Albin Kurti, i vetmi kandidat për kryetar të VV-së

12:47 | 11 Janar 2018
M. A.

Këshilli Zgjedhor i Përgjithshëm (KZP), i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), ka bërë të ditur së mbrëmë ka përfunduar afati i dorëzimi të kandidaturave për kryetar të kësaj lëvizje, i cili është shpallur me datën 21 dhjetor, dhe se në garën pë kreun e VV-së do të jetë vetëm Albin Kurti.

Ata në një komunikatë për media, kanë treguar se pranë këtij Komisioni nuk është dorëzuar ndonjë kërkesë për të kërkuar shtyrje afati, duke theksuar se është konstatuar se deputeti Albin Kurti ka qenë kandidati që ka dorëzuar dokumentacionin e nevojshëme për kandidimin si kryetar i VV-së, dhe nuk janë dorëzuar kandidatura të tjera.

Aty më tutje thuhet se marrë parasysh Statutin dhe Rregulloret, Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm ka caktuar datën e mbajtjes së zgjedhjeve të brendshme për kryetar të VV-së të dielën, më 21 janar 2018.

“Sipas parimit një anëtar – një votë, anëtarët e Lëvizjes do të kenë të drejtën të hedhin votën e tyre në kutitë e votimit nëpër vendvotimet që do të hapen brenda dhe jashtë Kosove të dielën më 21 janar, duke shprehur vullnetin e tyre – ‘për’, ‘kundër’, ose ‘abstenim’ – në lidhje me kandidaturën e Albin Kurtit si kryetar i VV-së”, është thënë në njoftimin e VV-së.

Ata kanë njoftuar se këtë praktikë normale votimi kjo lëvizje e ka ndjekur edhe në shumë procese të tjera të zgjedhjeve të brendshme.

“Fushata e zgjedhjeve të brendshme do të mbyllet 24 orë para ditës së votimit. Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm i bën thirrje të gjithë anëtarëve të përfshihen në diskutimet dhe aktivitetet që do të mbahen në ditët në vijim gjatë fushatës së zgjedhjeve të brendshme për kryetar të VV-së për fuqizimin e mëtejshëm të praktikave të demokracisë së brendshme që tashmë e kanë etabluar VV-në si subjektin politik më demokratik në Republikën e Kosovës”, thuhet në sqarimin e bërë për media nga kjo lëvizje.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme