Google ADS

Lufta civile në Siri dhe Shteti Islamik

09:53 | 31 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Lufta në Siri ka gjashtë vite që po vazhdon dhe duket se nuk do të ketë fund as këtë vit, shkruan arbresh.info.

Këtë vit konflikti është zgjeruar duke parë që SHBA-ja është bërë pjesë e luftës si pasojë e përdorimit të armëve kimike nga ana e Presidentit Bashar al-Assad.

Në këtë pikë konflikti është ndarë në katër tabore kryesore, ku nuk dallohen shumë qartë armiqtë nga aleatët.

Për ta kuptuar më mirë se si ka filluar konflikti duhet të kthehemi në mars të vitit 2011 kur  filloi sulmi i parë ushtarak i Assad kundër protestuesve paqësor të regjimit të tij.

Ndërsa në qershor të po të njëjtit vit, rebelët e armatosur filluan t’i përgjigjeshin zjarrit duke e quajtur veten “Free Syrian Army” dhe e gjitha kthehet në një luftë civile.

Me shpalljen e luftës civile, xhihadistë nga e gjithë bota filluan të udhëtonin në Siri që t’u bashkoheshin rebelëve.

Në janar të vitit 2012 u formuan celulat e para të grupit Jabhat al Nusra, fraksion i Al Qaedas, të cilët iu bashkohen rebelëve. Në të njëjtën kohë Kurdët fillojnë të armatosen dhe marrin kontrollin e pjesës veriore të vendit.

Kjo është koha kur ndërhyjnë aleatët e jashtëm. Fillimisht  Irani, aleati më i fort i Assad, ndërhynë në luftë dhe deri në fund të vitit 2012 themelon një qendër të armatosur që lufton në krah të regjimit të Assad.

Konflikti trazon ekonominë dhe si pasojë vendet si Turqia dhe Arabia Saudite fillojnë t’i mbështesin rebelët duke u dërguar armë dhe mbështetje ushtarake, për ta ekuilibruar influencën e Iranit në Siri.

Kjo do të thotë që në fillim të vitit 2013 Lindja e Mesme është e ndarë mes Sunitëve që i mbështesin rebelët dhe Shiave që e mbështesin Assadin.

Në prill të vitit 2013 regjimi Assad përdor armë kimike kundër rebelëve duke nxitur reagimin e Ish-presidentit Obama, i cili nënshkruan një urdhër ekzekutiv ku CIA i trajnon dhe i furnizon  rebelët me armatim.

Ndërkohë presidenti rus Putin deklaron që sulmi është çështje e brendshme dhe përfundon duke e mbështetur regjimin Assad si kundërpërgjigje ndaj ish-presidentit Obama.

Në shkurt të vitit 2014 ndryshon komplet natyra e luftës. Grupi rebel ndahet në dy pjesë.  Njëra pjesë e rebelëve shndërrohet në organizatën terroriste ISIS të cilët shumë shpejt e shpallin vendin si Kalifat Islamik.

Sulmet e ISIS i drejtohen jo veç presidentit sirian por edhe grupeve të tjera rebele.

Në këtë pikë SHBA-ja ndryshon qëndrim dhe e koncentron sulmin te organizata terroriste ISIS. Në  gusht të 2014-ës Pentagoni formon bazën amerikane për të trajnuar ushtarët që do të luftojnë ISIS.

Në gusht të 2015-ës Turqia fillon t’i bombardojë rebelët kurdë, por pa ndërhyrë me sulme kundër ISIS.

Një muaj më vonë Rusia ndërton bazën ruse që luftojnë në krah të forcave të regjimit të ASAD-it si përgjigje e dytë ndaj administratës së Obamës.

Rusia tregon që do të sulmojë terroristët e ISIS, por përfundon duke sulmuar rebelët dhe trupat e trajnuara nga Pentagoni.

Këtu fillon 2017-ta dhe Trump e nis mandatin e tij si president i SHBA-ve. Trump deklaron se është i vendosur të qëndrojë jashtë luftës siriane. Trump thotë që Assad duhet të qëndrojë në fuqi dhe se është konflikt i brendshëm i vendit, gjë që bën që Assad ta rimarrë nën kontroll një pjesë të Sirisë dhe qytetin e Aleppos.

Në prill të 2017 Assad përdor për herë të dytë sulme kimike dhe bën që SHBA-ja të bëhet edhe një herë pjesë e luftës duke sulmuar qendrat ushtarake të ushtrisë siriane.

Nga sulmi kimik vdesin 85 njerëz, mes tyre edhe 24 fëmijë.

Më vonë në tetor presidenti rus Vladimir Putin organizoi një samit ku u vendos që bashkërisht të sulmohet organizata terroriste ISIS, dhe veç pak ditë më vonë u deklarua që ISIS është shkatërruar tërësisht dhe se ushtria irakiane është në ndjekje të xhihadistëve të fundit.

Kjo bëri që Presidenti Assad ta falënderojë Presidentin Putin duke thënë “Na e shpëtove vendin”.

Gjithsesi kjo nuk i dha fund konfliktit të armatosur. Siria ende mbetet vatër lufte. Deri tash janë vrarë rreth 3.5 milionë sirianë dhe rreth 300,000 ushtarë të tjerë, qofshin ata të ardhur nga Evropa, Amerika apo Azia, që janë bërë pjesë e luftës në Siri./RronaJaka/Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme