Google ADS

Është e qartë që në Vetëvendosje tashmë janë dy tabore

18:11 | 15 Janar 2018
Arbresh.info

Pas qarjeve të mëdha brenda Lëvizjes Vetëvendosje, të cilat janë manifestuar me dorëheqjen e një numri të caktuar të figurave që kanë bartur funksione brenda kësaj partie politike, por edhe mbajnë poste të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ekzistojnë mjaft indikacione reale që flasin se kjo parti do të ndahet, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë.

Ditë më parë, Kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje, kishte marrë vendim për një takim të përbashkët me grupin parlamentar të kësaj partie, pjesë e të cilit janë edhe ata që kanë dhënë dorëheqje nga funksionet partiake. Por, një takim i tillë ende nuk ka ndodhur.

Imer Mushkolaj, analist i çështjeve politike, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se përpjekjet e Lëvizjes Vetëvendosje për të organizuar takime të përbashkëta të kryesisë dhe grupit parlamentar ose në forumet tjera partiake, janë përpjekje për të krijuar përshtypjen se këto që po ndodhin në Vetëvendosje janë përplasje dhe mospajtime. Por, siç thotë ai, tashmë bëhet fjalë për ndarje të thella në Lëvizjen Vetëvendosje.

“Takimet e tilla, nuk besoj se do të arrijnë të realizohen, pikërisht për shkak të këtyre ndarjeve dhe mospajtimeve që kanë quar faktikisht në ndarjen e partisë. Tashmë nuk mund të flasim vetëm për mospajtime brenda Vetëvendosjes, pavarësisht që zyrtarë të lartë të partisë përpiqen t’i paraqesin si të tilla, por tash tashmë flasim për ndarje faktike të Vetëvendosjes. Besoj që ndarja do të shkojë edhe më tej duke u thelluar. Kështu që konsideroj që nuk mund të flasim më as për shpresën që mund ta ketë Lëvizja Vetëvendosje se gjithçka mund të përmirësohet dhe të kthehet aty ku ka qenë”, tha Mushkolaj.

Mendim të ngjashëm ka edhe analisti tjetër i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se ngjarjet e fundit në Lëvizjen Vetëvendosje, kanë krijuar hendek të thellë ndërmjet dy, siç i quan ai, fraksioneve brenda kësaj partie.

“Është e qartë se Lëvizja Vetëvendosje ka dy tabore, dy fraksione, të cilat kanë për dhe kundër Albin Kurtit dhe ndarja është shumë e madhe. Çarja është thellë, prandaj edhe është shumë pak e mundshme që këto dy tabore të bashkëjetojnë brenda ombrellës së Lëvizjes Vetëvendosje”, është shprehur Muhaxhiri.

Por, a ka sinjale që dy fraksionet brenda Lëvizjes Vetëvendosje, siç i quajnë analistët e çështjeve politike, të mund të funksionojnë kësaj partie, për të ruajtur tërësinë e këtij subjekti politik?

Analisti Mushkolaj, shpreh mendimin se pas akuzave dhe kundër-akuzave ndërmjet drejtuesve të deritashëm të Lëvizjes Vetëvendosje, funksionimi i përbashkët i dy fraksioneve, në parim është i pamundur.

“Ky funksionimi, ta quajmë si fraksion, brenda Lëvizjes Vetëvendosje, mund të zgjasë vetëm edhe për disa ditë. Unë pres që me zgjedhjen e Kurtit kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje, atëherë do t’i jepet vulë edhe ndarjes së plotë të Lëvizjes dhe të gjithë të dorëhequrit do të fokusohen në krijimin e një subjekti të ri politik. Në fakt, klima politike në Kosovë dhe organizimi partiak, nuk është që e njeh deri më tash funksionimin e fraksioneve brenda partiake dhe nuk kemi pse presim se kështu do të ndodhë me Lëvizjen Vetëvendosje”, vlerësoi Mushkolaj.

Analisti Muhaxheri, thekson se pikërisht ideja që do të hidhej për të përafruar të dy fraksionet, është ajo që i ndanë ato dhe e bën të pamundshëm funksionimin si tërësi.

“Ideja e funksionimit të përbashkët do të nënkuptonte një pajtim për qasjen, për mënyrën e punës, për mënyrën e organizimit, gjë që është edhe shkaku kryesorë se pse këto dy taborrejanë ndarë. Shumë më të lehtë e kanë pasur që të pajtohen para se të ndodhnin këto probleme se sa tash kur kemi edhe dorëheqjet dhe kemi mospajtim të madh për mënyrën se si po udhëhiqet Lëvizja Vetëvendosje”, theksoi Muhaxhiri.

Nga Lëvizja Vetëvendosje, nga postet e larta drejtuese, tashmë kanë dhënë dorëheqje personalitete të njohura politike duke përfshirë kryetarin Visar Ymeri, nënkryetarin Dardan Sejdiu dhe anëtarë tjerë të këtij subjekti politik. Zyrtarët e mbetur në kryesinë e Lëvizjes Vetëvendosje, më herët kanë mohuar se ka përçarje dhe fraksione brenda Lëvizjes Vetëvendosje, duke i cilësuar ato vetëm si mospajtime./REL

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme