Google ADS

Pritet përkeqësimi i Kosovës në PISA

20:02 | 1 Janar 2018
L G

Nuk pritet që Kosova të tregojë sukses të rezultateve të testit PISA 2018 pasi që për të pasur një rezultat të mirë duhet që të punohet në mënyrë afatgjate.
Kështu janë shprehur ekspertë të fushës së arsimit të cilët janë shumë skeptikë se Kosova do të tregoj sukses në këtë test ndërkombëtar në të ardhmen.
Njohësi i çështjeve të arsimit Dukagjin Popovci për arbresh.info ka thënë se testi i PISA-s pasqyron gjendjen e sistemit arsimor në Kosovë duke i dhënë mundësinë që të krahasohet me shtetet tjera.
“Rezultati i testit PISA pasqyron gjendjen në sistemin e arsimit në Kosovë dhe jep mundësinë për krahasim me shtetet tjera”, ka thënë Popovci.
Sipas tij që Kosova të ketë rezultate të mira në këtë vlerësim ndërkombëtar, e gjitha varet nga puna që bëhet në sistemin e arsimit për një periudhë më të gjatë dhe jo si rezultat i ndërhyrjeve afatshkurta.
“Nuk është ky test për të cilin mund të përgatitesh për 2 ose 3 muaj a vjet. Rezultati varet nga puna që bëhet në sistemin e arsimit për një periudhë më të gjatë dhe nuk mund të ndryshojë si rezultat i ndërhyrjeve afatshkurtra. Në fakt, mund të ketë përmirësime të vogla për shkak të ndërgjegjësimit të nxënësve për të qenë më të kujdesshëm gjatë punës, por ky nuk është ai ndryshimi i dëshiruar”, ka thënë ai.
Sa i përket cilësisë së arsimit Popovci ka thënë se janë bërë plane të cilat mund të japin rezultate vetëm nëse përkthehen në veprime konkrete.
“Në tri vitet e fundit është folur shumë për cilësinë e arsimit dhe janë bërë plane të cilat mund të japin rezultate në të ardhmen, nëse përkthehen në veprime konkrete. Në dhjetorin e vitit 2016 është aprovuar nga Qeveria Plani Strategjik i Arsimit në Kosovë 2017-2021, i cili është mjaft gjithëpërfshirës dhe parasheh masat që duhet të ndërmerren për përmirësimin e cilësisë, ku bëjnë pjesë: përmirësimi i infrastrukturës shkollore, përdorimi i shtuar i teknologjisë së informacionit, ndryshimi i kurrikulave dhe i teksteve mësimore, shtimi i besueshmërisë së testeve kombëtare, licencimi i mësimdhënësve, vlerësimi i performancës së shkollës, e kështu me radhë”, ka thënë Popovci.
Ndërsa Halim Hyseni në një përgjigje për Arbresh.info ka thënë se nuk sheh ndonjë përmirësim në rezultatet e testit PISA por sipas tij do të ndodh e kundërta ku do të ketë përkeqësim të rezultateve.
“Jo edhe pse e ardhmja është enigmë, bazuar në atë që po ndodh në kontekstin e përgjithshëm të arsimit të Kosovës, do të ngjanë e kundërta do te ketë përkeqësim të rezultateve”, ka thënë Hyseni.
Hyseni ka cekur një numër të arsyeve se pse përqindja e analfabetëve do të rritet edhe më shumë krahasuar me programin e PISA-s të vitit 2015.
“Në programin PISA 2015, përqindja e analfabetëve funksionale ka qenë 78%, unë bazuar në politikat e gabuara arsimore të Qeverisë Mustafa , si dhe të hapave të ndërmarra të Qeverisë së tashme të bëra publike që lidhen me “Mësimin gjithë-ditor”, e mos publikimin e konkurseve për tekstet e reja mësimore, insistimin kryeneç për vazhdimin e zbatimit të Kornizës së Kurrikulës së rishikuar, pa përcjelljen e avancuar të zbatimit të saj, improvizimet me gjoja vlerësimin e performancës së personelit mësimdhënësve arsimit të Kosovës do t’i shkaktojnë plagë të rënda duke i shndërruar fëmijët, nxënësit dhe studentët e Kosovës dhe rininë e Kosovës në kavie eksperimentale andaj unë besoj dhe vej bast se në programin PISA shkalla e analfabetëve funksionalë të jetë 83%, që do të thotë se do të rritet për 5 % “, është shprehur ai.
Sipas tij për shkak të politikave jo profesionale, jo shkencore si dhe personave të cilët nuk janë të përgatitur profesionalisht në këtë drejtim nuk mund të ketë ndryshime pozitive në fushën e arsimit.
“Me këto politika joprofesionale dhe joshkencore, me forca – agjent të gabuar, të pa përgatitur profesionalisht që nuk janë në gjendje, për shkak të in-kompetencës profesionale dhe shkencore të depërtojnë në thellësitë komplekse të ndryshimeve në fushën e edukimit dhe të arsimit që tepër të ndërlikuara nuk mund të priten ndryshime pozitive arsimore. Forcat – agjentët e tashëm të ndryshimit, janë po ato forca të cilat, arsimin e kanë sjell në këtë gjendje, andaj është naive të besosh se këto forca do ta nxjerrin sistemin e edukimit dhe të arsimit nga ky çark vicioz, i cili rrezikon të ardhmen edhe të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj”, ka sqaruar Hyseni.
Ai ka thënë se në cilësinë e arsimit nuk ka ndërhyrje pozitive por të gabuara, deklarata elektorale politike të cilat sipas tij janë joproduktive.
“Nuk ka fare ndërhyrje pozitive por ka ndërhyrje të gabuara, ka deklarata elektorale, politike kontra-produktive si ato se gjoja të formojmë trupa për rishikimin e teksteve mësimore, të cilat tani edhe zogjtë e kanë kuptuar se janë aq të pa përshtatshme , aq joprofesionale, joshkencore sa më shumë pengojnë zhvillimin e fëmijës se sa që ata i aftësojnë që të jenë të aftë që me kreativitet dhe produktivitet të ndër-veprojnë në natyrë dhe në shoqëri”, është shprehur Hyseni.
Hyseni ka shtuar se në Kosovë qe tetëmbëdhjetë vite nuk është botuar as një tekst shkollor për lëndët profesionale.
“Si mund të përmirësohen tekste in- ekzistuese për lëndët profesionale, po futemi në vitin e 18 që në Kosovë nuk është botuar asnjë tekst–libër shkollor për lëndët profesionale dhe lëndët e ngushta profesionale në arsimin e lartë profesionale”, është shprehur ai.
Në testin e fundit të publikuar të PISA-s, Kosova u rendit e fundit në Ballkan, e fundit në Evropë dhe në vendin e tretë nga fundi mes 72 vendeve që morën pjesë në nivel botëror, në Programin për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA), në kuadër të Organizatës për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik (OECD)./R.Rexhepi/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme