Ministri Tahiri: Gjyqtarëve dhe prokurorëve i dyfishohen pagat

12:44 | 28 Dhjetor 2017
M. A.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, përmes një statusi në Facebook, ka bërë të ditur se gjyqtarët dhe prokurorët e shtetit tani i kanë pagat më të larta në rajon.

Sipas ministrit Tahiri, gjyqtarët dhe prokurorët kanë qenë të vetmit që nuk kanë përfituar nga rritje e pagave zyrtarëve të shërbimit publik në vitin 2013.

Gjithashtu, sipas ministrit Tahiri, qëllimi i kësaj rritjeje është rritja e efikasitetit dhe llogaridhënies në sektorin e drejtësisë dhe forcimin e sundimit të ligjit ne vend.

“Jam shumë i lumtur që me buxhetin për vitin që po hyjmë do të ketë rritje substanciale buxhetore për këto institucione për të forcuar sistemin e drejtësisë në vend. Në vitin 2018 gjyqësorit dhe prokurorisë së shtetit do t’i shtohen gjyqtarë dhe prokurorë, si dhe staf profesional shtesë dhe plotësim të nevojave tjera të domosdoshme për të siguruar luftim më efikas të korrupsionit, krimit dhe dukurive tjera negative që bien ndesh me ligjin. Me këtë rast gjithashtu ishte kënaqësi që t’i njoftoj Këshillin Gjyqësor dhe Prokurorial që me hyrjen në fuqi të vendimit për ngritje të pagave për zyrtarët qeveritarë, me automatizëm, në bazë të Ligjit për Gjykata dhe Ligjit për Prokurorinë e Shtetit, do të rriten edhe pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve në të gjitha nivelet. Në vitin 2013 ku të gjitha sektorët e shërbimit publik kanë përfituar nga rritja e pagave, gjyqtarët dhe prokurorët kanë qenë të vetmit që nuk kanë përfituar nga kjo rritje. Andaj, ky është një lajm i mirë edhe për faktin se gjyqtarët dhe prokurorët e Republikës së Kosovës tani i kanë pagat më të larta në rajon. Tani qytetarët e Republikës së Kosovës presin me të drejtë që viti 2018 të jetë vit i rritjes së efikasitetit dhe llogaridhënies në sektorin e drejtësisë dhe forcimin e sundimit të ligjit ne vend. Unë zotohem se bashkë me kolegët nga KGJK dhe KPK do të angazhohemi fuqishëm që në fund të vitit të ardhshëm të raportojmë suksese të mëtutjeshme në këtë sektor”, ka shkruar ministri Tahiri.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme