Haradinaj sërish premton rritje page, kësaj here për punëtorët shëndetësorë

15:51 | 10 Janar 2018
Arbresh.info

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj priti në takim delegacionin e Federatës Sindikale të Shëndetësisë të Kosovës (FSSHK), të kryesuar nga Blerim Syla, me të cilët bisedoi për gjendjen në shëndetësinë kosovare dhe hapat e ndërmarrë për përmirësimin e saj. Në takim ishte prezent edhe Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili.

Kryeministri nga përfaqësuesit e FSSHK-së u njoftua me të arriturat e sektorit të shëndetësisë, por edhe për sfidat me të cilat përballet ky sektor.

Përfaqësuesit e sindikatës e njoftuan Kryeministrin për shqetësimet e punëtorëve shëndetësorë, e njëri nga këto shqetësime ishte kategorizimi i pagave të mjekëve.

Haradinaj u zotua në angazhimin e Qeverisë për krijimin e bazës ligjore që ky kategorizim të aplikohet sa më parë edhe në sektorin shëndetësorë, ashtu siç e kanë tashmë të rregulluar edhe vendet e rajonit.

“Zgjidhja e problemit të pagave për punëtorët shëndetësorë, është kategorizimi i tyre, përmes ligjit. Qeveria do të jetë e përkushtuar që këtë ligj ta procedojë sa më parë. Kategorizimi nënkupton edhe rritjen e pagave për mjekët”, tha kryeministri Haradinaj.

Sindikalistët shëndetësorë u dakorduan që bashkë me ekspertë nga Ministria e Administratës Publike, ajo e Shëndetësisë dhe Ministria e Financave të finalizojnë punën për Ligjin e pagave, në mënyrë që kërkesat e tyre, të zbatohen sa më parë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme