Haradinaj: Do të marrim vizat por edhe Kullën dhe Çakorrin

19:59 | 27 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj ka folur në Info Magazine të Klan Kosovës, për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

“Ky problem është trashëguar dhe nuk kemi hezituar ta trajtojmë, kemi krijuar një komision të ri i cili me të gjeturat i është drejtuar edhe Qeverisë e Kuvendit, i takon Komisionit Parlamentar që ta procesojnë në seancë dhe më pas është në duart e deputetëve”.

“Qeveria ka bërë mirë që e ka dërguar në Kuvend dhe kjo duhet të marrë një epilog në Kuvendin e Kosovës”.

Ai ka thënë se ai do të votojë kundër dhe se edhe Mali i Zi duhet të rinegociojë këtë çështje.

“Unë do të votoj kundër dhe nuk ka asnjë dilemë”.

“Në momentin që e sjellim në Kuvend, mendoj që edhe Mali i Zi do të jetë i gatshëm të bisedojmë prapë”.

Haradinaj ka thënë se askush nuk garanton se edhe nëse Demarkacioni me Malin e Zi ratifikohet në Kuvendin e Kosovës se Kosovës do t’i bëhet liberalizimi i vizave.

“Ne do ta marrim liberalizimin e vizave por do ta marrim edhe Kullën dhe Çakorrin, është e padrejtë të mbahemi të izoluar prandaj edhe ne po e shtyjmë që të marrë një epilog”.

“Nëse kalojmë Demarkacionin, kush na garanton se do t’i kemi vizat, nëse ne i kryejmë detyrat e shtëpisë. Kemi 100 ditë pa asnjë aferë korruptive, FSK-në e kemi të gatshme ta marrë misionin e ri, bashkëpunimi i brendshëm ndëretnik nuk kemi problem, janë argumente që BE-ja ta kuptojë që Kosova është shtet funksional dhe si i tillë duhet të ketë dyert e hapura për BE-në”.

Ai në fund ka komentuar edhe rezultatin për Istogun që me certifikimin e sotëm nga KQZ-ja, LDK ka fituar këtë komunë kundrejt AAK-së.

Haradinaj nuk është pajtuar me vendimin e Gjykatës Supreme.

“Istogun – Aleanca e ka humbur në tavolinë, nuk e ka humbur në popull, nuk e di në çka e kanë bazuar saktë”.

“Është një turp për atë vendim, ishalla ka rast edhe naj pikë Prokurorie që i kqyr kto gjëra çfarë po ndodhin”./klan kosova

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme