I akuzuari për terrorizëm, Arben Livoreka është dënuar me dy vjet burgim me kusht, të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Mirëpo, ky dënim nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër të re penale brenda dy vjetësh.
Në këtë rast, i akuzuar për terrorizëm ka qenë edhe Nexhat Behluli, por ndaj tij, gjykata ka shpallur aktgjykim refuzues, pasi që prokurori special, ditë më parë kishte hequr dorë ndjekja penale ndaj tij.
Prokurori special Elez Blakaj, në seancën e fundit që është mbajtur në rastin e njohur si “Harausham”, më 20 dhjetor të këtij viti, ka hequr dorë nga aktakuza për të akuzuarin Behluli.
Arsyet të cilat e kishin shtyrë prokurorin që të heq dorë nga aktakuza janë përmendur në procesverbalin e kësaj seance, të mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Sipas këtij procesverbali, prokurori Blakaj, ka thënë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) është e obliguar që konform nenit 7 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës të analizoi dhe vlerësoi me saktësi dhe korrektësi të gjitha provat si ato inkriminuese dhe ato në favor të të pandehurit.
Sipas prokurorit Blakaj, PSRK-ja dy muaj e fundit kishte kërkuar informata shtesë brenda dhe jashtë Kosovës për të akuzuarin Behlulin dhe kishte pranuar informacione të reja të cilat, sipas tij e ndërrojnë gjendjen faktike dhe situatën e bëjnë të turbullt.
“Komform nenit 3 të Kodit të Procedurës Penale jemi të obliguar që në çdo situatë kur kemi paqartësi apo mjegulli të interpretohen në favor të të pandehurit”, kishte deklaruar prokurori Blakaj, në seancën e 20 dhjetorit.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 janar 2016, të akuzuarit Livoreka dhe Behluli i ka shpallur fajtorë dhe ndaj tyre kishte shqiptuar dënimin prej tre vjet e gjashtë muaj burgim.
Sipas aktgjykimit, në dënim do të llogaritej edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak.
Arben Livoreka ka qenë në arrest shtëpiak nga 10 shkurti 2015 deri më 10 mars 2015, kurse Nexhat Behluli nga 09 dhjetori 2015 deri më 19 janar 2016.
Mirëpo, pas ankesave të mbrojtës, ky rast është kthyer në rigjykim dhe rivendosje më 10 qershor të vitit 2016, nga Gjykata e Apelit.
Në aktvendimin e Apelit thuhej se “Duke pasur parasysh se gjykata e shkallës së parë nuk ka respektuar dispozitat procedurale për pranimin e fajësisë, ndërsa në arsyetim të aktgjykimit nuk ka dhënë arsye për faktet vendimtare, atëherë rezulton se aktgjykimi i ankimuar përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, të parapara nga neni 384,par.1 nen par.12 të KPPK, shkelje këto që kushtëzuan anulimin e aktgjykimit dhe kthimin e çështjes penalo-juridike në rigjykim dhe rivendosje.”
Sipas aktakuzës, Arben Livoreka, më 28 nëntor 2013, nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” në Sllatinë, me aeroplan ka udhëtuar deri në Stamboll. Nga aty më pas ka udhëtuar deri në qytetin Hatai të Turqisë, pastaj me taksi ka udhëtuar deri në kufi të Republikës së Sirisë, në qytetin Hatma, ku e ka pritur i pandehuri Jeton Raka. Sipas aktakuzës, pastaj kanë shkuar në qytetin Haritam, ku i është bashkangjitur grupit “Harausham”, i cili ka vepruar në kuadër të organizatës terroriste “Al Nusra”.
Gjithnjë sipas aktakuzës, aty ka bërë ushtrime ushtarake dy muaj e gjysmë me armë të këmbësorisë. Sipas PSRK-së, meqenëse pjesëtarët e “ISIS” kanë dashur që t’i nënshtrohen komandës së saj, dhe për çka ka ardhur deri te konflikti mes tyre, Livoreka është larguar nga Siria dhe është kthyer nga mesi i muajit gusht në Kosovë.
Kurse, Nexhat Behluli, sipas aktakuzës, më 09 mars 2013, nga Kosova ka udhëtuar në Stamboll, më pas në Ankara dhe Hatai të Turqisë, me taksi ka vazhduar deri në kufi me Sirinë. Kufirin, sipas aktakuzës, e ka kaluar ilegalisht dhe ka shkuar në qytetin Idlib, ku i është bashkangjitur “Al Nusra”, meqenëse mes grupeve të armatosura ka filluar përçarja, më 30 mars 2013, është kthyer në Kosovë./Betimiperdrejtesi
I kërkuari nga Saranda kapet në Tiranë
8 vjet pa Astrit Deharin, Kurti: Jemi të gatshëm si lëvizje ...
Osmani: Kosova e bekuar me përkrahjen bipartizane amerikane
UNICEF lanson raportin: Analizë mbi gjendjen klimatike për f...
Begaj në Lushnjë: Promovim markave vendase të produkteve buj...
Dogana dhe IPK arrestuan një zyrtar doganor dhe një zyrtar p...