Prokuroria e Gjilanit nis hetimin më të madh që nga paslufta, cak ndërtimet e larta

10:52 | 7 Janar 2018
M. A.

Prokuroria Themelore në Gjilan i ndihmuar edhe nga sektori për krime ekonomike dhe korrupsion i krimeve të rënda dhe i mbështetur edhe nga hetues nga Prishtina ka lëshuar tashmë autorizimin për të hetuar të gjitha ndërtimet pa leje të lëshuara nga komuna e Gjilanit.

Cak i këtyre hetimeve janë të gjitha ndërtesat që dyshohet se nuk i kanë plotësuar kriteret urbanistike e në veçanti hetim special do të bëhet rreth ndërtimeve tek ish mulliri i bukës “Kualiteti”. Tashmë veç janë marrë në pyetje disa zyrtar komunal e pritet të merren në pyetje dhe zyrtar të lartë të AKP-së në Prishtinë.

Ankesat e shumta të qytetarëve, peticionet e panumërta që janë dorëzuar kundër ndërtimeve të egra dhe në veçanti kundër destinimit të ish “Kualitetit” kanë ndikuar që Prokuroria Themelore e Gjilanit të ndërmarrë një hetim masiv për të hetuar të gjitha ndërtimet për dhe rreth ish godinës së “Kualitetit”.

Ekspertët gjilanas në fushën e ndërtimtarisë dhe arkitekturës me kohë kanë tërhequr vërejtjen se Gjilani, po shkatërrohet çdo ditë e më shumë, sepse ndërtimet e shumta dhe involvimi i krimit të organizuar dhe krimit të nëntokës i kanë dhënë një pamje të Kandaharit, qytetit që tashmë pretendon se është i nivelit evropian.

Realisht as ndërtuesit e këtyre ndërtesave dhe as zyrtarët që kanë ndihmuar ata të pajisen me leje ndërtimore nuk do të mund të rrinin rehat dhe indiferent ndaj këtyre hetimeve.

Rajonipress merr vesh dhe gjithnjë bazuar në informacionet që dalin nga Sektori për krime Ekonomike dhe korrupsion të Prokurorisë Kosovare, dhe Departamentit për Krime të Rënda pranë Prokurorisë Themelore në Gjilan, e cila edhe ka lëshuar autorizim, janë në hetim e sipër të gjitha ndërtimet pa leje të organeve kompetente dhe ndërtimet për të cilat janë dhënë leje pa plotësimin e kritereve konform standardeve dhe ligjeve në fuqi ose kanë tejkaluar vendimet e organeve kompetente mbi lartësinë e këtyre ndërtesave, e të cilat gjithnjë paraqesin rrezik permanent për qytetaret që jetojnë e veprojnë në qytetin e Gjilani.

Merret vesh, se për këtë shkak, zyrtar të lart kompetent nga Drejtoria komunale e Gjilanit (sektori i urbanizmit dhe inspeksioni), janë në hetim e sipër për shkak të mos kryerjes së detyrës zyrtare konform kompetencave ligjore, të cilët nuk kanë marr masat ligjore për ndalimin ose rrënimin e gjithë atyre ndërtimeve pa leje ose që kane tejkaluar ato.

Burimi saktëson se është dhënë urdhër specifik për hetim të detajizuar të të gjitha ndërtimeve në, e për rreth mullirit (ish godinës së Kualitetit), të privatizuar ( shitur) nga AKP në Prishtinë, të gjitha lejet e lëshuara në kundërshtim me kriteret ligjore dhe tejkalimi i tyre, e cila ka ndodhur në kundërshtim me ligjin, duke ndërruar destinimin dhe tjetërsimin e kësaj pjese të privatizuar.

Gjithashtu është kërkuar hetim edhe në institucionin që ka privatizuar dhe ka qenë i detyruar të mbikëqyr këtë pasuri, mos ndërhyrjen e AKP në rastin konkret e cila është përcaktuar me ligj, dhe nëse ka mund ta tjetërsoj dhe t’ja ndërroj destinimin kësaj pasurie, blerësi, pa lejen e institucionit që ka qenë kompetent në shitjen dhe mbikëqyrjen e tij.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan Jetish Maloku në pyetjet nga Rajonipress, dërguar përmes postës elektronike, i njëjti nuk është përgjigjur, por sipas një burimi të afërt me zyrën e kryeprokurorit në Gjilan, u tha se Departamenti për Krime të Rënda, ka autorizuar hetuesit nga Sektori kompetent i PK për hetimin e të gjitha ndërtimeve të larta në qytet, dhe ato rreth mullirit, me dyshimin se është tejkaluar çdo leje e dhenë apo që nuk është dashtë të lëshohen ato pa plotësimin e kritereve ligjore për ndërtimet e larta dhe nëse ka pasur mundësi t’i ndërrohet destinimi dhe tjetërsimi i gjithë kësaj pjese të qytetit me ndërtime të larta dhe pa lejen e AKP-së në Prishtinë.

Po të njëjtat burime, kanë treguar se në këtë drejtim, veç janë marr në pyetje zyrtar në Gjilan, por edhe zyrtar nga sektori për privatizim dhe mbikëqyrje pranë AKP në Prishtinë.

Maloku nuk është përgjigjur as në pyetjen, nëse ky Departament ka angazhuar edhe hetues nga Sektori për krime ekonomike dhe korrupsion të PK nga Prishtina, me përvojë profesionale dhe ekspertizë ligjore nga kjo lëmi, por burimet tona mësojnë se Prokuroria ka angazhuar pikërisht dhe ekspert dhe hetues jashtë Gjilanit për t`i ikur çfarëdo konflikti apo involvimi, për shkak të peshës që ka ky hetim./rajonipress

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme