Google ADS

Debati për Gjykatën Speciale vendos në rrezik të ardhmen e Kosovës

21:07 | 5 Janar 2018
Trina Galanxhi

Vendet e BE-së dhe SHBA-të kanë paralajmëruar Kosovën për “pasojat e mëdha  dhe të mundshme” nëse ligji për Gjykatën Speciale shfuqizohet.

“Ne i bëjmë thirrje liderëve të Kosovës, që të ngrejnë zërin kundër kësaj iniciative dhe sinqerisht informojnë qytetarët e Kosovës për pasojat negative të mundshme, përfshirë edhe integrimin Euro-Atlantik”, kanë deklaruar Franca, Gjermania, Italia, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, transmeton portali arbresh.info

BE-ja krijoi institucionin Gjyqësor Specialist të Kosovës në Hagë, për të trajtuar akuzat mbi anëtarët e lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që pretendohen se ishin të përfshirë në marrjen dhe shitjen e organeve të të burgosurve serbë gjatë luftës së Kosovës me 1998-1999.

Gjykata filloi punën në fillim të vitit 2017 dhe së shpejti do të lëshojë paditë e para.

Partia qeverisëse e AAK-së, e kryeministrit Ramush Haradinaj, është përpjekur që të përmbysë ligjin, megjithatë ai nuk mori votat e mjaftueshme.

Megjithatë, BE-ja dhe SHBA-të frikësohen se AAK do të rinovojë iniciativën në janar.

Haradinaj në një konferencë shtypi gjatë vizitës në Gjakovë ka deklaruar se “kam qenë kundërshtar i Gjykatës edhe kur kam qenë në opozitë, jam kundër edhe tani”.

Vëllau i tij, Daut Haradinaj, shkoi edhe më tej, duke thënë se “arrestimi i parë për Gjykatën Speciale” do të “aktivizojë” ish ushtarët e UÇK-së.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjithashtu u bashkua me nismën e dhjetorit.

Daut Haradinaj dhe Hashim Thaçi, të cilët janë të dy ish komandantë të UÇK-së, pritet të përballen me akuzat e Gjykatës Speciale.

Mosmarrëveshja për Gjykatën Speciale hap një linjë të tretë konfrontimi mes Kosovës dhe BE-së.

Një tjetër mosmarrëveshje është edhe krijimi i Asosacionit të ri të Komunave Serbe, për të cilën Ramush Haradinaj tha se “është kundër”.

BE-ja ka premtuar që një ditë të marrë “në gjirin” e saj edhe Kosovën, edhe pse pesë shtete anëtare të saj nuk e kanë njohur ende pavarsinë e saj.  Gjithashtu, blloku ka premtuar liberalizimin e viziave për qytetarët e Kosovës.

Por e tëra është kushtëzuar me zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme dhe atyre të krijuara së fundmi, gjithashtu edhe me reformat e kërkuara nga blloku.

“Udhëheqësit e Kosovës duhet të bëjnë gjithçka që është e mundur për të përmbushur kërkesat e fundit për liberalizimin e vizave dhe nuk duhet të mbajnë peng njerëzit e tyre,” tha Nataliya Apostolova, e dërguara e BE-së në Kosovë, me 29 dhjetor, duke iu referuar Demarkacionit me Malin e Zi.

Gjatë luftës në Kosovë kanë vdekur 13 mijë persona, 12 mijë shqiptarë. Edhe pse kanë kaluar 20 vite që nga përfundimi i luftës, rreth 1,700 njerëz janë ende të zhdukur./arbresh.info/

Të ngjashme