Një vakt Krishtlindjes për të pamundurit në Tiranë

15:08 | 25 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Një vakt i ngrohtë dhe shumë dashuri. Kjo ishte ajo që ofruan sot me rastin e festës së Krishtlindjes mensat sociale të Tiranës.

Për të tretin vit radhazi, Bashkia e Tiranës edhe këtë festë e kaloi duke u shërbyer drekën festive të moshuarve dhe njerëzve në nevojë që frekuentojnë mensat sociale që janë ngritur në Tiranë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i shoqëruar edhe nga të rinj vullnetarë, zgjodhën që të uronin “Gëzuar Krishtlindjen” duke shërbyer drekën në mensën sociale në Kombinat dhe duke përcjellë mesazhin se kur ka vullnet dhe dëshirë, të gjithë bashkë mund të bëjnë gjëra shumë të mira, siç është edhe mbështetja për të pamundurit.

“Sot është një ditë e veçantë, është Dita e Krishtlindjes, dita kur dashuria e mund urrejtjen, kur shpresa e mund frikën, kur drita e mund errësirën dhe unë besoj se në qytetin tonë, qytet me 1 milionë vetë, qytet hallemadh, por kur ka dashuri, kur ka mirësi, kur ka vullnet ne mund të bëjmë gjëra të mrekullueshme. Ndaj më vjen mirë që u bë 2 vjet e gjysmë që qendrat tona sociale funksionojnë me ritëm të plotë, që kemi jo vetëm një vend për të kaluar një vakt, por edhe në vend për të pasur një shok, një shoqe, edhe një vend tjetër për të pasur pranë dikë për të qarë një hall, për të kujtuar, për të kërkuar ndihmë”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Më tej, ai theksoi se që qyteti i Tiranës të jetë më i mirë duhet që çdo kush të tregohet solidar dhe të ndihmojë ata që kanë nevojë.

“Dua t’ju falënderoj me gjithë zemër që e keni mbështetur këtë projekt dhe që sot këtu kemi një nga qendrat dhe modelet më mira se si mund ta ndihmojmë njëri-tjetrin. Në 2018, nëse çdo shqiptar, çdo tiranas që është në gjendje, të ndihmojë një fqinj, një komshi, që mund të jetë solidar me dikë që është në nevojë, besoj që mund të kemi një qytet të mrekullueshëm”, shtoi Veliaj.

Ai falenderoi të gjithë ata që gjatë këtij viti i janë bashkuar nismave sociale të Bashkisë së Tiranës, qoftë duke dhuruar diçka apo edhe duke shërbyer në mensat sociale.

“Shumë faleminderit të gjithëve. Dua të ngre një dolli për të gjithë ata që shërbejnë këtu, duke falenderuar djalin që ka gatuar, të gjithë punonjësit socialë që e bëjnë këtë punë përditë, dua t’i japim një duartrokitje të gjithë studentëve që na kanë ardhur për të na ndihmuar dhe të gjithë atyre që nga pasuria e zemrës së tyre shërbejnë në qendrat tona sociale. Kështu që, dua ta ngre këtë dolli për ju, gëzuar Krishtlindjet, gëzuar Vitin e Ri, mbarësi”, uroi Veliaj.

Ndërkohë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj uroi sot të gjithë besimtarët e krishterë.

Fillimisht ai vizitoi selinë e Vëllazëria Ungjillore dhe më pas mori pjesë në pritjen e Kishës Ortodokse ku i uroi këtë festë Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Anastas Jannullatos, e më pas, nëpërmjet medias, edhe gjithë shqiptarëve.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme