Sonetet
Soneti është një nga format më komplekse të poezisë metrike. Që nga Petrarka e deri te Shekspiri, po edhe pas tij, poetët e kanë përdorur sonetin për të treguar superioritetin e tyre të shkrimit, të njohjes dhe të mjeshtrisë poetike. Me pak fjalë, të shkruarit e soneteve bënte dallimin mes shkrimtarëve.
Fjala “sonet” rrjedh nga italishtja “sonetto” që do të thotë “tingull”, apo “zë” kurse në shqip është inkuadruar si “tingëllimë”. Soneti e ka origjinën në poezinë tradicionale gojore provansale që ishte një këngë e vjetër italiane. Gjithsesi famën më të madhe soneti e ka marrë falë “Këngëtores” (“Il Canzoniere”) të poetit Françesko Petrarka, i cili paraqet volumin më të famshëm të tingëllimave në të gjithë letërsinë evropiane.
Me termin “sonet petrarkian” ose “sonet shekspirian” nuk u referohemi vetëm soneteve të këtyre autorëve, por quhen kështu ngaqë këta dy autorë janë perfaqësues të këtyre dy formave të soneteve.
Përgjithësisht soneti është poezi prej katër strofash, i përbërë prej dy katrenave dhe dy tercinave. Ndryshimi kryesor mes soneteve petrarkane dhe atyre shekspiriane është te vargu, rima, organizimi i strofave, tema dhe personi që i dedikohen.
Te sonetet e Petrarkës dy strofat e para janë katërshe (katrena) me varg njëmbëdhjetërrokësh dhe me rimë ABBA / ABBA, kurse dy të tjerat janë strofa treshe (tercina), me rimë CDC / CDC. Te këto sonete, katrenat dhe tercinat kanë tema të ndryshme.
Thamë që në poezinë europiane ekziston edhe soneti elizabetian ose soneti shekspirian. Duhet thënë gjithashtu se gjatë kësaj kohe në Angli, soneti dhe poezia lirike shpesh janë konsideruar si një e vetme, mirëpo për poetët modernë anglezë termi sonet nënkupton veç poezinë me katërmbëdhjetë vargje, ku janë tri katrena me rima ABAB / CDCD / EFEF dhe një strofë dyshe me rimë GG.
Në shumë sonete, është shënuar korrelacioni midis skemës së rimave dhe zhvillimit të idesë kryesore. Kështu, soneti italian sjell të përgjithshmen në oktavë dhe shembullin e veçantë në sestet. Ndërsa soneti anglez mund të sjellë tre shembuj, një në secilën katrenë dhe të sjell një përfundim në kaplet. Ky është dallimi themelor mes këtyre dy llojeve të soneteve.
Sonetet e Petrarkës
Rreth treqind vite para Shekspirit, bota njohu sonetet e Petrarkës. Soneti petrarkian përbëhet prej 14 vargjeve të ndara në një oktet dhe një sestet me rimë ABBA ABBA / CDE CDE. Këto sonete kanë të ashtuquajturën “volta”, që nga latinishtja do të thotë “kthesë” ku bëhet dallimi mes dy strofave. Njëjtë si sonetet e Shekspirit, janë të shkruara në pentametrin jambik.
Petrarka ka shkruar gjithsej 366 poezi lirike nga të cilat 317 janë sonete të cilat më vonë botohen në një vëllim poetik të quajtur “Il Canzoniere” që do të thotë “këngë”.
Për sonetet e tij, kritikët thonë që i kushtohen Laurës, vajzës që poeti e kishte njohur në një kishë në Francë. Kritiku Robert Stanly Martin thotë: Dashuria për vajzën ideale ishte rruga drejt të mësuarit se si duhet të duhet Zoti. Me pak fjalë, një burrë zbulon dashurinë hyjnore pasi ka njohur dashurinë e një gruaje.
Pavarësisht çka thonë kritikët, Petrarka përshkruan në detaje takimin me Laurën. Në poezinë “Era il giorno ch’al sol si scoloraro” ai tregon që dashuria me Laurën ka qenë dashuri në shikim të parë dhe se ai as që ka provuar të mbrohet nga shigjetat e dashurisë që po lëshonte Kupidi atë ditë. Ai shprehet që dashuria e ka gjetur të paarmatosur dhe se të vetmet që i kanë mbetur në mend janë sytë e saj. Është tamam kjo poezi ku mund të shohim ngjashmëri tematike mes këtyre dy poetëve, ku dielli (që nganjëherë paralelizohet me perëndinë) paralelizohet edhe me të dashurin. Është tamam kjo poezi ku Petrarka lëshon paralele edhe me antikitetin grek. Kjo është poezia ku Petrarka e krahason veten me Apollonin dhe Laurën me Dafinën. Në bazë të kësaj analogjie dhe këtij paralelizimi merr më shumë kuptim edhe titulli i gjithë këtij vëllimi. Apolloni, perëndia e poezisë dhe e muzikës dhe ky si poet që arrin ta imortalizojë dashurinë për mes kanconës apo këngës. Petrarka arrin ta kthejë në poezi atë që Gian Lorenzo Bernini e bënë me anë të skulpturës.
Dimë që sonetet janë të ndara në të gjallë dhe në të vdekur të Laurës, por ato që tregojnë vdekjen e zonjës janë shumë më të bukura. Për shembull, soneti 292, ku poeti thotë që vdekja e muzës së tij ka bërë që t’i vdesë edhe motivimi për poezinë, ka bërë që arti t’i kthehet në lot.
Gjithsesi duhet përmendur Soneti I, ku te poeti luftojnë ndjenjat e njeriut të ri të Rilindjes Europiane dhe pasionet tokësore me ndjenjat kristiane, që e shtyjnë të pendohet për dëshirat e kësaj bote dhe i bëjnë thirrje të mendojë për jetën e përtejme. Soneti 3 nga ana tjetër tregon se si poeti ka rënë në dashuri në të Premten e Madhe, kur e gjithë bota po mbante zi vdekjen e Krishtit. Kurse soneti 11 përdor referenca nga “Balada e Velit” për t’u ankuar për ashpërsinë e Laurës pasi ajo merr vesh për dashurinë e tij ndaj saj.
Ka edhe sonete ku vërehen ndikimet e poetëve të mëdhenj, si soneti 132, ku citon Danten dhe thotë: të gjitha mendimet e mia më flasin për dashurinë. (“Vita Nuova”,VI).
Kurse soneti më i mirë është soneti 219, ku poeti tregon se si është zgjuar një mëngjes nga zhurma e zogjve dhe e gurgullimës së ujit dhe me shumë trishtim tregon që jeta vazhdon edhe pse Laura është e vdekur.
Pra me pak fjalë edhe sonetet e Petrarkës mund të ndahen në disa kategori si: poezitë për dashurinë e refuzuar, poezitë që tregojnë se dashuria është e ligë, poezitë me referenca biblike dhe antike, poezitë e dashurisë në shikim të parë, lufta e poetit me vetveten dhe poezitë ku Kupidi apo Erosi është armiku më i madh.
Nuk do të ndalemi më shumë te analiza e poezive ngaqë është një pjesë ku Petrarka tregon diçka më shumë për veten dhe poezitë që kishte shkruar. Ndonëse me pak ironi, Petrarka arsyetohet duke shkruar kështu për shkrimet e veta: Mësova nga gramatika, logjika dhe retorika aq sa ma lejonte mosha, ose më mirë aq sa zakonisht mësohet në shkolla: sa pak mund të jetë kjo, ju e dini, të dashur lexues. Kjo do të thotë se ai e heq përgjegjësinë nga vetja për ndonjë gabime logjik duke kritikuar sistemin arsimor.
Sonetet e Shekspirit
Sonetet e Shekspirit janë botuar për herë të parë në 1609 dhe janë të shkruara në pentametër jambik, që do të thotë që secili varg ka dhjetë rrokje të ndara në pesë vargje të shkurta jambike.
Sonetet e Shekspirit njihen me numra, por kritikët modernë thonë që vargu i parë i secilit sonet mund të konsiderohet si titull i gjithë poezisë. Kenneth Muir [1] thotë se datat e sakta të shkrimit të soneteve nuk dihen, e gjitha që dimë është që ato i ka shkruar vetë Shekspiri. Ai vërteton edhe autorësinë e dramave të Shekspirit, duke bërë të ditur që ato të parat kanë qenë më shumë bashkëpunime se sa krejtësisht autoriale.
Gjithsesi, 154 sonetet e Shekspirit mendohet të jenë shkruar diku rreth vitit 1590 dhe 1600. Te këto sonete ne nuk mund ta dimë nëse ai që flet është vetë Shekspiri, apo këtu ka krijuar një un imagjinar, por duke parë që soneti është formë e poezisë lirike, mund të quhen tejet personale, siç ndodh në shumicën e poezive lirike. Gjithashtu nuk e dimë nëse këto janë të gjitha sonetet që ka shkruar Shekspiri, apo ka edhe të tjera.
Sipas studimeve më të hershme, i pari që i botoi sonetet e Shekspirit ishte Thomas Thorpe. Në faqen e parë të këtij botimi, Thorpe shkruan një dedikim (“To the only begetter of these insving sonnets Mr W. H. All happiness and that eternitie promised by ovr everliving poet wisheth the well-wishing adventvrer in sitting forth[2]”, dhe e firmos me “T.T.” pa treguar se kush është “Mr. W. H.”.
Të kthehemi te sonetet. Shtatëmbëdhjetë sonetet e para i dedikohen një djali të ri, me sugjerimin që të martohet dhe të krijojë familje. Kurse sonetet 18 deri në 130 i kushtohen të njëjtit djalë, por këtë herë jo në mënyrë shoqërore. Shumica e soneteve nuk e specifikojnë përemrin. Zakonisht përdoret “thy, thine ose thee”, por përdoret edhe “him, his dhe he is mine”. Thuajse të gjitha sonetet sugjerojnë që këtu bëhet fjalë për një lidhje mes dy burrave që është sa pasionante, ashtu edhe erotike.
Sonetet më të bukura i kushtohen një burri, sidoqoftë ka edhe një personazh tjetër femëror që quhet “Black Mistress”. Këto janë disa nga sonetet më të errëta të këtij vëllimi poetik. Në sonetin 144 folësi i vë bashkë edhe burrin dhe të ashtuquajturën “Black Mistress”, duke iu referuar njërës me “engjëlli i keq” e tjetrit me “engjëlli i mirë”. Soneti tregon konfliktin e folësit dhe poezia përfundon me pesimizmin se “engjëlli i keq” do të fitojë mbi të “mirin”:
Yet this shall I ne’er knoë, but live in doubt
Till my bad angel fire my good one out.
Sonetet mund t’i ndajmë në disa kategori. Sonetet e dashurisë (qoftë për djalin apo dashuri/urrejtjen për vajzën), sonetet erotike, sonetet e vdekjes, sonetet nihiliste dhe të pashpresisë dhe sonetet për poezinë.
Po i lëmë pak anash kategoritë e tjera të soneteve, ngaqë më të bukura janë ato ku brenda soneteve ndërthuret kritika letrare apo një vetëvlerësim për këto sonete. Për shembull, në sonetin 81 (Or I shall live your epitaph to make[3]) ai e ngre poezinë në një nivel tjetër, duke thënë se poezia arrin ta imortalizojë dashurinë. Ky sonet tregon vetëvlerësimin e Shekspirit për sonetet e tij. Me vargjet:
When all the breathers of this world are dead
You shall live (such virtue hath my pen)
Where breath most breathes, even in the mouths of men
Poeti tregon një vlerësim të lartë për poezitë e tij dhe aftësinë e penës së tij për ta imortalizuar të dashurin.
Sonetet tjera si 55, 60, 76, 77, 83, 87, 103, 106 109 komentojnë qasjen e poetit ndaj botës, e barazojnë poezinë me bukurinë ose dashurinë dhe tregojnë një dedikim të Shekspirit për artin. Ndërsa sonetet e dashurisë, që thamë që mund të jenë në adresë të djalit apo të vajzës tregojnë një qasje mjaft kontraverse të poetit.
Kur poeti flet për vajzën e ashtuquajtur “Black Mistress”, ai është pak a shumë i turpëruar dhe i torturuar nga dashuria dhe epshi që ka për të. Edhe në sonetet ku e adhuron, arrin ta fusë ndonjë ofendim të vogël. Për shembull, soneti 130 (My misstress’ eyes are nothing like the sun[4]) ai thotë që asaj i vjen era e gojës, flokët i ka si tela dhe faqet jo të kuqe, por prapë kthehet te dashuria që ndjen për të duke thënë që një dashuri e tillë është e rrallë. Ndërsa te sonetet kushtuar djalit të ri, ai është gjentil dhe i ndjeshëm. Me dhimbje dhe mall e përshkruan humbjen apo largimin e tij. Është “në pranga” para dashurisë dhe epshit që ndjen për këtë njeri dhe është në gjendje të bëjë gjithçka. Në sonetin 18 (Shall I compare thee to a summer’s day[5]) ai e vë dashnorin mbi bukuritë e natyrës. Dashuria e vërtetë për Shekspirin nuk shikohet në kohë, nuk i përgjigjet kohës, disi e kalon kohën.
Të kthehemi edhe një herë te poezi kushtuar “zonjës së zezë” nga që njëherë duket sikur është një parodi e soneteve të Petrarkës. Fiksimi i Petrarkës me vajzën që e kishte parë veç një herë, e bën Shekspirin të parodizojë. Të dashurin e ngre mbi bukuritë e natyrës e mbi përjetësinë, kurse për “zonjën e zezë” thotë se me çkado që e krahason ajo humbet gjithmonë.
Një gjë tjetër e veçantë rreth soneteve është se nganjëherë shkojnë në dyshe. Të tilla raste janë gjashtë. Poezitë që janë të lidhura janë: 46 me 47, 57 me 58, 71 me 72, 111 me 112, 135 me 136 dhe 153 me 154.
Përfundimi
Është e qartë që ngjashmëritë kryesore mes dy poetëve janë himnizimi i dashurisë deri në adhurim, adhurimi që të dy kanë për poezinë dhe ndjenjën e të qenit gjeni, pasi të dy mburren me vargjet që kanë shkruar, qoftë duke e thënë shprehimisht, qoftë duke e krahasuar veten me perëndinë e këngës dhe të poezisë.
Gjithsesi kam edhe një dyshim timin që dua ta shndërroj në çështje letrare. Kritikët tregojnë që në ditën që Petrarka merr vesh për vdekjen e Laurës shkruan këto fjalë në librin e tij të preferuar: Laura, e dalluar për nga virtytet që kishte dhe e kremtuar gjerësisht në poezitë e mia, për herë të parë m’u shfaq kur isha tepër i ri, në vitin 1327 në ditën e gjashtë të prillit, në orën e parë në kishën e Santa Clara në Avignon. Dhe po në të njëjtin qytet, në të njëjtin muaj, në ditën e gjashtë në vitin 1348 kjo dritë u hoq nga dheu, ndërkohë që për fat të keq unë isha në Veronë, injorant dhe në mjerim për fatin tim.
Dua të vë theksin te vendi ku kishte qenë Petrarka pasi ka marrë vesh për vdekjen e Laurës, në Veronë. Pikërisht ky është tamam vendi ku Shekspiri e vë historinë e Romeos dhe Xhulietës, të cilëve u jep një moshë të re dhe një fund tragjik. Rastësi? Mbase po, mbase jo!/Arbresh.info/
Shkruan: Rrona Jaka
Reagon legjenda e Hungarisë pas skenave rrëqethëse ku mbeti ...
Horoskopi ditor, çfarë kanë parashikuar yjet për ju
Sot seminari “Alfabeti Shqip dhe Identiteti Kombëtar”
OKB dënon sulmet e Rusisë ndaj infrastrukturës energjitike t...
Moti sot në Shqipëri
Institucioni i Avokatit të Popullit diskuton sot për shëndet...