Selimi konteston komunikatën e UÇK’së që merrte përsipër vrasjen e dy civilëve në Malishevë

12:24 | 15 Janar 2018
Arbresh.info

Gjatë dëshmisë së tij në gjykimin e Fatmir Limajt për krime lufte, Rexhep Selimi ka folur lidhur me komunikatën e lëshuar në atë kohë nga Drejtoria Policisë Ushtarake e UÇK-së, e cila merrte përgjegjësinë për vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit.

Selimi tha se komunikatën nuk e ka parë as atëherë as tani.

“Dhe duke e lexuar këtu para jush mund të konfirmoj se me datën 30 tetor 1998 data e cila përmendet në këtë komunikatë e ku është gazeta “Zëri i Kosovës” e datës 5 nëntor 1998 në strukturën e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së nuk ka ekzistuar Drejtoria e Policisë Ushtarake”, tha ai, transmeton Kallxo.com.

“Këtë komunikatë e kontestoj sepse përmban pasaktësi esenciale. E para është që më datën kur është botuar komunikata nuk ka ekzistuar Drejtoria e Policisë Ushtarake, e dyta pasaktësi është numri katër (4) i komunikatës. Unë nuk e di se cila ka qenë komunikata me numër tre (3) apo pesë (5). Po ashtu pasaktësia tjetër është përmbajtja e tekstit”, theksoi ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

“Në kohën kur ka ndodhur vrasja e këtyre dy civilëve (Selman Binishi dhe Ramiz Hoxha) dhe po ashtu gjatë gjithë kohës së luftës unë nuk kam pasur informacion për këto vrasje. Nuk e di saktësisht por me këta emra jam njohur shumë vonë, saktësisht kur këta emra janë përmendur në media viteve të fundit” Rexhep Selimi.

Aktakuza e ngarkon të pandehurin Fatmir Limaj se si pjesëtar i UÇK-së dhe komandant i Brigadës 121, nuk ka ndërmarrë masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave të tij për ta parandaluar apo për të ndalur vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit.

Sipas Prokurorisë Speciale Ramiz Hoxha nga fshati Bellanicë dhe Selman Binishi nga fshati Banjë, komuna e Malishevës, më 2 tetor 1998 janë marrë në afërsi të xhamisë së fshatit Bellanicë dhe janë ekzekutuar në hyrje të fshatit Kravasari.

Prokuroria në aktakuzë pretendon se Fatmir Limaj i ka parë kufomat e viktimave dhe e ka ditur për krimin e kryer, mirëpo me vetëdije nuk ka ndërmarr masa drejt zbulimit të kryesve të këtij krimi dhe rastin asnjëherë nuk e ka paraqitur te organet kompetente për hetim dhe ndjekje.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme