të narkotikëve.

Me këtë rast, u bë e ditur se vetëm gjatë vitit 2017, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës kanë kaluar gjithsej 1 milionë e 882 mijë udhëtarë.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Abduselami Shkodra, tha se është i kënaqur me punën e deritashme të Policisë së Kosovës, dhe kërkoi intensifikimin e veprimeve sa i përket luftimit të narkotikëve.

Ai tha se Ministria e Punëve të Brendshme do të vazhdojë përkrahjen e tyre, me qëllim të ofrimit të një ambienti sa më të sigurt për udhëtarët që kalojnë nëpër Aeroportin Ndërkombëtar të Kosovës.

Gjithashtu, gjatë kësaj vizite u demonstrua edhe puna e njësitit të policisë K9, në zbulimin e kontrabandës të substancave narkotike, eksplozivëve dhe parave. /Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme