‘Mjekët që nuk respektojnë orarin e punës do të ndëshkohen’

11:54 | 25 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Pajisja e kartelave për stafin mjekësor të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ka shtuar reagime te mjekët e këtij institucioni. Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës Basri Sejdiu, ka thënë për Radio Kosovën se është në dijeni për një gjë të tillë, por ai thotë se orari i punës duhet të respektohet.

Përpos mungesës së barnave dhe materialeve shpenzuese, në Qendrën Klinike Universitare e Kosovës, jo rrallë herë mungon edhe stafi mjekësor. Mungesa e këtyre të fundit është sepse disa nga ta, ikin nga vendi i punës gjatë orarit. Kjo është arsyeja, pse QKUK ka vendosur ti monitoroj mjeket përmes kartelave elektronike, ka thënë për Radio Kosovën Basri Sejdiu, drejtor i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës

Tani çka vërehet është se ardhja është në ora 7-të të mëngjesit, që me të thënë të drejtën në periudhat e kaluara ka qenë më tolerante dhe gjëja tjetër është se fluksi më i madh i daljes nga puna te “lauratë” shihet se është 15 minuta para orës 3. Do të thotë është ajo periudha që ka fillua të respektohet ashtu si duhet.

Doktor Xhemajl Selmani, njëherit kryetar i sindikatës se punëtorëve të QKUK-së, thotë se monitorimi i hyrje daljeve të punëtorëve shëndetësorë është ofenduese për mjeket dhe se kirurgët nuk mund të kenë orar fiks.

Sa i përket kontrollit strikt të orarit të punës sipas specifikave nuk mund të bëhet. Edhe u’a tërheq vërejtjen menaxhereve të lartë që mos të nxjerrin probleme të mëdha në kuadër të kësaj, dhe mos të presin menaxheret se do ë respektohet orari strikt, sepse shteti jo qe e paguan keq një kirurg, por nuk ka mundësi ta paguaj punën e tij nëse atij i duhet të kthehet në orët e vona, nëse ka ndonjë gjakderdhje pacienti qe e ka operua para dite.

Për Drejtorin Sejdiu kjo nuk është arsye që mjekët të shprehin revolt.

Me ligj është e rregulluar që çdo punë jashtë orarit të punës paguhet. Në shëndetësi pa disiplinë, pa respektim të orarit të punës ai që do të pëson me së shumti është pacienti.

Basri Sejdiu, drejtor i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës tha se mjekët që nuk e respektojnë orarin e punës do të përballe me vërejtje dhe forma të ndryshme të ndëshkimit./rtk/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme