Google ADS

Kjo është shifra marramendëse që kosovarët shpenzojnë për fundvit

16:33 | 1 Janar 2018
Arbresh.info

Shpenzimet e pa kontrolluara të qytetarëve të Kosovës për fundvit janë për shumë kë të pa kapshme. Madje këto shpenzime kapin shifra milionëshe. Shpenzimet më të mëdha bëhet për pije e ushqim.

E ekspertët e ekonomisë thonë se këto mjete duhet të shpenzohen në produkte vendore, por që sipas tyre nëse shpenzohen edhe në produkte të importit kanë efekte për ekonominë e vendit.

Me 17.6 për qind të popullsisë në varfëri të plotë dhe 5.2 për qind e tyre në varfëri ekstreme, kosovarët, megjithatë, del se janë goxha meraklinj në festa. Sidomos për festat e fundvitit.

Në këtë periudhë kohore qytetarët me të varfër në Evropë shpenzojnë miliona euro, derisa mbi 80 për qind e familjeve në Kosovë e festojnë vitin e ri.

Sipas raportit “Blerjet e Familjeve kosovare për festat e fundvitit” i realizuar nga kompania “Uboconsulting”, çdo familje në Kosovë shpenzon mesatarisht 141 euro për festat e fundvitit, ndërsa në total shpenzimet shkojnë deri në 36 milionë euro.

“82 për qind e familjeve në Kosovë i festojnë festat e fundvitit”, thekson raporti.

E, Këshilltari në Odën Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi ka thënë për Telegrafin se festat e fundvitit janë një stimulim për bizneset vendore për shkak të shpenzimeve që bëhet nga qytetarët.

“Është një impuls financiare sidomos për një pjesë të bizneseve të vogla të cilat kanë nevojë për para cash në periudha të caktuara”, tha ai.

Sipas Rukiqit, nëse mjetet e shpenzuara për festat e fundvitit shkojnë në prodhime vendore kanë efekte të shumta për ekonominë.

“Nëse këto mjete do të shkonin më shumë për prodhime vendore atëherë efektet do të ishin të jashtëzakonshme. Por problemi qëndron që një pjesë e këtyre mjeteve shkon për mallra që importohen, por si do që të jetë efekti në ekonomi është pozitiv”, ka thënë Berat Rukiqi.

Anketa e është realizuar me 1065 respondentë dhe përfshin 38 komuna të Kosovës.

Prej 141 euro sa shpenzon mesatarisht një familje kosovare për festat e fundvitit, ka dalë se pjesa më e madhe e tyre shkojnë për ushqim dhe pije.

Sipas raportit, 71 për qind e parave për festat e fundvitit shkon në ushqime e pije. “12 për qind për dekorime; 11 për qind për dhurata dhe 6 për qind të tjera”, thuhet në raport.

Një statistikë interesante ka dal tek dhuratat. Kur qytetarët janë pyetur se çfarë dëshirojnë për dhuratë për fundvit, shumica prej tyre kanë deklaruar se duan para të gatshme.

“80 për qind preferojnë para të gatshme si dhuratë të fundvitit. 35 për qind preferojnë para të gatshme”, tregon raporti.

Anketa e ka nxjerrë edhe një detaj sa i përket raportit të te rinjve me teknologjinë informative. Një pjesë e mirë e respondentëve kanë thënë se dhuratë për fundvit do të kishin dashur një telefon të mençur apo laptop.

Ndërkaq i vogël është numri i atyre që kanë deklaruar se duan të pranojnë një libër si dhuratë për fundvit.

Ndikimi i rrjeteve sociale tek kosovarët duket se është goxha i madh. Madje edhe kur janë në pyetje informatat për produkte të ndryshme.

Si burim kryesor të informimit rreth produkteve për festat e fundvitit, ka dal së janë ato përmes televizionit dhe rrjeteve sociale.

“82 për qind e tyre kanë thënë se marrin informacione nga televizioni ndërsa 54 për qind nga rrjetet sociale”, thuhet në raport.

Ndryshe në këtë anketë të rrallë të UboConsulting janë intervistuar 1 mijë e 65 respondentë. Prej tyre 820 janë shqiptarë, 150 serb dhe 95 nga komunitetet tjera.

Hulumtimi është realizuar në 38 komunat e Kosovës. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme