Google ADS

Fati i VV-së dhe partisë së Molliqajt varet nga Shpendi me grup

00:59 | 3 Janar 2018
Trina Galanxhi

Dorëheqja e Visar Ymerit nga pozita e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje (VV), sipas analistëve do të përcillet nga një seri dorëheqjesh të figurave me peshë brenda kësaj lëvizje, të cilat mund të rezultojnë me ndarjen e partisë.

Analistët vlerësojnë se kriza e krijuar brenda VV-së, mund të shpërthejë me krijimin e një subjekti të ri politik, nga ana e të pakënaqurve në këtë subjekt politik.

Publicisti Astrit Gashi, ka thënë për Telegrafin se ndarja e VV-së, ose e një grupi nga ajo, është e pashmangshme, duke shtuar se pikëpyetja është vetëm se sa e gjerë dhe e thellë do të jetë kjo ndarje.

Sipas tij, pyetja bazë është nëse do t’i bashkohet dhe kur këtij grupi Shpend Ahmeti.

“Lëvizja e tij do të thotë shumë. Qëndrimi i tij në VV e bënë atë kryetar pas 4 vitesh dhe e shpëton partinë nga dalja e të paktën 4 zyrtarëve të tjerë me peshë, por më shumë se kaq mban edhe fuqinë e VV-së në të ardhmen. Dalja e tij në partinë e re socialdemokrate që do ta ndërtojnë Molliqaj, Ymeri dhe disa të tjerë nga qendra, por edhe aktivistë tjerë, do të nënkuptojë jo vetëm pozitën e liderit për Shpendin, por edhe qëndrimin në Kuvend të subjektit të ri”, ka shtuar Gashi.

Ndërsa, Arton Demhasaj nga “Çohu”, ka theksuar se dorëheqja e Ymerit, përveç pakënaqësive tjera, lidhet edhe me kandaturën e themeluesit të VV-së, Albin Kurti për pozitën e kreut të kësaj lëvizje.

Demahasaj ka thënë për Telegrafin se është paralajmëruar nga vetë Ymeri se do të tentohet të gjendet një kompromis i brendshëm, si mënyrë për tejkalimin e ndasive dhe pakënaqësive brenda VV-së, por që kandidimi i Albin Kurtit për shef të lëvizjes do ta pengonte arritjen e këtij konsensusi.

“Kjo që ndodhi sot, mund të jetë sinjal se VV po rrezikon të shkojë drejt ndarjes. Ardhja e Kurtit në krye të VV-së, i rrit gjasat që disa prej eksponentëve të VV-së, të dalin nga ky subjekt. Sepse, nëse ata janë brenda do të humb fuqia e tyre politike dhe nuk do të dëgjohet zëri i tyre, kështu që ata ose do të formojnë një parti të re politike ose do të bëhen pjesë e ndonjërit prej subjekteve aktuale politike”, ka thënë Demhasaj.

Derisa ish – anëtari i VV-së, Arben Gecaj, duke i komentuar zhvillimet e fundit brenda ish – partisë së tij, ka thënë se ata të cilët deshën të bëjnë bashkimin e kombit, emancipimin e popullatës si dhe të instalojnë drejtësi e gjyqësor, zhvillim e prosperitet, jetë tjetër për fëmijë, të rinjtë e pleq, po shpërthejnë me akuza.

Ai në profilin e tij në Facebook ka shkruar se po i përmend vetëm disa që po i shohim në orën fundit; pabesi, linçim, diktaturë, hajni, shantazh, etiketim, degradim.

“Pra këto janë epitete për njeri tjetrin, jo për tjerët”, ka shtuar Gecaj. / Telegrafi

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme