Nënkryetarja e Medvegjës Leme Xhema ka rrëfyer ekskluzivisht për portalin “Arbresh.info” për vizitën historike të presidentit shqiptar Ilir Meta. Mes tjerash ajo ka treguar për marrëveshjet e arritura, shndërrimin e qytetit të Medvegjës në një rrugë globale për lidhje komunikimi mes Tiranës dhe Beogradit. Gjithashtu zonja Xhema ka folur për periudhën sa ishte në krye të PTK-së, për privatizimin e dështuar dhe çka duhet të bëjë tani kjo kompani publike që ka gjeneruar shumë të ardhura për buxhetin e Kosovës.
Arbresh.info: Zonja Xhema në muajin nëntor presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka vizituar Medvegjën. A mund të na tregoni më shumë për këtë vizitë ju si iniciatore e kësaj vizite, kur dihet që është hera e parë që një president i Shqipërisë viziton Medvegjën?
Leme Xhema: Po me kënaqësi i tregoj ato momente në bisedë se do të vjen presidenti i Shqipërisë Ilir Meta edhe kur është marrë vendimi që do të vjen në Medvegjë ishte një moment ku mendova se nuk do të jetë e vërtetë , mendova se është e pamundshme që në një Medvegjë të vogël , me një vend i cili është shumë i varfër ku popullsia faktikisht gjendet në vendet malore është e pamundshme të vjen një president . Me datën 26 nëntor presidenti Ilir Meta shprehu dëshirën të vijë në Banjë të Sijarinës në Medvegjë dhe ishte një kënaqësi për mua, për popullatën për veti po tregoj nuk e di a kam pasur ndonjë moment më të lumtur se sa atë ditë , kurse e kuptova që ardhja e tij është një datë historike. Paramendoje me një vend ku nuk ka qenë kurrë më herët asnjë president ose ndonjë funksionar më i lartë. Ishte ajo datë ku të gjithë në Medvegjë e pritëm me një ankth, edhe po ju tregoj përpos atyre bisedave që i patëm me presidentin Ilir meta vet ngrohtësia e tij , afërsia e tij , sendet që ai vet i dinte pa ardhë në Medvegjë na befasuan dhe na shokuan. Ilir Meta ishte president me plot bujari edhe plot kuptim ndaj popullatës e cila është e mbetur anash dhe në ato momente kur e kaloi kalimin në Mutivodë lart dhe u nis kah Medvegja isha unë e vetmja shqiptare e cila e prita në atë kufi mu duk se jam në ëndërr , mendova se edhe pse kam kaluar shumë vende, shumë qytete të mëdha botërore e kisha një përvojë të hatashme ai moment ishte shumë emocionues sepse e përfaqësoja popullin shqiptar i cili ka nevojë që të përfaqësohej në vendet më të larta dhe funksionet më të larta . Ilir Meta ishte një njeri shumë spontan, ai e pranoi atë popullatë sikur të jetojnë ata vet në Shqipëri, sikur njihej me ta me vite dhe përpos lajmërimeve të cilave ai i dha dhe deklaratat të cilat ishin në opinion se ai ishte me një mision të shenjtë aty, ta përkrah atë popullatë e cila gjendet si pakicë në Komunën e Medvegjës që së bashku me serbët që jetojnë aty edhe ta vazhdojnë rrugën kah Evropa nëpërmes Beogradit por të respektohen edhe të zhvillohen ekonomikisht. Tirana zyrtare i kishte shumë relacionet e mira me Beograd të cilat në atë ditë i kuptuam nga presidenti dhe ajo e cila presidenti Ilir Meta neve na i dha si mesazh ishte të qëndrojmë në ato vende dhe do të na ndihmojnë me kuadro profesionale , t’i ruajmë ato toka të stërgjyshërve tonë, ta zhvillojmë bujqësinë, industrinë por kurrsesi mos t’i lëshojmë vendet e punës, sepse Tirana zyrtare është e përgatitur të na ndihmojë dhe të në përkrah.
Arbresh.info: . I përmendet disa fjalë të presidentit që ju ka drejtuar popullit shqiptar në Medvegjë, a është arritur ndonjë marrëveshje dy palëshe gjatë kësaj vizite?
Leme Xhema: Unë nuk kisha thënë marrëveshje, kisha thënë u arrit një miqësi e jashtëzakonshme në mes të shtetit shqiptar dhe shtetit ku gjendet Medvegja dhe ajo është se në të ardhmen do të vijnë projekte dhe do të vijnë ngjarje të cilat do të pasojnë pas këtyre takimeve por unë mund të ju them se menjëherë pas ardhjes së tyre ishte takimi i miqve të jugut të Serbisë 15 ambasadorë të vendeve të Evropës ku faktikisht janë të gatshëm ta ndihmojnë Medvegjën, Preshevën dhe Bujanocin edhe zotëri Ilir Meta premtoi se do të bisedojë me ambasadorë ndërkombëtarë në Beograd edhe do të ndihmojë jo vetëm Medvegjën por çdo shqiptar në çdo cep që gjendet në Serbi.
Arbresh.info: Kur jemi te kjo a mund të thuhet që në këtë rast Medvegja është shndërruar në një lidhje komunikimi mes Tiranës dhe Beogradit?
Leme Xhema: Ju e keni thur këtë pyetje aq mirë , më duket se Medvegja do të jetë një urë e bashkëpunimit në mes Tiranës Zyrtare dhe Beogradit zyrtar edhe një prej porosive që i dha zotëri Meta është se Tirana do ta mbështesë Medvegjën në hapa kah ecja drejt Evropës nëpërmes Beogradit dhe prej atij momenti po më duket se edhe më tepër është mbështetja e Beogradit kah Medvegja.
Arbresh.info: Ku e shihni këtë zhvillim ekonomik në mes këtyre vendeve?
Leme Xhema: Zhvillimi ekonomik është në ecje e sipër, unë ju tregova që Medvegja është vend i vogël, por ka nevojë për më tepër njerëz profesional të cilët do të punojnë në aspektin e përpunimit të projekteve dhe njerëzve intelektualë të cilët do ta ngrisin zërin për një Medvegjë më të zhvilluar pa marrë parasysh a janë serbë a janë shqiptarë dhe besoj se me këtë arritje të cilën e kemi edhe nga miqtë ndërkombëtarë edhe nga Prishtina, edhe nga Tirana, Medvegja do t’i ketë participimet e veta në fondet ndërkombëtare po ashtu edhe në fondet buxhetore të cilat gjenden në Serbi. Jam e sigurtë se një bashkëpunim i mirëfilltë dhe me një intensitet më të lartë do të kemi edhe me Prishtinën edhe me Tiranën.
Arbresh.info: Kur jemi tek çështjet ekonomike ju për një periudhë katër vjeçare keni qenë edhe drejtoreshë e PTK-së, si e keni parë në atë kohë PTK-në dhe si e shihni tash?
Leme Xhema: Kur flas për PTK-në flas me shumë emocione. Në kohën kur unë kam punuar si drejtoreshë PTK-ja ka qenë në zhvillim e sipër, të hyrat e elementet tjera financiare nuk do t’i ceki, sepse kanë qenë në kulmim edhe faza e investimeve edhe të hyrat të cilat i ka krijuar PTK-ja, duke u falënderuar punëtorëve shumë të zellshëm të PTK-së, të cilët nganjëherë kanë punuar edhe nga tri ndërrime, ka qenë një vullnet i jashtëzakonshëm dhe rezultatet janë parë edhe kur e krahasoj atë kohë me sot ajo është evidente që çdo njeri që merret me një analizë të mirëfilltë e sheh që Post Telekomi prej një profesionalizmi të lartë që ka ekzistu në atë kohë tash ka ra edhe rezultatet të cilat kanë ekzistu faktikisht tash ka ra para falimentimit edhe mjerisht ajo është situatë e cila kërkon një vendim patjetër urgjent dhe të merren masa të cilat njihen në procese zhvillimore dhe ekonomike për kompanitë biznesore të cilat shkojë kah falimentimi, nuk kam dëshirë që e shoh në këtë gjendje sepse kam kontribuar shumë me punëtorë por po ma merr mendja se ndoshta shteti i Kosovës të gjej një rrugëdalje, fajtorë janë pak edhe vet sepse kur involvohet politika në biznes atëherë normal që rezultatet bien por ka vende, ku ekzistojnë metodat komerciale dhe metodat biznesore të cilat mund të implementohen dhe mund të nxirret prej krizës.
Arbresh.info: A mund të thuhet që vlera e postës po bie shkaku i zhvillimit të teknologjisë së fundit?
Leme Xhema: Po ju tregoj vlera jo vetëm e postës por e çdo kompanie bie edhe shkaku i teknologjisë edhe shkaku i mos menaxhimit. Unë nuk po them menaxhimit të keq, por u duhet me qenë shumë fleksibil dhe duhet me qenë shumë të adaptuar kah tregu që me mujt me i marr konsumatorët dhe me bë kalkulime të cilat janë të pranueshme edhe për konsumatorin ashtu që faktikisht kur i shikoni krejt elementet dhe segmentet biznesore atëherë e shihni se PTK-ja patjetër e ka humb tash po flas për pjesën e Valës e ka humb vlerën e vet sepse së pari Kosova tash gjendet në një fazë jo stabile, po i shihni krejt gjërat që po ndodhin, e dyta çmimi i pajisjeve ka ra është bërë investimi në teknologji aq sa është dashur dhe e treta është dashtë me u bë më tepër investim në kuadra të cilat munden me u kontribu produkteve të reja të cilat munden me u implementu në treg ashtu që fatkeqësisht çmimi po bie.
Arbresh.info: Po çfarë mund të na thoni për dështimin e privatizimit të postës?
Leme Xhema: Për ish privatizimin. Për mua ishte moment i gabuar kur ka hy në privatizim dhe ju e dini se sa e di unë, sa kam informata lënda është në gjyq, privatizimi nuk është dashur të bëhet në mënyrë si është nisur në atë kohë se duhet patjetër juridikisht me u përgatit mirë kompania për privatizim, e dyta është zgjedh momenti i privatizimit kur faktikisht ende nuk është mbërri kulminacioni në treg ato kanë qenë dy faktorët të cilët e kanë determinu problemin prandaj edhe doli problemi në tender . Liberalizimi i tregut kur është bërë në Kosovë faktikisht Vala ka hy me një licencë të plot fuqishme, operatorët tjerë kanë hyrë pak më ndryshe dhe tani më tutje normal që edhe kah privatizimi ata faktorë ndikojnë. Nuk e di se si do të përfundon, normal që në arbitrazh në gjyqe ndërkombëtare nuk mundemi ne me dit se çka do të ndodhë por faktikisht as tenderi nuk ka guxuar të ndërprehet se nëse u hap tenderi edhe pa marrë parasysh qysh, çka edhe tek ai duhet me u zhvillu. Unë dëshiroj që ta zgjedhim mënyrën më të mirë në interes të PTK-së.
Arbresh.info: Zonja Xhema jemi në fund të intervistës në fund cili është mesazhi juaj për shqiptarët në Medvegjë?
Leme Xhema: Unë e kam një porosi edhe për shqiptarët e Medvegjës edhe për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë t’i shfrytëzojnë kuadrot e reja, t’i shfrytëzojmë rininë, energjinë e tyre pozitive, ta shfrytëzojmë dijen e tyre, aftësitë profesionale edhe t’u japim mbështetje dhe besim dhe të ecim para sepse vetëm me punë , me profesionalizëm dhe me një vizion të qartë mund të ecet para, sidomos në Medvegjë. Një Medvegje të varfër i dëshiroj një zhvillim dhe i dëshiroj një bashkëpunim me të gjitha sferat, me të gjitha vendet e botës e sidomos me Prishtinën dhe Tiranën./arbresh.info/
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...