Google ADS

Njeriu që çdo vit shpërndan dhurata për më të vegjlit

09:25 | 29 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Ishin vendosur në një depo jo edhe aq të ngrohtë ku secila prej tyre kishte të shënjuar një numër dhe një vizatim prej vajze ose djali. Janë këto kutitë e shumta të cilat po u përgatiteshin që tu dërgoheshin fëmijëve në gjithë Kosovën si dhurata për festat e fundvitit.

Këtë gjë po e bënë qe 19 vite kompania ‘ADRA’ nga Gjermania e cila çdoherë kujdeset që fëmijët në të gjithë vendin festat t’i kalojnë të gëzuar, duke u dhuruar atyre nga një dhuratë.

Ai i cili merrej pa ndërprerë me këtë punë është Nikola Aslimovski i cili në një intervistë për portalin Arbresh.info tha se këtë gjë po e bën me shumë dëshirë.

“Jam shumë i lumtur që e bëj këtë punë. Gëzimi i fëmijëve kur ua ndajmë dhuratat më bën që të punoj edhe më shumë në këtë drejtim”, ka thënë ai.

Këto pako dhuratash tashmë kanë filluar t’u shpërndahen fëmijëve, dhe  Aslimovski tregon se në cilat vende i kanë ndarë deri më tani.

“Kemi shpërndarë pako në gjithë vendin në Deçan, Ferizaj, Dubravë, Mitrovicë, te komuniteti rom, ashkali, Prishtinë tek kopshtet ‘Yjet e vegjël’, ‘Xixëllonjat’, ‘Shkronjat’, ‘Zogjtë’, te ‘Sos fshati’,  tek klubi ‘Dëshirat’, në qendrën ‘Labirinth’. Po ashtu edhe njerëzve me aftësi të veçanta u kemi shpërndarë”, thotë ai.

Pra sipas tij janë shpërndarë tre mijë pako dhurata dhe do të shpërndahen ende.

“Kemi ende punë dhe do të fokusohemi  në Prishtinë më shumë. Për këtë po më ndihmon gruaja. Një njeri nga Koreja e Jugut bashkë me familjen e tij më ka ndihmuar shumë si për distribuimin e pakove e po ashtu edhe në shpërndarje”, ka theksuar Aslimovski duke shtuar se kjo gjë do të vazhdojë edhe shumë vite.

“Deri sa të kem kem energji do të vazhdojë të lumturoj fëmijët, sepse ajo është gjëja më e mirë që mund ta bëjmë, pra humaniteti”, përfundoi ai./V.Berisha/ Arbresh.info

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme