Google ADS

Vizita e delegacionit të BE-së në Kosovë, mesazh i fundit për demarkacionin dhe Specialen

16:15 | 11 Janar 2018
Arbresh.info

Një delegacion me të dërguar të posaçëm të Bashkimit Evropian po qëndron në Kosovë që nga dje, duke takuar krerët e shtetit dhe përfaqësuesit e partive politike. Kjo vizitë e tyre po shihet si mesazh për çështjet aktuale të shtetit e që janë Demarkacioni dhe Gjykata Speciale.

Njohësi i çështjeve politike, Donik Sallova ka thënë për “Indeksonline” se demarkacionit i është afruar afati që t`i jepet epilogu. Andaj, është shprehur ai, delegacioni i BE-së ka ardhur për ta marrë një adresim, apo për ta dhënë këshillën/kërkesën e fundit se demarkacioni duhet të kalojë.

Ndërkaq, lidhur me shfuqizimin apo jo të ligjit për Gjykatën Speciale, Sallova ka deklaruar se delegacioni i BE-së ka bërë vizita në partitë opozitare që të sigurohen se nuk do votojnë pro kësaj.

“Padyshim iniciativa e fundit për ta shfuqizuar ligjin për Gjykatën Speciale e ka alarmuar edhe Bashkimin Evropian dhe unë besoj që ata kanë ardhur në këtë nivel që të sigurohen që kjo nuk do të ndodhë. Ata i kanë takuar edhe liderët e partive opozitare, dje ishin tek Vetëvendosje sepse shpresa e tyre është që edhe nëse ky skenar do të tentohet të shkojë edhe në arbitrare nga Thaçi apo dikush tjetër, të paktën të sigurohen që deputetët e opozitës do të jenë unik dhe në Kuvend do ta pengojnë shfuqizimin e një ligji të tillë”, ka thënë ai.

Sallova ka komentuar letrën e kryeparlamentarit Kadri Veseli në të cilën thuhet se “Gjykata Speciale është e dëmshme por nuk mund të zhbëhet”. Sipas Sallovës, Specialja nuk mund të shfuqizohet pikërisht për shkak të deputetëve të PDK-së, të cilëve u është dhënë urdhri nga lideri i tyre që kjo të mos ndodhë.

“Ne e kemi parë që edhe ky shkrimi që u bë para disa ditëve i Kadri Veselit edhe që e adresoi Gjykatën Speciale në njëfarë forme presioni ndërkombëtarë e ka arritur efektin e vet që mos të shkohet në një skenar të tillë. Po shihet që është vetëm kryeministri Haradinaj ai që po e inicion këtë çështje, por ai nuk është në gjendje t`i japë rrugëzgjidhje demarkacionit, ia ka lënë Kuvendit në përgjegjësi, por nuk ka as fuqi politike as për ta rrëzuar e as për ta çuar përpara. Edhe për Gjykatën Speciale ai mendon sikur është kompetent, por ai e di mirë se nuk e ka fuqinë ta rrëzojë atë sepse tek e fundit janë deputetët e PDK-së atyre që iu dha urdhri nga Veseli që kjo nuk duhet të ndodhë. Andaj edhe vizita e fundit është për të treguar se duhet t`i jepet fund kësaj afere politike”, ka deklaruar Sallova.

Tentimin për ta shfuqizuar Gjykatën Speciale, analisti Nexhmedin Spahiu e ka parë si veprim joserioz nga ana e Kosovës drejt vendeve të BE-së të cilat e ndihmuan atë gjatë procesit për shpalljen e shtetësisë.

“Është mëse e qartë se kjo vizitë vjen si shqetësim për shfuqizimin e Speciales. Ata janë duke bërë hulumtime në terren, me pa se sa serioz është shteti i Kosovës. Po bëhen 10 vjet nga shpallja e Kosovës shtet dhe të gjithë ata që ndihmuan në këtë, kanë një shqetësim. Përpjekja për ta anuluar Specialen ka qenë një veprim shumë joserioz që ka sjellë në pikëpyetje seriozitetin e shtetit të Kosovës dhe që i ka dhënë një goditje të rëndë atyre që e kanë njohur shtetin e Kosovës. Ata që kanë investuar në Kosovën janë të interesuar të shohin se a është kjo një lëvizje e çastit e klasës politike, apo thjeshtë një budallaki politike”, ka thënë ai për “Indeksonline”.

Ndryshe, në Kosovë janë duke zhvilluar vizita i dërguari i posaçëm për Evropën Juglindore, Turqinë dhe shtetet e EFTA-s në Ministrinë Gjermane të Punëve të Jashtme, Christian Hellbach dhe Shefi i Departamentit të Ballkanit Perëndimor të Ministrisë Franceze të Punëve të Jashtme dhe Evropiane, Thomas Bertin si dhe dy ambasadorët të Gjermanisë dhe Francës Christian Heldt dhe Didier Chambert.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme