Iniciativa për shfuqizimin e Ligjit, reagon Gjykata Speciale

14:09 | 4 Janar 2018
L G

Iniciativa për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale e ndërmarr në mbrëmjen e 22 dhjetorit të vitit të kaluar nga tre krerët kryesorë të shtetit, nuk i bën përshtypje aspak zyrtarëve të kësaj gjykate.

Presidenti Hashim Thaçi, kryeparlamentari Kadri Veseli dhe kryeministri Ramush Haradinaj kishin tentuar mbledhjen e nënshkrimeve të deputetëve për ta vënë në rend dite të seancës së Kuvendit, shfuqizimin e Gjykatës Speciale të miratuar nga vetë deputetët e Kosovës, shkruan Arbresh.info.
Kjo tentativë e udhëheqësve shtetëror ngjalli reagimet e zyrtarëve më të lartë të huaj në Kosovë, duke përfshirë këtu ambasadorin amerikan Greg Delawie dhe atë britanik, Ruairi O’Conoll.

Delawie madje pati thënë se nëse Kosova e merr këtë hap sipas tij, të rrezikshëm, Kosova do të kthehej shumë vjet prapa.

Mirëpo, i gjithë ky zhvillim nuk ka ngjallur aspak reagimin e vetë zyrtarëve të Gjykatës Speciale.

Në një përgjigje për Arbresh.info, Zyra për Informim e Gjykatës Speciale ka thënë se nuk duan ta komentojnë këtë çështje.
Ata kanë deklaruar se janë të fokusuar në funksionalizimin e kësaj Gjykate.

“Dhomat e Posaçme të Kosovës janë të fokusuara në zbatimin e mandatit të saj në pajtim me Ligjin e miratuar mbi Dhomat e Specializuara dhe Prokurorinë e Specializuar dhe Amendamentin Kushtetues. Ne nuk kemi asnjë koment në lidhje me zhvillimet politike”, thuhet në përgjigje.
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka folur për tentimin e shfuqizimit të Ligjit për Gjykatën Speciale, duke thënë se ende e mendon atë që e ka menduar më 2015 se Gjykata Speciale është një padrejtësi ndaj Kosovës dhe luftës së UÇK-së.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka theksuar se vendimi për themelimin e Gjykatës Speciale ka qenë si rezultat i detyrimit ndërkombëtar dhe zotimit të BE-së se me këtë lëvizje Kosova lëviz drejt formimit të ushtrisë, heqjes së vizave, dhe se do të anëtarësohej në UNESCO dhe do të ndodhte aplikimi në Këshillin e Evropës.

Ndërkohë, deputeti i VV-së, Rexhep Selimi ka deklaruar për mediat vendore se Lëvizja Vetëvendosje do ta përkrah mocionin për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.
E shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se Kosova nuk guxon të eksperimenton dhe të cenoj miqësitë që ka me shtetet që e bënë të mundur realizimin e ëndrrave për liri e pavarësi./Gita Lushi/Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme