Mori dhjetëra kërkesa për inventar shkollor dhe ndihma tjera nga Gjermania për objektet arsimore. Por, kërkoi mbi 400 euro kesh që të kthehet në shtetin gjerman, për t’ua sjellë ato.
Ky është rrëfimi i zyrtarit të drejtorisë së Arsimit në Gjilan, Njazi Shabani, për Sherif Ademin, mashtruesin që u paraqit si zyrtar i GIZ-it gjerman, që do t’u dalë në ndihmë për nevojat e shkollave të komunës. Në fakt doli të jetë një hajdut.
Njazi Shabani, zyrtar në Drejtorinë e Arsimit në Gjilan, ishte përcaktuar nga kjo Drejtori që ta shoqërojë një të ri në 7 objekte shkollore të kësaj komune. Sherif Ademi, rreth 25 vjeç, ishte prezantuar në Komunë të Gjilanit si i deleguar i GIZ-it gjerman për të marrë kërkesat e Drejtorisë së arsimit për nevojat e shkollave në këtë komunë.
Shabani i kishte besuar paraqitjes së të riut. Madje i ishte dukur shumë zotëri, i shkolluar dhe i arritur. Por, pas një jave e kuptoi se ishte e kundërta. Sherif Ademi po dyshohet se ishte mashtrues dhe e kishte vjedhur atë. Për, këtë, ky i fundit, u arrestua të enjten dhe është në ndalim policor.
“Më 28 dhjetor ka ardhë këtu, i ka marrë kërkesat tona për shtatë shkolla. I kemi vizitu bashkë, ka fotografu gjendjen e tyre. Është prezantu si përfaqësues i GIZ-it, i bazës në Gjermani, jo në Kosovë”, i rrëfeu ai Gazetës Express për kontaktin më mashtruesin e ri. Ai thotë se djaloshi që u tha se me prejardhje është nga Ferizaj, u ka premtuar se brenda pak kohëve, shteti gjerman, përmes tij do t’ua dhurojë të gjitha kërkesat e tyre në formë ndihme. Bëhej fjalë për inventar dhe investime tjera. Por, “zyrtari kosovar i GIZ-it në Gjermani”, pas dy ditësh, në një takim me Njazi Shabanin, i kërkoi atij të holla.
“Më tha se i kam humbur të gjitha gjërat, paratë dhe dokumentet”, tregon ai për bisedën që kishte pasur me të riun, një natë para Vitit të Ri. “M’i ka kërku 200 euro. Me arsyetimin që i ka për biletë, për me shku në Gjermani dhe m’u kthy me ndihma”, rrëfen zyrtari i drejtorisë së Arsimit në Gjilan.
“Ia kam dhanë. Më pas ka bisedu me dikon në telefon, dhe më ka thënë që i duhen edhe 200 tjera, pasi gjoja bileta kushton 400 euro”, tregon ai.
Njazi Shabani thotë se përveç 400 eurove për bileta, ia ka dhënë edhe 30 euro tjera për shpenzime ditore, duke besuar se i riu që iu prezantua si zyrtar i GIZ-it do t’ia kthente pas një jave, kur të kthehej në Kosovë bashkë me ndihma për objektet shkollore. Mirëpo, ai të enjten kur u takua me drejtorin e njërës prej shkollave, që bashkë me të dyshuarin Sherif Ademi e vizituan gjatë javës së shkuar, kuptoi se diçka nuk po shkonte.
Drejtori njërës shkollë, Ajvaz Beqiri, i kishte treguar Shabanit se i njëjti person i kishte marrë edhe atij 50 euro, të mërkurën, më 3 janar. “E pashë se diçka nuk shkonte. Ai mua më kishte thënë se do të kthehej të shtunën nga Gjermania. Pra për nesër”, tregon Njazi Shabani. Ai thotë se kur Beqiri i tregoi atij të njëjtën histori lindën dyshimet për dallavere. Ndaj edhe vendosën që të shkonin në Polici.
Policia e arrestoi të enjten në Gjilan të dyshuarin Sherif Ademi për “mashtrim”. Rastin, PK-ja e bëri të ditur përmes raportit 24 orësh.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar, i cili është prezantuar rrejshëm si përfaqësues i një organizate joqeveritare me ç’rast ka mashtruar zyrtar nga Drejtoria Komunale e Arsimit – Gjilan. I dyshuari ka arritur që përmes mashtrimit të përvetësoj në dy raste të ndara një shumë parash prej 480 €”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Viktima Njazi Shabani tha pse paratë në fjalë ishin nga xhepi i tij, 430 euro, ndërsa 50 tjerat ia kishte dhënë drejtori i njërës shkollë në Gjilan, Ajvaz Beqiri, e jo para të Drejtorisë së Arsimit. Ai gjatë bisedës ishte shumë i shqetësuar nga ajo që i ka ndodhur, dhe i zhgënjyer që në vitet e fundit të punës, para pensionimit, pati një përvojë kaq zhgënjyese për të.
Express ka provuar të bisedojë edhe me Ajvaz Beqirin, po nuk ka arritur. As nga Prokuroria Themelore të Gjilanit nuk është arritur të merret ndonjë informacion rreth hetimit, me arsyetimin se janë të zënë. I dyshuari është bërë e ditur se është dërguar në mbajtje.
Gazeta Express ka marrë vesh me burime se i dyshuari u kishte premtuar drejtorëve të shkollave dhe zyrtarit Njazi Shabani që do t’i pajiste me viza gjermane, për të udhëtuar 10 ditë në Gjermani për të marrë përvoja nga atje. Sipas deklaratave të denoncueseve, merr vesh Express-i, shpenzimet për aplikim për viza, i dyshuari u kishte thënë se do të duheshin t’i hiqnin vetë, por duke ia dhënë të hollat atij.
Krasniqi-kreut të SBASHK’ut: Sfidave të mësimdhënësve iu vje...
Të hënën mblidhet Kryesia e Kuvendit
Prokuroria në Prishtinë ngriti 121 aktakuza ndaj 126 persona...
Era e fortë shkakton dëme në Durrës, palma bie në mes të tro...
Parandalohet edhe një rast i kontrabandës me mallra
Vengu në Pentagon: Biseduam për financimin e kapaciteteve të...