Viti 2017 ishte një vit me shumë befasi.
Shumë artistë të estradës shqiptare vendosën t’i japin fund beqarisë këtë vit, shkruan arbresh.info.
Kurorëzimi i dashurisë së çifteve të njohura u bë me anë të ceremonive madhështore të cilat kushtuan shumë. Martesat e shumë personazheve të njohura u komentuan deri në detajin e fundit, bile gjatë këtij viti pati edhe çifte që organizuan dy ose tre ceremoni martesore.
Xhensila Myrtezaj e Bes Kallaku
Një ndër dasmat më të komentuara të vitit 2017 ishte martesa e këngëtares, Xhensila Myrtezaj me aktorin Bes Kallaku.
Çifti kurorëzuan lidhjen e tyre shtatë vjeçare me martesë madhështore.
Mbrëmja e parë e martesës ishte me familjarë e cila u mbajt në pallatin mbretëror, ku nusja Xhensila bëri një hyrje si të Hirushës me karrocë. Çifti gjatë kësaj ceremonie ndërruan shpesh edhe kostumet. Xhensila ndërroi tre fustane gjatë kësaj mbrëmje ndërsa Besi dy kostume, një ngjyrë të zezë e një ngjyrë të kuq.
Ata në këtë ceremoni u betuan për njëri tjetrin para altarit duke ofruar shumë emocione, me dy fjalime që dyshja kishin përgatitur për njëri tjetrin.
E me të njëjtin intensitet ishte edhe ceremonia e dytë e dasmës në të cilën ishin të ftuar mbi 400 mysafirë. Në këto ceremoni kënduan edhe shumë personazhe të njohura duke filluar nga Aurela Gaçe, grupi ThreeDots si dhe vetë nusja. Në këtë ceremoni shumica e të ftuarve ishin fytyra publike, si këngëtarë, politikanë e sportistë.
Por nuk mbaroi këtu gjithçka, sepse dyshja kishin përgatitur për njëri tjetrin edhe nga një këngë.
“Çelësin e zemrës”, ishte kënga që Xhensila i ka kushtuar Besit, ndërsa “Skifterja e zemrës” ishte kënga e Besit kushtuar Xhensilës.
Çifti pas ceremonive të martesës kishin vendosur q֝ë të shkonin edhe në muajin e mjaltit. Ishujt Maldive ishin vendi ideal pas një dasmë madhështore si ajo e Xhensilës dhe Besit.
Getoar Selimi e Marina Vjollca
E menjëherë pas dasmës super luksoze të Xhensilës dhe Besit, ishte reperi kosovar, Getoar Selimi ai i cili i dha fund beqarisë, duke kurorëzuar lidhjen e tij disa vjeçare me moderatoren nga Shqipëria, Marina Vjollca.
Çifti kishin vendosur që martesën e tyre përrallore ta mbanin në Gjirin e Lalzit në Durrës. Në këtë ceremoni ishin të ftuar mbi 400 persona, në mesin e tyre edhe shumë figura publike.
Marina dhe Geti u kurorëzuan nga kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Sikur të gjitha çiftet e njohura edhe dyshja ndërroi dy herë kostumet gjatë ceremonisë.
Ndërsa si burrë e grua muajin e mjaltit kishin vendosur ta bënin në Xhamajka.
Labi dhe Qëndresa
Gjatë vitit 2017 një prej martesave që bëri bujë ishte ajo e moderatorit të njohur Labinot Gashi- Labi i cili më në fund kishte vendosur t’i jepte fund beqarisë.
Ai dhe e fejuara e tij, Qëndresa kishin vendosur që t’i realizonin dy ceremoni për kurorëzimin e lidhjes së tyre të gjatë. Njëra me familjarë dhe tjetra me miq.
Labi kishte vendosur që t’i respektonte traditat, duke shkuar të merrte nuse në shtëpinë e saj, por jo siç jemi mësuar me automjete. Moderatori kishte mbledhur disa fytyra publike për të shkuar me tren tek shtëpia e Qëndresës, sigurisht që gjatë kësaj ceremonie nuk munguan as tupanët dhe këngët nga këngëtarë të njohur si Big Mama, Shkurte Gashi dhe shumë të tjerë.
Të dy ceremonitë martesore të Labit me Qëndresën ishin shumë luksoze dhe me shumë të ftuar.
Qëndresa dhe Labi gjatë martesës së tyre ndërruan shpesh kostume, në fund të ceremonisë bashkëshortja e Labit kishte vendosur të bënte diçka më ndryshe duke u paraqitur e veshur me pantallona të bardhë.
E pas martesës për çiftin nuk mungoi as muaji i mjaltit. Turqia ishte vendi ku dyshja kishin vendosur të pushonin pas martesës.
Besnik Qaka dhe Lolita Begolli
Edhe Besnik Qaka, vokalisti i grupit “NRG Band” i dha fund beqarisë gjatë vitit 2017.
30 shtatori ishte dita kur ai kurorëzoi dashurinë me Lolita Begolli. Një dasmë me shumë të ftuar ishte edhe kjo.
Këngëtari kishte vendosur të martohej sipas traditave, duke shkuar të merrte nusen në shtëpinë e saj.
Ishujt Maldive, Xhamajka e Turqia ishin destinacionet ku disa prej çifteve VIP që u martuan këtë vit kishin vendosur të kalonin muajin e mjaltit. Por të njëjtën nuk e bënë Besniku dhe Lolita, sepse ata për muajin e mjaltit vendosën të shkonin në bjeshkë në qytetin e tyre të lindjes në Pejë.
Dasmën e tyre e bëri edhe më të bukur lajmi se çifti së shpejti do të bëhen prindër.
Valdrin Sahiti dhe Edita
Stilisti kosovar, Valdrin Sahiti ishte një fytyrë tjetër publike që u martua gjatë vitit 2017.
Ai dhe e fejuara e tij Edita kurorëzuan lidhjen e tyre me një martesë shumë të veçantë dhe shumë larg Kosovës.
Sahiti kishte vendosur që dasma e tyre të bëhej në Amerikë dhe me të ftuar shumë të veçantë. Las Vegas ishte vendi ku dyshja u martuan me një dasmë tejet private. Dyshja e kanë organizuar ceremoninë në një prej resorteve më luksoze të metropolit amerikan.
Çifti kishin vendosur që të dy të vishen me ngjyrën e bardhë, dhe sigurisht që veshjet e tyre janë punuar nga vet stilisti i njohur, dhe brendi i tij “VS”.
Orina Huta dhe Turjan Hyska
Këngëtarja Orinda Huti dhe moderatori Turjan Hyska kanë kurorëzuar dashurinë e tyre 10 vjeçare me martesë.
Çifti kishte vendosur që martesën e tyre të mbajnë larg syrit të mediave, ashtu siç e kanë mbajtur gjithmonë lidhjen e tyre. Nga disa fotografi të publikuara Orinda duket shumë e bukur me fustan të bardhë para altarit.
Nga disa burime u tha se çifti muajin e mjaltit kishin vendosur ta kalonin në Tajlandë.
Angela Martini dhe Dragos Savulescu
Krejt në fund të vitit, publiku u befasua me lajmin për martesën e modeles Angela Martini.
Angela Martini ka kurorëzuar me martesës lidhjen e saj me miliarderin rumun, Dragos Savulescu.
Dyshja martesën e tyre e publikuan në Instagram, ku për dallim nga nuset e tjera, Angela nuk kishte veshur fustan të bardhë por kishte vendosur të shfaqej provokative në të zeza.
Madje ata kanë publikuar edhe disa foto intime nga martesa e tyre në Las Vegas.
Çifti i ri momentalisht është duke jetuar në Amerikë.
Almeda Abazi dhe Tolgahan Sayman
Modelja shqiptare gjatë vitit 2017 kurorëzoi dashurinë e saj me aktorin e famshëm turk,Tolgahan Sayman.
Ish-miss Shqipëria dhe bashkëshorti i saj u martuan në tarracën luksoze në Beverly Hills.
Ata u kurorëzuan me 13 shkurt, një ditë para ditës së të dashuruarve. Me një ceremoni luksoze dhe në praninë e vetëm 40 personave, ku ishin të pranishëm vetëm familjar dhe miq shumë të afërte./arbresh.info
Granit Xhaka dhe Leonita
Edhe futbollisti i njohur i Arsenalit, Granit Xhaka është martuar gjatë vitit 2017.
Ai dhe e fejuara e tij kurorëzuan lidhjen e tyre të gjatë me martesë në muajin korrik të vitit 2017. Martesa e tyre sikur e shumë personazheve të njohura ishte super luksoze me shumë të ftuar duke përfshirë edhe figura të ndryshme publike. Në disa fotografi të publikuar nga dyshja, ata dukeshin shumë bukur me kostume dhe vello.
Menjëherë pas martesës për çiftin filloi edhe muaji i mjaltit në një vend përrallor, por që nuk u zbulua asnjëherë vendndodhja e tyre./arbresh.info
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...