Trump: Programi DACA, ndoshta i dështuar

21:12 | 14 Janar 2018
Trina Galanxhi

Presidenti Donald Trump argumentoi sot se një program për të mbrojtur imigrantët e rinj nga deportimi është “ndoshta i dështuar”, duke thënë se demokratët e opozitës “nuk e duan atë” por vetëm duan të flasin rreth kësaj çështje.

Fati i programit që mbron gati 800,000 imigrantë nga deportimi, të cilët janë sjellë në Shtetet e Bashkuara qysh fëmijë nga prindërit e tyre është në qendër të debatit politik këtë javë në Uashington. Ai është pjesë e diskutimit mes Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit për buxhetin për të mënjanuar mbylljen e pjesëshme të qeverisë kur agjencitë amerikane nuk do të kenë më fonde në mesnatën e së premtes.

Presidenti Trump javën e kaluar kundërshtoi një propozim dypartiak ofruar nga tre senator demokratë dhe tre republikanë për të zgjatur programin e njohur si DACA që mbron imigrantët e rinj nga deportimi. Ligjvënësit bën thirrje gjithashtu për ndryshime të tjera në politikën e imigracionit, përfshi rritjen e financimit për sigurinë përgjatë kufirit me Meksikën. Presidenti Trump kërkon ndërtimin e një muri për të ndaluar imigracionin e paligjshëm.

Por gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë, Trump shkaktoi zemërim duke përdorur fjalor fyes për vende më të varfëra so Haiti, El Salvadori dhe vendet afrikane duke shtuar pyetjen përse më shumë imigrantë nga këto vende lejohen të vijnë në Shtetet e Bashkuara.

Në dy komente sot në Twitter, presidenti Trump akuzoi demokratët se po përpiqen të “marrin paratë e nevojshme për ushtrinë tonë” si pjesë e diskutimeve për financimin e qeverisë dhe imigracionin.

Ai tha se si president kërkon që “njerëzit që vijnë në vendin tonë duhet të na ndihmojnë të bëhemi përsëri të fuqishëm. Njerëzit duhet të vijnë përmes një sistemi të bazuar në merita. Jo më me lotari.”

Trump po bën thirrje për përfundimin e një programi lotarie të imigracioni. Presidenti Trump pretendon se vendet e tjera kanë dërguar terroristë të mundshëm dhe qytetarët e tyre më të varfër në Shtetet e Bashkuara.

Shtetet e Bashkuara thanë të shtunën se kanë rifilluar pranimin e kërkesave për rinovimin e lejeve të qëndrimit në kuadrin e programit DACA, i cili mbron nga dëbimi qindra mijëra emigrantë që kanë hyrë në vend ilegalisht kur ishin fëmijë.

Njoftimi i zyrës për Shërbimet e Imigracionit vjen pasi një gjyqtar bllokoi përkohësisht javën e kaluar vendimin e Presidentit Donald Trump për t’i dhënë fund programit më vonë këtë vit. “Deri në një njoftim tjetër … politika e DACA-s do të operohet sipas kushteve të vendosura përpara se ajo të shfuqizohej më 5 shtator 2017,” tha agjencia në një deklaratë në faqen e saj të internetit.

Në deklaratë thuhet se njerëzit të cilët më parë kishin përfituar sipas programit DACA mund të kërkonin rinovimin e lejes, por se agjencia nuk pranon kërkesa nga individë të cilët nuk kanë përfituar më parë sipas programit.

Një shtyrje e afatit të programit DACA u jep prokurorëve mundësinë për të zbatuar ligjet e imigracionit.

Në muajin shtator, Presidenti Trump vendosi t’i japë fund këtij programi dhe i dha Kongresit afat deri më 5 mars për të gjetur një zgjidhje ligjore për rreth 800 mijë emigrantë të përfshirë në program./VoA/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme