Google ADS

Akademia Verore e Muzikës me shumë risi në edicionin e katërt

15:07 | 16 Korrik 2015
M. A.

ESMA këtë vit artistikisht drejtohet nga dirigjenti dhe pianisti Desar Sulejmani, i cili njëherësh do të drejtojë edhe Orkestrën Harkore që është risi e edicionit të ESMA-s për këtë vit dhe si e tillë themelohet për herë të parë.

Akademia Verore Evropiane në Prishtinë- ESMA, këtë vit ka përzgjedhur gjithsej 170 studentë dhe 19 profesorë për Akademinë në edicionin saj të katërt. Kjo Akademi e cila është e para e llojit të vet në Kosovë do të fillojë nga data 19 korrik e do të zgjasë deri në fund të muajit, ku përgjatë këtyre ditëve përveç punimeve dhe mësimeve që studentët do ti kenë me profesorët e përzgjedhur, do të ketë edhe gjithsej tetë koncerte të ndryshme.

Një gjë e tillë u konfirmua sot në një konferencë për media nga shefi i Ambasadës së Luksemburgut në Prishtinë, Pierre Weber ku për dallim nga vitet e tjera që është organizuar nga Ambasada Gjermane këtë vit kjo Akademi do të organizohet nga Ambasada e Luksemburgut.

“Këtë vit Ambasada e Luksemburgut e ka marrë përsipër organizimin e Akademisë Verore Muzikore. Ne krenohemi shumë sepse këtë vit është edicioni më i madh i ESMA-s, sepse kemi mbi 170 studentë që janë regjistruar dhe 19 profesorë nga Evropa, Kosova dhe rajoni të cilët do të mësojnë së bashku me studentët, dhe kemi një seri koncertesh që do ti mbajmë në Prishtinë, dhe një në Gjakovë”, tha ndër të tjerash Weber.

ESMA është një ngjarje e rëndësishme edhe kulturore edhe në fushën e edukimit, që organizohet çdo verë, tash e katër vite.

Sekretarja e parë në largim e Ambasadës Gjermane në Prishtinë, Milena Tutsch tregoi se kjo Akademi ka qenë një projekt evropian dhe është shumë e kënaqur që çdo vit e më shumë po ka ngritje të saj.

“Kjo akademi ka filluar në vitin 2012, ku ka qenë ide e Ambasadës Çeke që të bëjë një Akademi të këtij lloji. Ka qenë një projekt Evropian dhe ka dy qëllime kryesore; rritja e nivelit të muzikës, ku dëshirojmë të kontribuojmë për zhvillimin e studentëve të muzikës në rajon dhe qëllimi i dytë është se dëshirojmë të bëjmë një projekt për rajonin që ka shumë studentë të muzikës”, theksoi Tutsch.

ESMA këtë vit artistikisht drejtohet nga dirigjenti dhe pianisti Desar Sulejmani, i cili njëherësh do të drejtojë edhe Orkestrën Harkore që është risi e edicionit të ESMA-s për këtë vit dhe si e tillë themelohet për herë të parë. / KultPlus

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme