Vjen dorëheqja e radhës në VV

17:48 | 9 Janar 2018
Arbresh.info

Vala e dorëheqjeve në Lëvizjen Vetëvendosje ka vazhduar edhe sot. Pas vëllait të deputetit Dardan Molliqaj, Vlorian Molliqaj, dorëheqje ka dhënë edhe Delegati i Këshillit të Përgjithshëm në Gjermani, Kujtim Robelli.

Përmes një letre drejtuar Këshillit të Përgjithshëm, Robelli ka shkruar se ka shpresuar që ky konfikt të zgjidhet tash e një muaj.

Gjithashtu, ai ka shtuar se kjo logjikë fashiste është shumë e rrezikshme dhe e ka katapuluar Lëvizjen Vetëvendosje.

Ai ka thënë se në Vetëvendosje është kategorizuar si armik veç shkaku i miqësisë me Frashër Krasniqin, Dardan Molliqajn e Aida Dërgutin.

Robelli ka bërë të ditur se nuk do të jetë pjesë e një strukture e cila fsheh “eliminimet politike” prapa logjikës së numrave, dhe e cila në fshehtësi vepron kundër aktivistëve të saj dhe i

Letra e plotë:

Të nderuar anëtarë të mbetur dhe eventualisht të rikthyer të Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE!,

I nderuari Hydajet Hyseni, Kryesues i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!,

I nderuari Ismajl Kurteshi, Sekretar Organizativ i Lëvizjes VETËVENDOSJE!,

dhe mbi të gjitha e dashura Lëvizja VETËVENDOSJE!,

Thellë në zemër kam shpresuar, sidomos gjatë muajit të fundit, që
konflikti brenda Lëvizjes do të zgjidhet. Edhe pse i vetëdijshëm që një
zgjidhje eventuale e konfliktit nuk do t’i bënte të zhbëra sjelljet e të
involvuarve në konflikt dhe pas “zgjidhjes” asgjë nuk do të bëhej siç
ka qenë mëparë, prapë shpresoja. Shpresë gënjeshtare!

Kur i jam bashkuar Lëvizjes, ndër shumë arsye të tjera, përputhja e
parimeve të mia me ato të Lëvizjes ka qenë kryesore në vendimmarrjen
time.

Ende pa qenë në njohuri për konfliktin e brendshëm, isha i brengosur
për kultin që po i krijohej Albin Kurtit, sepse ishte i papajtueshëm me
parimet e Lëvizjes.

Në një bisedë me Albin Kurtin, e bëra një vlerësim subjektiv të
idealizmit të tij të shprehur gjatë bisedës, kjo e fundit bashkë me
arsye tjera tani po përdoret si justifikim për etiketime, shpifje dhe
“përndjekje politike‘‘ ndaj meje. Përhapja e këtij vlerësimi, që i’a kam
thënë vetë Albin Kurtit dhe tani po trajtohet si ,,ofendim‘‘ apo
,,blasfemi‘‘, është bë pikërisht nga vetë zotëri Kurti!

Kush e di se për çfarë arsye e bëri këtë apo çfarë fshihet pas kësaj?

Përshtypja që më është krijuar nga ky veprim është, me dashje apo pa, nxitja!

Që nga ai moment kur filluan insinuatat ndaj meje kuptova që brenda
Lëvizjes po zihej diçka. Nga ai moment fillova të kuptoja që shpifjet që
i dëgjoja ndaj ca aktivistëve ishin rezultat i përçarjeve. Për hirë të
së vërtetës më duhet të theksoj që asnjë fjalë degraduese të drejtuar
ndaj Albin Kurtit nuk më ka rastisur të dëgjoj. Gjithë etiketimet dhe
shpifjet ishin të drejtuara ndaj Dardan Molliqajt, Frashër Krasniqit,
Teutë Rrustës, Nol Nushit e disa të tjerëve.

Është i çuditshëm morali i dyfishtë në Lëvizje që po praktikohet qe disa muaj!

Kur grupit parlamentar iu publikua biseda në Viber filloi linçimi
ndaj Aida Dërgutit, dhe jo kërkimi i spiunit që e publikoi atë.
Pjesëmarrja e Elvis Hoxhës në një mbledhje të Kryesisë së Qendrës në të
cilën më ofendoi, justifikohej pikërisht nga ata persona që e miratonin
linçimin e Aidës për “blasfeminë” e shprehur nga ajo, duke thënë se
ofendimi ndaj një aktivisti ,,të thjeshtë‘‘ është legjitim, kurse ai
ndaj “babës” dhe njëkohësisht “liderit” jo.

Një Lëvizje që e ka një nga parimet kryesore barazinë, duhet t‘i
trajtoj si devijime justifikimet e tilla dhe ngritjen e një personi mbi
tjetrin.

Kur një anëtar i Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE! kërkon nga të
gjithë të bëhen bashkë me të ,,ushtarë të Albinit‘‘ dhe nuk i tërhiqet
së paku vërejtja nga vetë Albin Kurti, në emrin e të cilit po bëhen këto
thirrje, e tregon në heshtje miratimin e tij ndaj këtyre veprimeve dhe
rrjedhimisht devijimin total nga Lëvizja progresive dhe parimore.

Kur kërkohet pozicionim pas Albin Kurtit, përndryshe, siç na lënë të
kuptojmë ca kërkesa, do të kategorizoheshim si armiq dhe kjo e implikon
përndjekjen dhe rrjedhimisht është kërcënim!

Kjo logjikë fashiste që e bën ndarjen në miq dhe armiq është tejet e
rrezikshme dhe e ka katapultuar nga njëri çast tek tjetri në stalinizëm
Lëvizjen, ngaqë ka persona të caktuar që janë bërë rob të kësaj logjike!

Kur unë kategorizohem si armik veç shkaku i miqësisë me Frashër
Krasniqin, Dardan Molliqajn dhe Aida Dërgutin, gjë për të cilen ka
dëshmi në formë te procesverbaleve atëherë nuk më ka mbetur vend në
strukturat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, sepse nuk e kam ndërmend t’i
tradhëtoj bindjet e mia, t‘i nënshtrohem një strukture organizative
diktatoriale sado që na qenka e mirë ajo. Nuk e kam ndërmend të
distancohem nga Frashër Krasniqi, Dardan Molliqaj, Aida Dërguti, apo
çdokush që pafajësisht konsiderohet si armik, për ti shërbyer personave
të caktuar për interesa personale. Nuk e kam ndërmend të jem pjesë e një
strukture e cila fsheh “eleminimet politike‘‘ prapa logjikës së
numrave, e cila në fshehtësi vepron kundër aktivistëve të saj dhe i
linçon ata në publik.

Prandaj, shumë i zhgënjyer për rrugën në të cilën ca persona e kanë
futur Lëvizjen, jap dorëheqje nga pozita e delegatit të Këshillit të
përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, dhe nga çdo pozitë e imja në
Qendrën e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjermani, si Koordinator i pikave,
anëtar i komisioneve dhe sekretariateve.

Në fund më duhet t‘i përmendi edhe katër aktivistët që sherri i këtij
konfikti të njëanshëm nuk po përmenden aq sa duhet dhe angazhimi për
lirimin e tyre dita ditës është në zhdukje, nga personat që po kërkojnë
armiq dhe po e okupojnë lëvizjen VETËVENDOSJE! për interesat e tyre,
duke mos i lënë kohë fare për t’i mbrojtur aktivistët e saj Adean,
Atdheun, Egzonin dhe Frashërin.

Është hipokrizi dhe e papërgjegjshme që në të njejtën kohë të jesh në
dijeni të së vërtetës dhe të qëndrosh në këto struktura që po e
shkatërrojnë Lëvizjen VETËVENDOSJE!.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme