Google ADS

Lekaj tregon se kur përfundojnë punimet në zgjerimin e rrugës në Veternik

22:24 | 26 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Rruga me katër korsi që e lidh qendrën e Prishtinës me Veternikun, e cila ishte paraparë të përfundonte qysh në fillim të muajit dhjetor, ende nuk është finalizuar.

Ndonëse, në kahun Veternik-Prishtinë automjetet po qarkullojnë, zyrtarisht punimet ende nuk kanë përfunduar. Kështu së paku thonë në Ministrinë e Infrastrukturës.

Vetë ministri Pal Lekaj, në një prononcim për Indeksonline ka thënë se janë shumë arsye pse rruga ende nuk është liruar për qarkullim.

Por, Lekaj është shprehur se po bëjnë të gjitha përpjekjet që i tërë segmenti të lirohet në fillim të 2018-ës.

“Rruga është e lirë dhe ka lëvizje të automjeteve, nëse po pyesni se pse janë zgjatur punimet në zgjerimin e saj me tepër se që është planifikuar, atëherë këtu janë shumë komponentë. E para dhe kryesorja që ka bërë të zgjatet kjo çështje është se punët nuk kanë shkuar sipas planifikimeve dhe ka pasur disa telashe që nuk kemi lejuar të anashkalohen. Nuk mundemi të themi saktë tani se kur do të mund të lëshohet i tërë segmenti, sigurisht që në fillim të vitit tjetër do të bëjmë tërë përpjekjet”, tha ministri Lekaj.

I pari i Ministrisë së Infrastrukturës ka sqaruar se janë krijuar dy komisione të veçanta, të cilët janë duke u marrë me problemet e shfaqura gjatë punës në terren.

Lekaj ka theksuar se në asnjë mënyrë nuk do lejojnë që punët të kryhen “shkel e shko”, sepse në pyetje është siguria e banorëve që jetojnë poshtë Veternikut.

“”Pse’n” e saktë do ta thënë dy komisionet që tashmë janë krijuar dhe po bëjnë punën e tyre pse ka ardhur deri te problemet të cilat janë shfaqur gjatë punës në teren, por ajo që mund të themi është se ka pasur telashe në cilësinë e punëve dhe po ashtu ka pasur ndoshta një situatë jo fortë të qartë të cilën e kemi trashëguar dhe për të cilën kemi kërkuar raport të dyfishtë. Tani po presim që komisionet ta thonë të tyren për të parë vendimet tona që do të marrim me pastaj. Por ajo që mund t’i garantojë qytetarët është se nuk do të tolerojmë që punët të kryhen “shkel e shko”, sepse është në pyetje siguria e tyre gjatë lëvizjes me automjete dhe në këtë rast edhe e banorëve që jetojnë poshtë Veternikun”, shtoi Lekaj.

Kujtojmë se zgjerimi i rrugës Prishtinë-Veternik ka nisur në prill të këtij viti dhe nga ministri i kaluar,Lutfi Zharku, ishte paraparë që punimet të zgjasin rreth 110 ditë./indeksonline

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme