Zyrtarët që nuk i shpëtuan ligjit gjatë vitit 2017

09:30 | 31 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Viti 2017 mund të thuhet se ishte viti i zyrtarëve të lartë të shtetit. Këtë vit më shumë se kurrë, zyrtarë të lartë, përfshirë deputetë, ministra, zëvendësministra e kryetarë komunash janë përballur me aktakuza e procese gjyqësore, që për disa kanë përfunduar e disa do të vazhdojnë edhe në 2018-ën të përballen.

 Fatmir Limaj shpallet i pafajshëm për rasti i MTPT

Pas 7 vjet përballje me drejtësinë, ish-ministri i Transportit dhe Telekomunikacionit të Kosovës, tashmë zëvendëskryeministër në Qeverinë Haradinaj, Fatmir Limaj, bashkë me Endrit Shalën, Nexhat Krasniqin, Shpëtim Telakun dhe Florim Zukën u shpallën të pafajshëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Limaj, bashkë me katër të tjerët akuzoheshin në rastin e njohur si rasti MTPT për krim të organizuar, keqpërdorim me detyrën zyrtare dhe dhënie e marrje ryshfeti.

Por më 24 nëntor trupi gjykues i përbërë nga dy gjyqtarë ndërkombëtarë dhe një vendor shpalli aktgjykim lirues për të gjithë të akuzuarit e këtij rasti, duke i liruar ata nga të gjitha akuzat me të cilat i ngarkonte Prokuroria Speciale e Kosovës.

Aktakuza e parë ishte ngritur me datë 5 dhjetor 2012, ndërkaq aktakuza e dytë më 19 shkurt 2014 dhe për të dyja janë mbajtur dy shqyrtime fillestare. Mirëpo me vendimin e 30 majit 2014 të kryetares së atëhershme të trupit gjykues, këto dy raste janë bashkuar në një, duke ngritur një aktakuzë të cilën e kanë quajtur aktakuzë e konsoliduar.

Ndërkohë, më 28 shtator 2015 Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), kishte ngritur aktakuzën e konsoliduar, me anë të së cilës janë bashkuar dy aktakuza të mëparshme të rasteve MTPT 1 dhe MTPT 2.

Pas këtij vendimi, të dyja palët kishin dërguar ankesat e tyre dhe në bazë të ankesave, Gjykata e Apelit më 23 dhjetor 2014 kishte vendosur që ai vendim nuk mund të ankimohet sepse është vendim i prerë.

Aktakuza e konsoliduar i ngarkonte  të akuzuarit Fatmir Limaj, Endrit Shala, Nexhat Krasniqi për veprat penale krim i organizuar, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, marrje ryshfeti, Shpëtim Telakun për veprat penale krim i organizuar dhe keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe të akuzuarin e fundit Florim Zukën për veprat penale, dhënie ryshfeti dhe keqpërdorim i autorizimeve ekonomike. Limaj akuzohej edhe për veprën mos deklarim i parave për fushatë.

Limaj paralajmëron padi për kompensim

Pas shpalljes i pafajshëm nga gjykata, Limaj ka paralajmëruar kërkesë për dëmshpërblim për padrejtësinë që i është bërë gjatë këtyre 7 vjetëve të ballafaqimit të tij me drejtësinë.

Limaj është në pritje të vendimit të Gjykatës së Apelit, dhe nëse  kjo gjykatë vërteton aktgjykimin e shkallës së parë, atëherë zëvendëskryeministri Limaj do të padis shtetin.

Mbrojtësi i tij, në një prononcim për “Arbresh.info” nuk e pati përjashtuar mundësinë e bashkëngjitjes së kësaj padie me padinë për dëmshpërblim që është kërkuar po ashtu gjatë këtij viti për rastin “Kleçka”.

Ndryshe prej rastit “Kleçka” ku Limaj ka kërkuar 7 milionë euro dëmshpërblim, në rastin MTPT ai ende nuk ka vendosur se sa do të jetë shumë e dëmshpërblimit që do të kërkoj nga shteti për gjykimin dhe mbajtjen e tij në paraburgim dhe arrest shtëpiak.

 Rigjykimi i ish-kreut të Prizrenit, Ramadan Muja

Tre vjet pas dënimit nga Gjykata Themelore e Prizrenit, ish-kryetari i kësaj komune, Ramadan Muja dhe pesë ish-zyrtarët e kësaj komune, Minir Krasniqi,  Kadri Ukimeri, Sadik Paçarizi, Avni Ademaj dhe Abdullah Tejeci  u ulën  sërish në bankën e të akuzuarve  në dhjetor të këtij viti për tu ballafaquar me akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Rigjykimi i Mujës dhe të tjerëve në Gjykatën Themelore të Gjilanit erdhi pas vendimit të  Gjykatës së Apelit në gusht të këtij viti për të kthyer në rigjykim këtë rast.

Që nga viti 2013 ish-kreu i Prizrenit, bashkë me pesë ish-zyrtarët e kësaj komune janë duke u ballafaquar me akuzat për kryerjen e veprave penale të Keqpërdorimit të pozitës zyrtare ose të autoritetit në katër raste respektivisht.

Gjykata Themelore në Prizren në mars të vitit 2014 pati dënuar Ramadan Mujën me 2 vite burgim me kusht që i njëjti të mos kryej asnjë vepër penale për një periudhë 3 vjeçare, dhe me një dënim alternativ të ndalimit të ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik për 30 muaj.

Ndërsa, Gjykata e Apelit, pas gati një viti e gjysmë kishte vendosur që lënda të kthehej në rigjykim në gjykatën e shkallës së parë në Prizren, për shkak se kishte konkluduar se ishin bërë shkelje esenciale në përmbajtjen e aktgjykimit të shkallës së parë.

Aktvendimi i Gjykatës së Apelit kishte arritur në Gjykatën Themelore të Prizrenit në shtator të vitit 2015.

Në këtë aktvendim ishte anuluar aktgjykimi i Gjykatës Themelore të Prizrenit P.nr.171/13 i lëshuar më 13 mars 2014 dhe lënda ishte kthyer në Gjykatën Themelore për rigjykim.

Mirëpo, në dhjetor të vitit 2015, Gjykata Supreme e pati rrëzuar vendimin e fundit të Gjykatës së Apelit ndaj Mujës dhe të tjerëve, duke marrë vendim që ky rast të kthehet sërish në Gjykatën e Apelit për rivendosje të aktgjykimit të shkallës së parë.

Vendimi i Supremes kishte ardhur pas pranimit të ankesës së prokurorisë ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit në shtatorin e po të njëjtit vit, që rasti ndaj kreut të Prizrenit, Ramadan Muja të kthehet në Gjykatën Themelore të Prizrenit për rivendosje.

Supremja, kishte vendosur që aktvendimi i apeluar të anulohet dhe lënda t’ i kthehet Gjykatës së Apelit për rishqyrtim nga një trup i ri gjykues.

 Lirimi i Sami Lushtakut nga të gjitha akuzat për krime lufte

Në fillim të muajit korrik të këtij viti Gjykata Supreme e Kosovës vendosi për lirimin e ish-Komandantit të UÇK-së për rajonin e Drenicës, Sami Lushtakut nga të gjithat akuzat për krime lufte, për të cilat ishte dënuar me 12 vite burgim nga Gjykata Themelore në Veri të Mitrovicës, e më pas 7 vite burgim nga Apeli.

Menjëherë pas këtij vendimi, Lushtaku ishte liruar nga paraburgimi, ku kishte qëndruar që nga maji i vitit 2013.

Ish-komandanti i zonës së Drenicës, Sami Lushtaku, në maj të vitit 2015 ishte dënuar me 12 vjet burgim, gjë që u bë në bazë të dëshmisë së dëshmitarit të mbrojtur “D”.

Mirëpo, në nëntor të vitit 2016, Gjykata e Apelit e shpalli atë të pafajshëm për veprën penale “Vrasja e një personi civil të burgosur shqiptar”, me ç’ rast i hoqi 12 vjet burg, me të cilat u dënua fillimisht nga Gjykata Themelore në Mitrovicë.

Mirëpo, Apeli e kishte dënuar Lushtakun me 7 vjet burgim për veprën penale ‘Krime lufte kundër popullatës civile’, që ndërlidhet me Përgjegjësinë Komanduese”, nga e cila akuzë ishte liruar më parë nga Gjykata Themelore e Mitrovicës.

