Gjoba mijëra eurosh për bizneset që refuzojnë fiskalizimin

10:09 | 7 Janar 2018
M. A.

Procesi i fiskalizimit ka nisur vite më parë edhe për bizneset në Kosovë.

Deri më tani janë fiskalizuar 27 mijë e 681 biznese të llojeve të ndryshme në Kosovë.

Kështu bëjnë të ditur për Arbresh.info nga Administrata Tatimore e Kosovës.

“Nga fillimi i projektit për fiskalizimin e bizneseve e deri sot janë të fiskalizuara 27,681 biznese, këtu janë të përfshira të gjitha llojet e bizneseve”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të ATK-së.

Administrata Tatimore ka sqaruar arsyen se përse bëhet procesi i fiskalizimit.

“Procesi i fiskalizimit është proces permanent,  i cili ndërlidhet me paraqitjen e bizneseve të reja në treg, regjistrimin e tyre,  si dhe daljen nga tregu të atyre ekzistueseve, ndërprerjen e veprimtarisë apo heqjen dorë nga mënyra e shitjes me para të gatshme. Prandaj nuk mund te bëjmë ndonjë grupim se sa është numri i bizneseve të pafiskalizuara, sigurisht që mund të ketë biznese të cilat nuk e kam kryer këtë obligim, mirëpo ju sigurojmë së mundësi që nuk është ndëshkuar me gjoba për shkeljen e bërë”, kanë thënë ata.

Sipas ATK-së bizneset të cilat nuk i binden kërkesave të pajisen me arkë fiskale do të gjobitën në bazë të ligjit në vlerë prej 1 mijë eurove.

 “Ne raste se bizneset nuk i binden kërkesës, atëherë sigurisht se vendosen gjoba konform ligjit 03/L-222 përkatësisht- nenit 57-Ndëshkimi Administrativ për mos përdorim të pajisjeve Elektronike Fiskale, vlera e gjobës për mos pajisje me arkë fiskale është 1000 euro”, thuhet në përgjigjen e tyre

ATK po ashtu ka paralajmëruar këto biznese që të kryejnë obligimin e tyre.

“Në kuadër të aktiviteteve dhe vizitave të përditshme të inspektoreve në teren bazuar në planet e veprimit dhe planin e trajtimit të rreziqeve, ATK paralajmëron me kohë bizneset për obligimin që kanë të fiskalizohen sipas Ligjit për Administratën dhe Procedurat”,  thuhet në përgjigje.

Numri i përgjithshëm i Pajisjeve Fiskale të cilat janë instaluar tek bizneset deri tash është 36 mijë e 340 sosh./R.Rexhepi/Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme