Matematika e profesorit të ekonomisë, Isa Mustafës, duket se nuk kishte funksionuar mirë gjatë kohës sa ai ishte në krye të Qeverisë së Kosovës.
Mustafa si shef i qeverisë del se nuk është treguar i suksesshme në uljen e shpenzimeve të buxhetit gjatë vitit 2016.
Ministrat e kabinetit të tij nuk kanë kursyer parat e shtetit kur ishin në pyetje drekat zyrtare, telefonat e derivatet.
Madje, vartësit e Mustafës nuk janë brengosur fare edhe nëse e kanë tejkaluar kufizimin mujor prej 500 euro për këtë qëllim.
I pari që prin në listën e ministrave që ka shpenzuar më së shumti për reprezentacion është ish-Ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku.
Çollaku në vitin 2016 kishte shpenzuar 14 mijë e 372 euro. Ndonëse kishte dhënë dorëheqje, ai nuk i kishte ndalur shpenzimet nga buxheti edhe pas dorëheqjes së tij.
“Ministri Çollaku më 9 shtator 2016 ka bërë publike dorëheqjen e tij nga posti i ministrit, por raporti i shpenzimeve tregon që ka përdorur buxhet edhe gjatë muajve shtator dhe tetor”, thuhet në raportin “Si i shpenzon shteti paret tona?”, që ka publikuar Instituti GAP, shkruan Gazeta Fjala.
Shuma të majme parash për reprezentacion kanë shpenzuar edhe ish-Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar dhe Ish-Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi.
Këta të tre së bashku me ministrinë Ljubomir Maric dhe Hykmete Bajramin kanë tejkaluar shumëfish kufizimin mujor prej 500 euro.
“Ministri i Administratës Publike Mahir Yagcilar me 13,560 euro dhe Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi me 12,189 euro. Ministrat e lartë cekur si dhe ministrat Ljubomir Maric dhe Hykmete Bajrami kanë tejkaluar shumëfish kufizimin mujor prej 500 euro”, thuhet në raportin e GAP-it.
Drekat e shtrenjta të MIE-së dhe MPMS-së
Të trembëdhjetë ministritë në Qeverinë Mustafa kishin shpenzuar së bashku për reprezentacion 202 mijë e 777 euro, pa llogaritur këtu shpenzimet e Zyrës së Kryeministrit, Ministrinë e Financave, Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme, të cilat nuk kanë pranuar të deklarojnë shpenzimet.
Ministri Çollaku dhe Abrashi me kabinetet e tyre kanë shpenzuar më së shumti për dreka zyrtare.
“Ministria e Integrimeve Evropiane ka shpenzuar 29,530€, ndërsa Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale 22,745 euro”.
Por, as zëvendësministrat nëpër ministri të ndryshme nuk kanë mbetur nën hije të shefave për nga shpenzimi i parave për reprezentacion. Vetëm zëvendësministri në Ministrinë e Integrimeve Evropiane, Ramadan Ilazi ka shpenzuar 11 mijë e 380 euro për dreka zyrtare.
“ Pas tij radhitet zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Radolub Miladenovic me 3,275 euro, dhe zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Qazim Rrahmani, me 3,224 euro. Zëvendësministrat e lartë cekur kanë tejkaluar kufizimin mujor prej 200 euro”, thuhet në raportin “Si i shpenzon shteti parat tona?.
Më mirë me shpenzime nuk qëndrojnë as Ministria e Administratës Publike dhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Të dyja bashkë për dreka zyrtare kanë shpenzuar më shumë së 37 mijë euro, para që janë marrë nga buxheti i vendit më të varfër në rajon, shkruan Gazeta Fjala.
Telefonatat e shtrenjta të Stavilecit
Blerand Stavilecit në kohën sa ishte Ministër i Zhvillimit Ekonomik duket se i është nevojitur goxha shumë telefoni, pasi që ka shpenzuar goxha para për këtë qëllim.
Vetëm për telefonin e Stavilecit janë shpenzuar 2 mijë e 695 euro. Por, nuk janë pak edhe shuma e parave që ka shpenzuar zëvendësi i tij, Gani Koci, shpenzimet e të cilit janë 1 mijë e 767 euro.
Ministria e udhëhequr nga Stavileci është liderë në shpenzimet në telefoni mobile.
Para të majme në telefon ka harxhuar edhe ish- zëvendësministri në Ministrinë e Diasporës, Januz Frrokaj, i ndjekur nga shefi i tij, Valon Murati.
“Januz Frrokaj për telefona ka shpenzuar 1,526.94 €, ndërsa Valon Murati 1,488.19 €”, thuhet në raportin që ka publikuar Instituti GAP.
Sipas këtij raporti Ministritë që kanë shpenzuar më së shumti në telefoni mobile janë: Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministria e Diasporës.
11 mijë e 347 euro është shuma e parave që ka shpenzuar MZHE-ja , e ndjekur nga MBPZH-ja me 9 mijë e 764 euro dhe Ministria e Diasporës me 8 mijë e 841 euro.
Ndonëse ishte e para për shpenzime në derivate, Ministria për Kthim dhe Komunitete për shpenzime në telefona ka mbetur e fundit. Komplet kabineti i kësaj ministrie ka shpenzuar sa Stavileci. Shuma e parave që ka shpenzuar kjo ministri është 2 mijë e 697 euro.
Kryeministri dhe zëvendësit e tij pa kufizime
Për ta menaxhuar në mënyrë sa më efikase buxhetin e Kosovës për reprezentacion, në vitin 2008 është miratuar një udhëzim administrativ i cili ka përcaktuar mënyrën dhe shumën e shpenzimeve të reprezentacionit për zyrtarët e lartë publik
Sipas këtij udhëzimi janë 12 pozita në kuadër të institucioneve të Qeverisë së Kosovës që kanë të drejtë në shpenzime të reprezentacionit. Sipas nenit 5 të këtij udhëzimi, kryeministri dhe zëvendësit e tij/saj nuk kanë fare kufizime në këtë kategori shpenzimesh. Ministrat kanë të drejtë që të shpenzojnë deri në 500 euro në muaj, zëvendësministrat deri në 200 euro, këshilltarët politikë deri në 100 euro, shefat e kabineteve të ministrive deri në 50 euro, e kështu me radhë.
“Shpenzimet e reprezentacionit përdoren vetëm për mbulimin e shpenzimeve të takimeve zyrtare dhe nuk mund të përdoren për qëllime tjera. Këto shpenzime duhet të arsyetohen me fatura dhe në rast të tejkalimit të kufizimeve, shumat e tejkaluara duhet të mbulohen nga vetë zyrtarët”, thuhet në udhëzimin administrativ për shpenzime të reprezentacionit./Gazeta Fjala
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së miratoi projekte të rëndësishme ...
Suplementet që nuk duhet t’i merrni kurrë së bashku, sipas e...
Xheneta ia shqyen tekstin e këngës që Gjesti shkroi gjatë që...
Biden do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të zgje...
Spektakël në ndeshjet e sotme në Ligën e Kampionëve, shënohe...
Shtohen infeksionet respiratore në Shqipëri, Pediatria e mbu...