Lushtaku ishte arrestuar më 23 maj 2013,  nën dyshimin për krime lufte.

Pas shpalljes së tij të pafajshëm për të gjitha akuzat, edhe Lushtaku njëjtë si Limaj nuk ka përjashtuar mundësinë e kërkesës së kompensimit për qëndrim të padrejtë në paraburgim për disa vite me radhë.

Por ndryshe nga Limaj, Lushtaku ka thënë se shumën të cilën do të marr nga kompensimi do ta përdor për bamirësi.

Nga i akuzuar në shef të AKI-së

Marrja e postit të shefit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, e shpërbleu Driton Gashin me heqjen e aktakuzës ndaj tij.

Disa javë para se Gashi të përzgjidhej si kryeshef i AKI-së, më 8 shkurt 2017 prokurori Feti Tunuzliu kishte tërhequr aktakuzën që kishte ngritur ndaj Sekretarit të Përhershëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Driton Gashi.

Aktakuza e ngritur ndaj Gashit në maj 2016, ishte tërhequr nga vet prokurori më 1 shkurt. Në arsyetimin e tij për tërheqjen e aktakuzës, prokurori Tunuzliu pati thënë se nuk ka prova të mjaftueshme për ta mbështetur dyshimin e bazuar se Gashi, e kishte kryer veprën penale me të cilën e ngarkonte aktakuza.

Dhe vetëm një javë pas tërheqjes nga aktakuza, e konfirmuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë,  Driton Gashi ishte emëruar në krye të AKI-së.

Aktakuza ishte ngritur duke u bazuar në kallëzimin penal që ishte iniciuar nga Udhëheqësi i Divizionit për Sigurimin e Aviacionit Civil në kuadër të MPB-së, Luan Ismajli, kundër Driton Gashit, për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Ismajli këtë e kishte bërë, pasi që, sipas aktakuzës, Gashi nga pozita e sekretarit të Përgjithshëm në MPB, me një vendim të tij, e kishte transferuar Ismajlin në një divizion tjetër, duke e ulur kështu në pozitë.

“Baba” i shpëtoi aktakuzës si ish-kryetari i Kushtetueses, por jo edhe dënimit si ish- rektori i UP-së

 Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani i shpëtoi aktakuzës së prokurores speciale, Drita Hajdari, e cila e akuzonte atë për vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me Dekretin e Presidentes rreth vazhdimit të mandatit të tre gjyqtarëve ndërkombëtarë.

Në janar të vitit 2017 Gjykata e Apelit e Kosovës hodhi poshtë aktakuzën e ngritur ndaj ish- rektorit Hasani, i cili akuzohej për “keqpërdorim të detyrës zyrtare” dhe “falsifikim të dokumentit zyrtar”.

Ky vendim i Apelit kishte ardhur pas kërkesës së mbrojtjes së Hasanit për hudhjen e aktakzuës së Prokurorisë Speciale.

Në vendimin e Gjykatës së Apelit thuhej se veprimet inkriminuese me të cilat ngarkohej Hasani, nuk përbëjnë vepër penale për shkak se në të njëjtat nuk përmbushin elementet e saj.

Në seancën dytësore të mbajtur më 11 tetor 2016, Bajram Tmava kishte kundërshtuar këtë akuzë në dy baza në faktin e imunitetit funksional të Hasanit dhe në imunitetin diplomatik të gjyqtarit Robert Carolan i cili konsiderohej edhe dëshmitari kyç në këtë çështje.

Prokuroria Speciale e akuzonte ish-kreun e Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani  për vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me Dekretin e Presidentes rreth vazhdimit të mandatit të tre gjyqtarëve ndërkombëtarë. Sipas aktakuzës, në kohën kur Hasnai ishte kryetar i Gjykatës Kushtetuese, kishte shënuar emrin e gjyqtarit Robert Carolan edhe pse ky i fundit nuk kishte marrë pjesë në shqyrtimin e kësaj çështjeje, ngase bëhej fjalë edhe për vazhdimin e mandatit të tij.

 “Baba” dënohet më 1 vit burg si ish-rektor i UP-së

Edhe pse i shpëtoi aktakuzës dhe përballjes me drejtësinë  në rastin e Gjykatës Kushtetuese, “Baba”, nuk arriti t’i shpëtoj edhe dënimit për akuzat që ngarkohej nga po e njëjta prokurore speciale, Drita Hajdari.

Ish-rektori Enver Hasani është dënuar nga Gjykata në Prishtinë në lidhje me përkthimin e librave.

Pas disa seancave gjyqësore kundër tij, Hasani  u dënua në nëntor të këtij me 1 vit burg me kusht për dy vjet verifikim nga Gjykata Themelore në Prishtinë në lidhje me kontratën për përkthimin e librave nga anglishtja në shqip për universitetin e Prishtinës.

Përveç, Hasanit, gjykata i shpalli fajtorë edhe dy të akuzuarit tjerë në këtë rast, Albert Rakipit e Hakif Veliut, duke i dënuar ata  me nga gjashtë muaj burg, masë e cila zëvendësohet me gjobë prej 10 mijë euro.

Ish-rektori i UP-së, Enver Hasani, Albert Rakipi dhe Hakif Veliut, u detyruan nga gjykata që t’ia kompensojnë UP-së dëmin prej 70 mijë euro “në mënyrë solidare”.

Ndërkohë sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, Enver Hasani në cilësinë e rektorit të Universitetit të Prishtinës, Hakif Veliu si shef i prokurimit në UP dhe Albert Rakipi si drejtor i Institutit për Studime Ndërkombëtare – ISN, akuzoheshin se kanë kryer veprën penale të mashtrimit në detyrë në bashkëkryerje.

Prokuroria pretendonte se të akuzuarit këtë vepër e kishin kryer lidhur me realizimin e kontratës për  përkthimin e librave nga gjuha angleze në gjuhën shqipe për nevojat e UP-së.

Kontrata e lidhur në mes të UP-së dhe ISN-në mbante datën 5 dhjetor 2012, ndërsa vlera e përgjithshme e saj ishte 500 mijë euro dhe çmimi i pagesës ishte përcaktuar 12,65 euro për 1000 fjalë. Rasti është dërguar në Gjykatën e Apelit dhe kjo ende nuk dihet nëse shkalla e dytë do ta vërtetoj apo jo aktgjykimin e themelores.

Sipas kontratës origjinale, vlera e saj kishte qenë 500 mijë euro, përkatësisht çmimi i pagesës për njësi 1000 fjalë 12.65 euro e stimuluar me nenin 17, ndërsa në kontratën e re sipas prokurorisë, kjo pjesë është ndryshuar në 1000 karaktere për 12.65 euro.

 Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri

 Në mars të vitit 2016 Prokuroria Speciale e Kosovës pati ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, kundër të pandehurve Agim Bahtirit, Haxhimet Ferati dhe Gazmend Kelmendit për veprat penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe Marrëveshje për kufizimin e konkurrencës përmes ftesave për tender.

Por një vit pas, në mars të vitit 2017, Gjykata e Apelit hodhi poshtë aktakuzën e ngritur ndaj kryetarit të Komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri dhe shefit të Prokurimit në Mitrovicë Haxhimet Ferati, të cilët akuzoheshin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Në aktakuzë përfshihej edhe drejtori i operatorit ekonomik “Hesalight” për Kosovë Gazmend Kelmendi, i cili akuzohej për veprën penale ”marrëveshje për kufizimin e konkurrencës përmes ftesave për tender”.

Ky vendim i Apelit erdhi pas ankesave që kishte bërë mbrojta e të akuzuarve, kundër vendimit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë për aprovimin e aktakuzës kundër tyre.

Në vendimin  e Apelit thuhej se kjo gjykatë ka vlerësuar se provat në bazë të të cilave është ngritur aktakuza, nuk mbështesin dyshimin e bazuar mirë se të lartpërmendurit i kanë kryer veprat penale për të cilat ngarkohen.

Hedhja e aktakuzës ishte bërë  pas pothuajse 8 muajve nga mbajtja e shqyrtimit fillestar, që ishte me 15 korrik 2016. Gjatë atij shqyrtimi, Bahtiri, Ferati dhe Kelmendi ishin deklaruar të pafajshëm për veprat me të cilat ngarkoheshin.

Pas mbajtjes së shqyrtimit fillestar, mbrojtësi i Kryetarit të Komunës së Mitrovicës, avokati Mahmut Halimi, kishte parashtruar kundërshtimet e tij lidhur me provat e cekura në aktakuzë. Por, gjyqtari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Beqir Halili kishte hedhur poshtë kundërshtimet e mbrojtjes dhe kishte konfirmuar aktakuzën.

Ndaj këtij aktvendimi, mbrojta kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, e cila i kishte aprovuar ankesat e mbrojtjes, dhe lëndën e kishte rikthyer në rivendosje.

Megjithatë, edhe pas rikthimit të lëndës në rivendosje, gjyqtari Halili nuk u kishte dhënë të drejtë mbrojtjes, dhe kishte hedhur poshtë ankesat e tyre duke konfirmuar edhe një herë tjetër aktakuzën.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës pretendon se Agim Bahtiri në pozitën e Kryetarit të Komunës së Mitrovicës, së bashku me Haxhimet Feratin, shef i zyrës së prokurimit të kësaj Komune, kanë tejkaluar kompetencat e tyre me qëllimit të përfitimit të kundërligjshëm. Këtë përfitim pretendohet se e kanë sjellë për operatorin ekonomik ” HESALIGHT A/S, ku drejtor për Kosovë tani është i akuzuari Gazmend Kelmendi. Të njëjtit pranë Autoritetit Kontraktues kanë nënshkruar kontratën me titull ” Furnizim, montim dhe mirëmbajtje  e ndriçimit publik efiçiente në të gjitha rrugët e qytetit të Mitrovicës”, ofertë kjo e bazuar në marrëveshje të kundërligjshme, qëllimi i të cilës ishte kufizimi i konkurrencës së lirë.

Tutje sipas prokurorisë Komuna e Mitrovicës ka pranuar ofertën e paraqitur nga Kelmendi me çmim prej 767 mijë 940 euro, dëm ky i shkaktuar Komunës, gjegjësisht buxhetit të Kosovës. Në këtë mënyrë të pandehurit pretendohet se kanë vepruar në kundërshtim me dispozitat ligjore duke mos e njoftuar KRPP-në.

Gjykata Supreme e Kosovës pati refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) për mbrojtje të ligjshmërisë në rastin e aktakuzës ndaj kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtiri dhe të tjerëve.

Supremja e pati  konsideruar si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, që ishte ushtruar nga PSRK-ja në lidhje me vendimin e Gjykatës së Apelit për aktakuzën ndaj Agim Bahtirit dhe dy të tjerëve.

 Arrestimi  i deputetit Milaim Zeka

Ish-gazetarit Milaim Zeka nuk i eci mirë fati si deputet.

Menjëherë pas marrjes së postit si deputet i Nismës për Kosovës në Kuvendin e Kosovës, Milaim Zeka u përball me akuza për krim të organizuar’, mashtrim dhe shmangie nga tatimi’.

Këto akuza i kushtuan me arrestim më 16 tetor 2017 . Ndaj deputetit Milaim Zeka Gjykata Themelore në Prishtinë caktoi masën e arrestit shtëpiak, masë e cila u shndërrua në lajmërim në polici më 21 dhjetor .

Deputeti i Nismës duhet të lajmërohet në polici 2 herë në javë sipas këtij vendimi të gjykatës.

Zeka dyshohet të jetë përfshirë në veprat penale  ‘krim të organizuar’, ‘mashtrim dhe shmangie nga tatimi’.

Rasti i Deputetëve të Vetëvendosjes

Deputetit të Vetëvendosjes Albin Kurti edhe ky vit i shkoi në burg.

Pas injorimit të ftesave të Gjykatës Themelore në Prishtinë për paraqitje në seancën gjyqësore në cilësinë e të akuzuarit  për hedhjen e gazit në Kuvendin e Kosovës, deputeti Albin Kurti, bashkë më deputeten tjetër Donika Kadaj-Bujupi u arrestuan më  24 nëntor.

Arrestimi i tyre u bë para Kuvendit të Kosovës, deri sa ata po tentonin të hynin në seancën plenare.

Gjatë arrestimit pati përleshje fizike si pasojë e rezistencës së deputetëve të VV-së dhe aktivistëve që ishin mbledhur aty për të mos lejuar arrestimin e Kurtit.

Arrestimi i Kurtit dhe Kadaj-Bujupit u bë me urdhër të gjyqtarit Beqir Kalludra, pas dështimit të disa seancave kundër katër deputetëve të Vetëvendosjes.

Katër deputetët e VV-së, Albin Kurti, Alublena Haxhiu, Donika Kadaj-Bujupi dhe Faton Topalli  akuzohen për hedhje të gazit lotsjellës  në vitin 2016 në Kuvendin e Kosovës, si mënyrë për të bllokuar ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi dhe ngritjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Këto marrëveshje, të kundërshtuara nga VV, ishin produkt i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Masa e paraburgimit ndaj Kurtit dhe Kadaj-Bujupit  ishte shndërruar në arrest shtëpiak, por kjo masë ishte shkelur nga dy deputetët, më 19 nëntor kur të dy kishin dalë në Shesh për të festuar fitoren e Vetëvendosjes në Prishtinë.

Shkelja e masës së arrestit shtëpiak u kushtoi atyre me rikthim në paraburgim.

Në gjykimin kundër katër deputetëve të VV-së kanë dëshmuar disa deputetë të PDK-së dhe të LDK-së. Ndërsa, pse ishte ftuar si dëshmitar, kreu i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli nuk ishte prezent  në gjykim. Pas kësaj, prokurori i rastit, Valdet Gashi pati vendosur të heq dorë nga dëgjimi i Veselit si dëshmitar. Aktgjykimi ndaj Kurtit, Haxhiut, Kadaj-Bujupit dhe Topallit pritet të bëhet shumë shpejt.

 Rasti i sulmit në Kuvend nga aktivistët e VV-së

Pas një viti gjykim, katër aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, Atdhe Arifi, Egzon Haliti dhe Adea Batusha u dënuan me 21 vjet burgim.

Gjykata Themelore në Prishtinë i gjeti fajtorë katër të akuzuarit për sulmin me granatë të Kuvendit të Kosovës në gusht të vitit 2016 .

Dënimin më të madh e mori deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, me 8 vjet heqje lirie, pastaj aktivisti Atdhe Arifi me 6 vjet burgim, Egzon Halitin me 5 vjet e 6 muaj,  si dhe Adea Batusha u dënua me dy vjet heqje lirie.

Dënimi i tyre u prit me reagime të mëdha nga familjarët, por edhe nga Vetëvendosje.

Ata ishin arrestuar më 30 gusht të vitit 2016, të dyshuar si autorë të sulmit me granatë kundër godinës së Kuvendit, që pati shkaktuar dëme materiale, por pa pasoja në njerëz.

Në mesin e të dyshuarve ishin edhe Petrit Ademi, ndaj të cilit u pushuan hetimet në mungesë të provave, si dhe Astrit Dehari, i cili më 5 nëntor të vitit 2016 vdiq në Burgun e Prizrenit, ku po mbahej në paraburgim prej më shumë se dy muajsh.

Vdekja e të cilit pati ngjallur shumë dyshime dhe ishte përcjellë me debate e akuza politike.

Në dhjetor të vitit 2016, prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovë, Avdurrahim Islami pati ngritur aktakuzë ndaj katër aktivistëve për veprim në një grup të organizuar, me qëllim frikësimin e popullsisë dhe shkaktimin e ndjenjës së pasigurisë për qytetarët dhe institucionet e Kosovës. Rasti ka shkuar në Gjykatën e Apelit, e cila pritet të vërtetoj apo ta hedh poshtë vendimin e Themelores për katër aktivistët.

Nga katër aktivistët e dënuar, vetëm Adea Batusha po mbrohet në liri, pasi ka kaluar më shumë se gjysmën e dënimit në burg.

Deputeti i Vetëvendosjes, Liburn Aliu

Dy vjet pas, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Liburn Aliu  këtë vit është  shpallur fajtor për rrahjen e asamblistit të  PDK-së  në prill të vitit 2015,  Muhamet Selmani, në kohën kur ishe drejtor u Urbanizmit në komunën e Prishtinës.

Ndaj ish- drejtorit të Urbanizimit në komunën e Prishtinës, Liburn Aliu, Gjykata Themelore e Prishtinës ka shqiptuar Urdhër Ndëshkimor, kërkesë të cilën e kishte bërë prokurori i rastit më 9 shkurt 2016.

Aliu ishte dënuar me gjobë në vlerë prej 500 euro, dënim që ai detyrohej ta paguaj 15 ditë nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

Deputeti i VV-së Liburn Aliu  ishte përfshirë në një rrahje me asamblistin e PDK-së, Muhamet Selmani  në prill të vitit 2015 në një restorant të qytetit. Menjëherë pas kësaj ai ishte arrestuar dhe i ishte caktuar masa e arrestit prej 48 orësh. Aliu,  për orë të tëra  ishte marrë në pyetje nga Policia.

 Viti 2018 vit i deputetëve të akuzuar

 Nëse jo këtë vit, në 2018, disa deputetë, disa prej të cilëve  ashmë ministra dhe kryetarë komune, do të  ulën në bankën e të akuzuarve për tu përballur me akuzën për gjuajtjen e gazit lotsjellës brenda sallës së Kuvendit të Kosovës.

Deputetët e Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, Glauk Konjufca, Besa Baftija, Shqipe Pantina, Glauk Konjufca, Aida Dërguti, Teuta Haxhiu, deputetët e AAK-së, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, si dhe deputeti i Nisma për Kosovë, Enver Hoti akuzohen  për “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare.

Listës së tyre do t’i shtohen edhe 11 deputetë të tjerë,  të tri partive politike, ata të Vetëvendosjes, AAK-së dhe Nisma për Kosovë.

Kësaj liste nuk i kanë shpëtuar as ish-deputetët, të cilët tash kanë poste ministrore, apo edhe kryetar komune, përfshirë ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj dhe kryetarin e Prizrenit të dalë zgjedhjet lokale të 22 tetorit, Mytaher Haskuka.

Ndryshe, në dhjetor të vitit 2015, deputetët e opozitës në atë kohë, Vetëvendosje, AAK dhe Nisma, duke kundërshtuar marrëveshjet për Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe dhe Demarkacionin e Kufirit me Malin e zi, kanë hedhur gaz lotsjellës brenda sallës së Kuvendit, duke pamundësuar kështu disa herë radhazi mbajtjen e seancës së rregullt të Kuvendit të Kosovës.

Rigjykimi i  Enver Sekiraqës

 Maratona e Enver Sekiraqës nuk përfundoi në maj të vitit 2016, kur Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi atë me 37 vjet burgim për nxitje të vrasjes së policit Triumf Riza.

Këtë vit, Gjykata e Apelit, e përbërë nga gjyqtarë ndërkombëtar, vendosi që rastin Sekiraqa ta kthej në rigjykim.

Para se të bëhej publik vendimi  për kthimin në rigjykim të rastit, Apeli pati vendosur ta ndërroj masën e sigurisë ndaj tij nga  paraburgimit me arrest shtëpiak.

Por, Sekiraqa e theu masën e arrestit shtëpiak, dhe kjo bëri që Gjykata të marr vendim që ai të rikthehet në burg.

Rasti i tij i është caktuar gjyqtarit Shashivar Hoti, i cili ka bërë të ditur se procesi gjyqësor ndaj tij pritet të nis në muajin shkurt të vitit 2018.

Që nga viti 2009 kur kishte ndodhur vrasja e policit, Triumf Riza, Sekiraqa ishte në arrati, për tu  dorëzuar në vitin 2012.  Pas dorëzimit ai kishte vuajtur një dënim për një incident me policët të cilët tashmë janë në burg dhe të akuzuar për shpërthimin në lokalin e tij në Prishtinë.

Enver Sekiraqa ishte shpallur fajtor dhe ishte i dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës në maj të vitit 2016 me 37 vjet burgim për nxitje të vrasjes së policit të Kosovës, Triumf Riza më 30 gusht 2007 .

Ai është akuzuar për tri vepra penale, derisa akuza kryesore ishte për kryerje të vrasjes së rëndë të pjesëtarit të Policisë së Kosovës.

Prokurori Andrew Carney e ka akuzuar Enver Sekiraqën për shtytje në vrasjen e policit Triumf Riza në gusht të 2007-s në Prishtinë.

Sekiraqa akuzohej se kishte nxitur Arben Berishën për të kryer vrasjen e policit të Policisë së Kosovës, Triumf Riza dhe për vepra të tjera.

Për vrasjen e Rizës është i dënuar Arben Berisha me 30 vjet burgim, si dhe dy persona tjerë. /Arbresh.info/ Gita Lushi/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme