Deputeti i AAK-së, Rasim Selmanaj, në emisionin “Interaktiv” ka komentuar letrën e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, me të cilën ai kundërshtoi iniciativën përmes së cilës u tentua shfuqizimi i Gjykatës Speciale.
Selmanaj ka thënë se qëndrimi i Veselit kundër iniciativës është dashur të bëhej publik më 22 dhjetor, natën kur u tentua mbajtja e një seance të jashtëzakonshme për shfuqizim të Speciales.
“Sa i përket letrës së Veselit dhe qëndrimit të tij tashmë publik, mendoj se do të ishte në rregull sikur këtë qëndrim ta mbante më 22 dhjetor kur u mor iniciativa për thirrje të seancës së jashtëzakonshme”, ka thënë Selmanaj.
I pyetur nëse deputetët e AAK-së ndihen të mashtruar nga PDK-ja, parti që mori iniciativën për të mbledhur nënshkrimet për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme, Selmanaj ka thënë se ai vetë nuk ndihet i mashtruar, pasi ishte i vetëdijshëm se çfarë po nënshkruante.
“Nuk ndihem i mashtruar sepse me vetëdije e kam nënshkruar, sepse i kam qëndrimet e mia ndaj kësaj Gjykate, por është çështje e deputetëve dhe partive që të ndërrojnë qëndrime. Ne vazhdojmë ta mbajmë qëndrimin tonë kundër Gjykatës Speciale. Po e përsëris që unë vazhdoj të jem kundër këtij formati të Gjykatës që pretendon të gjykojë krimet e supozuara të UÇK-së dhe jo të krimeve që ka bërë Serbia”, ka theksuar deputeti i AAK-së, i cili do të votonte kundër Gjykatës në raste se ligji vjen në Kuvend gjatë javëve të ardhshme.
“Personalisht nëse kjo gjykatë vjen në Kuvend, unë do ta votoj kundër, jo përse jam kundër kësaj gjykate, por jam kundër këtij formati. Jam për krijimin e një gjykate në Prishtinë që do të gjykonte të gjitha krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, sepse po krijohet një klimë sikur Kosova ka bërë krime dhe jo Serbia, në fakt është e kundërta. Por të amnistohet krimi i Serbisë dhe të ndiqen shqiptarët mendoj se është dëm i madh që po i bëhet vendit tonë”, ka thënë Selmanaj.
“Jam i vetëdijshëm që është vonë [iniciativa për shfuqizim], por nëse krijohet hapësira dhe mundësia për të përmirësuar një gabim, mendoj se është krejtësisht në rregull”, ka shtuar ai.
Selmanaj nuk e di nëse nga iniciativa për shfuqizim është tërhequr PDK-ja, por shpreson se deputetët e kësaj partie kanë qenë të vetëdijshëm se çfarë po nënshkruajnë.
“Nuk mund të them nëse është tërhequr PDK-ja sepse nënshkrimet ende janë aty, por dua të besoj se deputetët kanë qenë të vetëdijshëm se çfarë po nënshkruajnë atë mbrëmje. Deputetët që kanë nënshkruar do ta mbajnë qëndrimin, nëse nuk e mbajnë qëndrimin është zhvillim i ri”, ka thënë Selmanaj./Koha.net/
Edhe 17 ditë afat për certifikim të partive, ende asnjë apli...
USAID 25 vjet në Kosovë, Ambasada amerikane: Riafirmim i për...
Izraeli urdhëron evakuime në disa zona të Gazës, nxit një va...
Nwaneri në histori të Arsenalit, Arteta me fjalë të mëdha pë...
LDK sot në Malishevë me “Turneun e Ndryshimit”
Rama në Londër: Nisëm ligjore për të regjistruar fëmijët e s...