Google ADS

Krasniqi: Besova dhe besoj te secili anëtar i PDK-së që s’është helmuar

23:10 | 26 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, aktualisht kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi ka folur për besimin që kishte në jetë tek njerëz të ndryshëm, si para dhe pas lufte.

Ai në një postim në rrjetin social Facebook ka shkruar se vazhdon të besoj edhe tek secili anëtar dhe simpatizant i PDK-së, që nuk është helmuar me babëzinë e grabitjes së pasurisë kombëtare.

Krasniqi tutje ka shkruar se pikërisht besimi në familjen e Adem Jasharit dhe luftën e Ushtrisë së tij Çlirimtare, ka deponuar tërë jetën e tij dhe të familjes për liri.

Postimi i plotë:

PO, KAM BESUAR

Po, kam besuar në drejtësinë për të cilën kanë luftuar gjenerata të tëra kombesh e vendesh të ndryshme. Kam besuar në drejtësinë që, fundja, është aspiratë e njerëzimit për një drejtësi shoqërore. Edhe kombi ynë, sikur shumë kombe të tjera të përparuara, ka luftuar gjatë, por edhe është sakrifikuar shumë për liri, drejtësi e barazi.

Kam besim të thellë në drejtësinë, e cila mes njerëzve vendos jo vetëm vëllazëri, ekuilibër, por edhe mundësi të barabarta. Kam besuar në idealet njerëzore, për lirinë individuale e kolektive në mes njerëzve, në fuqinë dhe drej-tësinë ku ligji vlen për të gjithë, si për të fortin, ashtu dhe për atë më të dobëtin. Besoj, po, thellësisht, në drejtësinë hyjnore, e cila konfirmon se njerëzit nga Zoti dhe për Zotin lindin të barabartë, ndërsa, sundimtarët njerëzit i bëjnë lajkatarë, servilë, të përulur e të padinjitet dhe jo rrallëherë edhe “mish për top”.

Kam besuar dhe besoj në ndershmërinë, qëllimet dhe parimet në të cilat betohen shokët besnikë të një ideali për komb, fe e atdhe! Sikundër kam besuar pareshtur në idealet e përbashkëta të korifenjve të lirisë, të bashkimit kombëtar dhe të demokracisë, po aq sa kam besuar ndershmërisht në idealin e njerëzve të Lëvizjes Kombëtare për Çlirim dhe në atë që e quaj nder dhe privilegj – rreshtimin në UÇK-në e Legjendarit Adem Jashari.

Pikërisht besimi tek Adem Jashari dhe Ushtria e Tij Çlirimtare, më bëri të deponoj gjithë jetën time e të familjes sime, sepse për jetët e të tjerëve nuk kisha as kam të drejtë të ndërhyj. Po, për këtë jam shumë krenar. Unë besova, sikundër guxova dhe ngadhënjeva me idealet çlirimtare, gjithnjë me besimin e patundur në mendje e në zemër se ia vlente çdo flijim për Atdheun, për lirinë, për drejtësinë, për zhvillimin dhe shtetin e së drejtës, për demokracinë që ligjëson lirinë.
Besova tek secili ushtar si në luftë, po ashtu edhe pas lufte.

Por me këtë rast s’mund të them se nuk gabova, për faktin e thjeshtë se besova me besnikëri, edhe pse populli thotë: “besnik bëhu e besë mos zë”. Besova dhe vazhdoj të besoj tek secili anëtar e simpa-tizant i PDK-së, që nuk është helmuar me babëzinë e grabitjes së pasurisë kombëtare, që nuk ka shkelur në idealet çlirimtare, që nuk ka përbuzur vlerat e fjalës së dhënë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme