Google ADS

Kështu është gjendja me grip sezonal në Kosovë

09:45 | 12 Janar 2018
Arbresh.info

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka dërguar një raport për media ku jep informata në lidhje me gripin sezonal.

Sipas ISHKP-së aktualisht situata epidemiologjike është nën kontroll sa i përket gripit sezonal, por me gjendjen aktuale klimatologjike që po mbretëron në Kosovë mundësia e rritjes së rasteve ekziston.

“Vala e gripit në territorin e Kosovës nuk ka pasur intensitet të lartë epidemik, ku njëri nga ndikuesit kryesor pos masave parandaluese ka qenë vaksinimi me kohë gjatë muajve tetor, nëntor dhe dhjetor i të gjitha grupeve të rrezikut”, thuhet në njoftimin e IKSHP-së.

Sipas IKSHP-së nga 1 tetori ( java e 40 –të) deri më 7 janar, 2018 (java e1-rë), në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë raportuar gjithsej 15.737 raste të dyshimta në grip (ILI) 2329 raste ARI (Infeksion Respirator Akut) dhe 36 raste SARI (Sëmundje e Rëndë Respiratore Akute).

Rastet raportohen nga të gjitha komunat e Kosovës me përjashtim të komunave me popullatë serbe.

Numër më i madh i rasteve sipas IKSHP-së raportohet nga komuna e Prishtinës, Prizrenit dhe Podujevës por asnjëra nuk e kalon pragun epidemik.

Gjatë javës së parë 1 – 7 janar janë raportuar 1609 raste ILI, 193 raste ARI dhe 5 raste SARI.

Në laboratorin e Qendrës kombëtare të gripit- IKSHPK deri më 10 janar 2017 janë testuar gjithsej 40 mostra të dyshimta në grip. Prej tyre 7 mostra kanë rezultuar pozitive: 1 mostër ka rezultuar pozitive në Influencën A(H1), 5 mostra në Influenca A dhe 1 mostër Influenca B.

Gjithashtu janë testuar edhe dy mostra në virus të tjerë respirator të cilat kanë rezultuar negative.

Në Klinikën Infektive, Klinikën e Pediatrisë dhe spitalet rajonale gjatë javë së 1-rë (01-07 janar 2018) janë hospitalizuar 3 raste me status gripal dhe 3 raste me Bronchopneumonia dhe Pneumonia (ARI).

Instituti Kombëtar tashmë ka dhënë rekomandime të duhura profesionale që qytetarët të kenë kujdes dhe të mos dalin gjatë në ambient të ftohtë, të mos qëndrojnë në lokale të mbyllura me dendësi të madhe të njerëzve dhe të përdorim sa më shume lëngje të nxehta dhe vitamina.

Paraqitje e sëmundjes është e obliguar me Ligjin për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse nr. 02-L-109 andaj të gjitha institucionet shëndetësore kanë obligim që ta paraqesin sëmundjen në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

Zyrtarët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë së Kosovës po përcjellin me vëmendje shfaqjen e virusit A(H3N2) në hemisferën jugore (Australi) dhe po përhapet edhe në Europë, e që bënë pjesë në grupin e viruseve të gripit të zakonshëm dhe simptomat e sëmundjes janë të ngjashme me gripat e zakonshëm, por që mund të shkaktojë komplikime të rënda të sistemit respirator, sidomos te personat e moshuar dhe ata me imunitet të dobësuar nga sëmundjet kronike.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë së Kosovës ka rritur vigjilencën për t’u përballur me raste eventuale të gripit A(H3N2) dhe është në gjendje gadishmërie të përcjellë situatën epidemiologjike dhe për çdo ndryshim të situatës epidemiologjke do të informoheni me kohë. /gazetametro.net

Si të mbrohemi nga Gripi sezonal

Gripi sezonal

Gripi sezonal është një infeksion akut viral. Transmetohet direkt nga një person i sëmurë tek tjetri përmes stërpiklave gjatë kollitjes ose teshtitjes dhe ne menyre indirekt me prekjen e objekteve të kontaminuara me virusin e gripit sezonal.

Për sa kohë një person i sëmurë e përhap gripin tek të tjerët?

Personi i infektuar me virusin e gripit mund të jetë infektues për të tjerët, 1 ditë para se të sëmuret dhe 5 ditë pas shenjave të gripit. Tek fëmijët, apo personat me imunitet të ulur, periudha e infektimit mund të jetë pak më e gjatë.

Kush rrezikohet nga gripi sezonal?

Çdo njeri mund të preket nga virusi i gripit sezonal dhe ta përhapë atë tek të tjerët. Por disa njerëz janë në rrezik më të madh për t’u infektuar me virusin e gripit sezonal si:

Fëmijët e vegjël nën 5 vjeç, sidomos deri në 2 vjeç

Njerëzit 65 vjeç e sipër

Gratë shtatëzëna.

Njerëzit me sëmundje kronike.

Shenjat e zakonshme të gripit sezonal janë:

Temperaturë e lartë

Kollë

Dhimbje fyti

Lodhje

Dhimbje koke

Diarre dhe vjellje

Dhimbje barku

Rrjedhje të hundëve

Dhimbje muskujsh

Shenjat paralajmëruese për emergjencë.

Duhet të dini se sëmundja zakonisht zgjat rreth një javë POR drejtohuni menjëherë tek mjeku nëse:

Fëmijët shfaqin:

Frymëmarrje te shpejtë, ose probleme me frymëmarrjen

Ndryshim të ngjyrës së lëkurës

Nuk konsumojnë mjaftueshëme lëngje

Kanë ethe me një skuqje të lëkurës

Fortësim te qafës

Të rriturit shfaqin:

Vështirësi në frymëmarrje apo gulçim

Dhimbje apo presion në gjoks apo bark

Marramendje të papritur

Konfuzion mendor

Të vjella të vazhdueshme

Si të mbrohemi nga virusi i gripit sezonal?

Ju rekomandojmë tre hapa për të luftuar gripin: vaksinimin, masat e përditshme parandaluese, dhe trajtimi me barna antivirale nëse mjeku i rekomandon:

Vaksinimi.

Vaksinimi mbron vetë personin dhe ndihmon në parandalimin e përhapjen se gripit.

Vaksinimi kundër gripit bëhet në muajt tetor – dhjetor.

Efekti i vaksinës fillon 1 deri 2 javë pas marrjes

vaksina aplikohet në pjesën e sipërme të krahut.

Vaksina kundër virusit të gripit i rekomandohet sidomos :

Fëmijëve mbi 6 muaj

Personave mbi 50 vjeç

Personave me rrezik më të lartë

Personelit shëndetësor

Grave shtatëzëna

Personat kujdestarë si edukatoret e çerdheve, kopshteve, kujdestarët e te moshuarëve

Vaksina kundër virusit të gripit nuk i rekomandohet :

Personave që kanë alergji në vezë

Gjendje akute me temperaturë

Fëmijët nën 6 muaj

II Masat e përditshme që ndihmojnë në parandalimin e përhapjes së virusit të gripit sezonal

Mbuloni hundën dhe gojën kur kolliteni ose teshtini me faculetë.

Lani duart shpesh me sapun dhe ujë ose përdorni desinfektues.

Shmangni prekjen e syve, hundës dhe gojës.

Përpiquni të shmangni kontaktet e ngushta me njerëzit e sëmurë.

Ushqehuni shëndetshëm

Bëni aktivitet fizik

Bëni gjumë të mjaftueshëm.

Pastroni dhe dezinfektoni mjediset ku banoni

Konsultohuni me mjekun për mjekimin me barna kundër gripit Barnat kundër gripit nuk kanë efekt parandalues, por mjekues. Ato përdoren vetëm nëse jeni të sëmurë me grip dhe duhen të merren brenda 48 orëve nga fillimi i sëmundjes.

Kujdes, antiviralët jepen vetëm me rekomandimin e mjekut

Nëse jeni të sëmurë me grip :

Qëndroni në shtëpi.

Qëndroni veç nga të tjerët

Pushoni dhe përdorni lëngje me shumicë

Mbuloni gojën dhe hundën me faculetë kur kolliteni apo teshtini

Lani duart mirë me ujë e sapun mbas çdo kollitje apo teshtimi

Informoni familjarët dhe miqtë tuaj për sëmundjen tuaj

Evitoni kontaktet me njerëzit

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme