Në Klinikën Emergjente të QKUK-së, gjatë tri netëve festive të Vitit të Ri kanë kërkuar ndihmë emergjente 746 persona.
Kështu ka bërë të ditur për arbresh.info Basri Lenjani, drejtor i Emergjencës në QKUK.
Ai ka thënë se nga 746 raste, 147 ishin të lënduar në aksidente në komunikacion, mbi 70 pranime në klinikat gjegjëse sipas natyrës së punës, dy me armë zjarri ku njëri prej tyre ka ndërruar jetë për shkak lëndimeve serioze dhe një i vdekur në aksident në komunikacion.
Sipas tij, rastet e tjera kanë qenë të natyrës intensitike 75 për qind prej tyre dhe 25 për qind i takojnë gjendjeve aksidentale.
“Shërbimet emergjente janë mbuluar me numër të madh të rasteve emergjente qoftë nga sëmundjet dhe lëndimet edhe shpenzimi i kapaciteteve është qind për qind përkundër kësaj ekipet emergjente në Qendrën Klinike Universitare me ato kapacitetet kanë ofruar ndihmë emergjente për gjithë qytetarët por ende vazhdon ai sistemi i referimit që është një pikë jo aq e rregulluar në nivel vendi dhe kërkojmë që në këtë vit sistemi i referimit të jetë një pikë e cila do të rregulloj tri nivelet e organizimit të sistemit shëndëtësor”, ka thënë Lenjani.
Ai ka shtuar se fatkeqësisht ka rritje të numrit të aksidenteve në komunikacion përkundër apeleve të vazhdueshme të Policisë së Kosovës për të pasur kujdes në trafik.
I pyetur se sa raste janë lajmëruar nga lëndimet që kanë pësuar si pasojë e përdorimit të mjeteve piroteknike në këto ditë festive, Lenjani ka bërë të ditur se këto raste janë ulur ndjeshëm në krahasim me vitet paraprake.
“Sa i përket mjeteve eksplozive kemi 22 raste, një prej tyre është pranuar në Kirurgji Plastike për shkak të lëndimeve të ekstremiteteve të sipërme ndërsa kemi një lëndim qorrazi për shkak se i aksidentuari ka kaluar pa ndonjë pasojë. Ka qenë një plumb qorrazi që nuk e dimë nga kush ka ardhur, mbeten organet e drejtësisë ta hetojnë”, është shprehur Lenjani.
Sipas tij, nga 160 raste të lëndimeve të kësaj natyre gjatë vitit 2010, ky numër ka rënë në 22 gjatë ndërrimit të moteve nga 2017 në 2018.
Ndërkohë, edhe Policia e Kosovës ka dalë me një komunikatë për gjendjen në vend gjatë netëve festive të Vitit të Ri.
Policia ka bërë të ditur se ka evidentuar tri raste të lëndimeve që dyshohet të jenë lëndime nga plumbat bredhës nga ajri, dy raste dëmtim prone dhe një rast incident zjarri si pasojë e përdorimit të mjeteve piroteknike.
Po ashtu, sipas Policisë kanë ndodhur edhe raste të lëndimeve të natyrave të ndryshme nga përdorimi joadekuat i mjeteve piroteknike, raste të cilat janë trajtuar nga aspekti mjekësor në Qendrat e Mjekësisë Familjare, Spitalet Rajonale dhe në QKUK./R.Rexhepi/arbresh.info/
Nisin punimet për ndërtimin e stadiumit të parë të atletikës...
Jude: Është një goditje e madhe kur një lojtar si Vini lëndo...
Zelensky: Dy civilë u vranë në Sumy nga një sulm rus
Muja: Opozita bën propagandë ndaj Qeverisë Kurti për kontrat...
Netanyahu i kërkon kabinetit të tij ta pranojë marrëveshjen ...
Abdixhiku falënderon qytetarët për mbështetjen: Prezenca jua...