Kampioni i pesëfishtë në garat mbarëkombëtare në karate, Arsim Qiriqi ka rrëfyer në një intervistë për portalin Arbresh.info trajektoren e tij deri te suksesi.
Pas 75 medaljeve, 38 prej tyre të arta, 21 të argjendta dhe 16 të bronzta, kampioni mbarëshqiptar ka folur për hapat e parë në karate e deri te profesioni i tij i ri si trajner personal.
Arbresh.info: Pse zgjodhe Sportin e Karatesë dhe në cilën moshë ke filluar të merresh me të?
Qeriqi: Karateja është art, unë në moshën 13 vjeçare fillova ta provoj karaten i shtyrë kuptohet si shumë fëmijë të tjerë nga ndikimi i filmave, por me këtë sport u mishërova shumë lehtë e shpejtë. Karriera ime filloi të pasurohet shpejtë falë trajnerit tim dhe përkrahjes së të afërmve dhe miqve të mi. Në garat e shumta, brenda dhe jashtë vendit, deri më sot ia kam dalë të marr 75 medalje në të cilat 38 janë të arta, 21 të argjendta dhe 16 të bronzta. Po ashtu kam arritur të jem pesë herë kampion mbarëshqiptar. Të gjitha këto vite që merrem me karate kam qenë çdo here anëtarë i përfaqësues se Kosovës gjithashtu dhe sportist i vitit 2016 në komunën e Fushe Kosovës.
Arbresh.info: Dueli dhe gara më e vështirë?
Qeriqi: Garat më të sfiduese që kam marrë pjesë janë ato jashtë vendit dhe aty jam përball me garues të nivelit botëror një ndër to ka qenë Premierë Liga në Paris “Paris Open“ të cilën e kujtoj çdo herë, jo vetëm pjesëmarrjen në ketë garë por të gjithë përgatitjen para se të isha pjesëmarrës. Vërtetë ishte e vështirë që të arrinim deri tek medalja, por megjithatë arrita ta fitoj një xhiro.
Arbresh.info: Përveç formës fizike, cilat janë përparësitë e karatesë dhe të sportit në përgjithësi ?
Qeriqi: Nuk bëhet fjalë vetëm për aktivitet fizik apo për art luftarak por për një filozofi të mirëfilltë. Karateja është sport që duhet respektuar dhe ndjekur një disiplinë të veçantë. Përvoja e gjatë me sportin por edhe dituria që kam fituar në shkollë, më kanë vetëdijesuar që sporti ka përfitime të shumta në shoqëri si për shembull aspektet e garës, mirëmbajtjes së formës së mirë fizike, dimensionit estetik apo dobitë shëndetësore. Unë besoj në rëndësinë e madhe që ka sporti jo vetëm në mbajtjen e një shoqërie të shëndetshme dhe të lumtur, por edhe ne pajisjen e te rinjve me aftësi e shprehi qe do i bëjnë edhe me te suksesshëm në jetë e do i bëj motorë të zhvillimit të kombit tonë. Falë përvojës sportive të rinjtë pajisen me shprehi të disiplinës, durimit, këmbënguljes dhe fitojnë edhe etikën e punës, sporti i pajis ata me kurajo, me besim në vetëvete, me shpirt iniciative, me aftësi për të menaxhuar kohën si dhe me shpirtin e ekipit. Sportistët kanë zotësinë për të mbajtur një objektiv të qartë para tyre dhe e kuptojnë që fitorja vjen vetëm nëpërmjet punës së palodhur. Të gjitha këto janë shprehi, shkathtësi që kultivojnë një karakter e personalitet të njerëzve të suksesshëm. Pra, sporti do i bënë të rinjtë tanë profesionistë më të zotë, punëtorë më efikas, liderë më të realizuar dhe sipërmarrës më të suksesshëm.
Arbresh.info: Situata e sportit në Kosovë, ka qenë pengesë edhe për ty?
Qeriqi: Një tjetër sfidë kuptohet ka qenë izolimi me të cilët jam ballafaquar jo vetëm unë por edhe shumë sportistë të tjerë. Shpesh e kam pasur të vështirë të marr pjesë në gara të rëndësishme për mungesë të vizës apo pamundësi të udhëtimit çka na ka vënë në një pozitë të dizavantazhuar krahasuar me sportistë të vendeve të tjera. Megjithatë unë jam optimist se këto pengesa do të kapërcehen dhe në një të ardhme jo të largët edhe ne do të jemi në pozita të njëjta me kolegët e vendeve të tjera.
Arbresh.info: Jeni edhe trajner personal, si shkon puna me klientë?
Qeriqi: Në këtë aspekt unë përpiqem që të jap kontributin tim modest , jo vetëm si garues por edhe si trajner personal duke dhënë instruksione të personalizuara për individët që janë duke u angazhuar me sport. Si trajner personal, unë besoj se është shumë e rëndësishme që qytetarët të marrin udhëzime profesionale të mbështetura në ekspertizë e në rezultatet e studimeve të fundit e mos të bien pre e amatorëve që nuk kanë prekur një libër sporti me dorë gjatë gjithë jetës. Në mungesë të kujdesit profesional këta qytetarë stërviten në mënyrë jo efikase, nuk arrijnë rezultatet që dëshirojnë e ndonjëherë edhe iu shkaktohen probleme fizike. Prandaj e shoh me shumë rëndësi përfshirjen time dhe të kolege të tjerë që kanë mbaruar të njëjtin fakultet me mua, në përkujdesjen e sportistëve të rinj apo individëve të tjerë që fillojnë të ushtrojnë, në mënyrë që këta të fundit të marrin këshilla e instruksione sa më të kualifikuara e profesionale. /A.Namani/arbresh.info
Pronari i një restoranti në Vushtrri kapet në flagrancë duke...
Shërbimi Korrektues nesër mban Maratonën “Vrapimi i Nd...
Përkeqësimi i motit sjell probleme me energjinë dhe rrugë të...
“Mbaje përgjegjësinë”, Sara e rreptë me Drilonin – por pse?
Dardan Berisha: Kosova ndaj Irlandës do ta tregojë fytyrën e...
Njëmbëdhjetë persona të vrarë nga sulmet e Izraelit në Bejru...