Qyteti i Shenjtë i Jerusalemit ka qenë zotërim i shqiptarëve nga viti 1831 deri në vitin 1840.
Sulltani i perandorisë që shtrihej në tre kontinente, asaj Otomane, Mahmudi II, ndonëse me masakrën e 10 qershorit të vitit 1826 mendoi se do t’i jepte fund pushtetit të jeniçerëve, ku shqiptarët kishin pozitat sunduese, nuk mund ta parashikonte dot se një ditë, tetë vjet më pas, shqiptarët do të ishin përsëri kërcënimi më serioz i fronit dhe se po të mos i kishte ndalur Evropa, ushtria e Mehmet Aliut, këtij ushtari shqiptar, do të ishte futur triumfuese në Stamboll.
Mehmet Aliu kishte kohë që u ishte larguar frikshëm ekspeditave ushtarake në Arabi e Greqi dhe arritjes së fitoreve për llogari të sulltan Selimit e Mahmudit II. Ekspeditën në Palestinë e Siri e filloi për llogari të tij. Trupat ushtarake të Mehmet Aliut përbëheshin nga shqiptarë.
Mehmeti e pushtoi Palestinën dhe Sirinë me lehtësi. Rezistenca e vetme iu bë në qytetin port të Akrës, që përfundimisht u dorëzua më 27 maj të vitit 1832. Jerusalemi ishte pushtuar që në dhjetor të vitit 1831.
Pas rënies së Akrës, ushtria e Mehmet Aliut marshoi drejt Anadollit.
“Zaptimi shqiptar 1830-40” quhet kreu 36 i pjesës së tetë, “Perandoria”, e jetëshkrimit “Jerusalemi”, ku historiani Simon Sebag Montefiore përshkruan hyrjen e shqiptarëve në qytetin e shenjtë. “…ushtria marshoi përmes qytetit si jerusalemas ‘të lumtur dhe të kënaqur’, duke festuar plot drita, kërcim dhe muzikë në rrugë. Për pesë ditë, myslimanët, grekët, françeskanët, armenët e madje edhe hebrenjtë qenë në qejf”.
Po pse u gëzuan kaq shumë banorët e qytetit nga ardhja e shqiptarëve? Kishte më se 30 vjet që Jerusalemi shtypej nga Abdullah Pasha, nipi i “Kasapit” me emrin Mustafa Krimineli dhe Haim Fahri.
Me Ibrahimin si guvernator në Siri dhe Izrael, zotërimet që u përkisnin shqiptarëve morën formën e një perandorie. Ai i tronditi myslimanët e Jerusalemit kur zëvendësoi uljen në shiltetë e jastëkët me karrigen evropiane, por sidomos me pirjen e verës hapur nga ai vetë dhe kushdo tjetër, që tani ishte lejuar. Biri i Mehmetit, që kish fituar nofkën “Kuqua” për shkak të mjekrës së tij të kuqërremtë, sa kohë ndenji në Jerusalem u kujdes të vendoste barazi para ligjit për tërë racat. Ai lehtësoi shtypjen e hebrenjve e të krishterëve: ata mund të kalëronin rrugëve dhe të vishnin tesha që vishnin edhe myslimanët, si dhe nuk duhej ta paguanin më taksën jizaya.
Ibrahimi ftoi evropianët të vendosnin konsullatat në Jerusalem dhe për të parën herë që nga kryqëzatat, lejoi të binin kambanat e kishës.
Më 1838, Mehmet Aliu njoftoi Britaninë dhe Francën se ai do të shpallte pavarësinë e Egjiptit, Sirisë dhe Palestinës nga Perandoria Osmane. Franca e përkrahte, por ishte Britania ajo që vendoste. Asaj i prishej status quo-ja e Perandorisë Osmane. Rusia kishte synimet e saj, në kuadër të Perandorisë Ruse. Në Stamboll, komandanti turk, Hafiz Pasha, e siguroi sulltanin Mahmud II se ai ishte në gjendje të mundte ushtrinë “egjiptiane” të shqiptarëve.
Fuqitë evropiane dhe Qeveria britanike ndërhynë energjikisht, duke rënë dakord me Austrinë, Prusinë dhe Rusinë të nënshkruajnë Konventën e Londrës. Konventa i afronte Mehmet Aliut sundimin e trashëguar të Egjiptit, si pjesë e Perandorisë Osmane, si detyrim për t’u tërhequr nga Siria, Jerusalemi, rajonet bregdetare e malin e Libanit.
Mehmet Aliu fillimisht ngurroi, duke besuar se kishte mbështetjen e Francës, gjë që i kushtoi shumë se mbështetja franceze nuk arriti kurrë ndërsa forcat detare britanike lëvizën kundër Sirisë, Jerusalemit dhe Aleksandrisë. Mehmeti ra dakord me kushtet e Konventës. Më 27 nëntor 1840 shqiptarët ishin larguar nga Jerusalemi e Palestina, toka që britanikët i mbajtën pas kësaj nën diktatin e tyre deri në fund të Luftës së Dytë Botërore./gazeta liria/
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së miratoi projekte të rëndësishme ...
Suplementet që nuk duhet t’i merrni kurrë së bashku, sipas e...
Xheneta ia shqyen tekstin e këngës që Gjesti shkroi gjatë që...
Biden do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të zgje...
Spektakël në ndeshjet e sotme në Ligën e Kampionëve, shënohe...
Shtohen infeksionet respiratore në Shqipëri, Pediatria e mbu...