Armand Duka rrëfehet për gjithçka

21:42 | 24 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka një rrëfim në një emision në Supersport foli për çështjet më të nxehta të futbollit shqiptar, për ecurinë e tij gjatë 2017-ës, për krijimin e Ligës Profesioniste dhe dhe sigurisht për rikandidimin e tij për president në zgjedhjet që do të mbahen në Asamblenë e Përgjithshme Zgjedhore pranverën e ardhshme.

Më poshtë mund të lexoni intervistën e plotë.

A jeni i kënaqur me renditjen në eliminatoret e Botërorit?

I kënaqur me renditjen, duke parë ekipet që kishim në grup, por jo plotësisht i kënaqur me performancën e skuadrës. Kishim mundësi për të dhënë më shumë, qoftë për të kënaqur më shumë spektatorët, qoftë për të mbledhur ndonjë pikë më shumë. Post Euro 2016-a pati atë rënie, që mendoja se do të përfundonte më shpejt, por për mendimin tim, përfundoi vetëm në Izrael, ku fituam 0-3. Për skuadra jo shumë të mëdha, të pamësuara me suksese, ai grafik në rënie mund të ishte edhe më i gjatë, por mund të ishte edhe më i shkurtër dhe për këtë pjesë nuk jam i kënaqur. Nuk jam i kënaqur për humbjen në shtëpi me Izraelin, por jo për renditjen, pasi nuk besoj se mund të arrinim më shumë me atë grup që kishim.

Nëse do të ishte Shqipëria në vend të Italisë, përballë Suedisë në play off, a do të shpresohej për një kualifikim?

Më erdhi keq për Italinë, pasi është një humbje e madhe për Botërorin, por Suedia tregoi në fushë se e meritoi kualifikimin. Nëse do të ishim ne në vend të Italisë, mendoj se do të ishim një kundërshtar shumë më i fortë për suedezët, të paktën me atë që pamë në fushën e lojës.

Kalimi nga De Biasi te Panucci u duk se ishte pa shumë kosto. A mund të konsiderohet ky një sukses?

Nëse është apo jo i suksesshëm vendimi për të ndryshuar staf, do ta shohim në vazhdim. Vendimi për të ndryshuar stafin në 4 ndeshjet e fundit zyrtare, u mor për t’i shërbyer objektivit madhor, që është pjesëmarrja jonë në Europianin e Vitit 2020 dhe nuk mund të themi që ky është një bast i fituar, pasi duhet ta shohim në vijimësi. Shenjat janë të mira dhe kemi zhvilluar në përgjithësi ndeshje pozitive, pavarësisht se ka vend për vërejtje.

De Biasi u largua 4 ndeshje nga fundi. A mund ta mbyllte ai edicionin e eliminatoreve?

Vendimi për largimin e tij është marrë në harmoni të plotë më De Biasin dhe largimi i tij nuk e dëmtoi skuadrën, ashtu si nuk do ta dëmtonte qëndrimi. Vendimi për largimin e tij ishte në harmoni të plotë me të gjithë dhe vetëm në të mirë të Kombëtares Shqiptare.

Çfarë ndodhi pas ndeshjes me Luksemburgun? Trajneri erdhi në zyrën tuaj dhe duam të dimë diçka më shumë.

Në fakt, nuk ndodhi asgjë. Humbja ndaj Luksemburgut, fatmirësisht, ishte në ndeshje miqësore. Ata janë një skuadër e vogël në letër, por që realisht janë rritur shumë kohët e fundit. Por duke parë rezultatet tona në vitet e fundit, kjo humbje ishte e papranueshme për ne dhe për vetë De Biasin. Gjatë kohës që ai ishte trajner i Shqipërisë, thoshte me shaka “ju kam gjetur në kohën kur ju rrihte Luksemburgu”, por na la pikërisht kur na mundi Luksemburgu. Natyrisht që është e dhimbshme një humbje e tillë, por nuk duhet bërë dramë, sepse mund të sjellë pasoja të tjera më të mëdha dhe më negative. Ajo humbje, në njëfarë mënyre, ndoshta na bëri mirë, pasi e kemi diskutuar edhe më pas, se në ato momente edhe vetë çunat e kuptuan që “thika po u shkonte në kockë” dhe duhet të reflektonin në ndeshjen me Izraelin e më pas.

Cili është raporti juaj me De Biasin?

Komunikoj rregullisht me të, edhe kur ishte trajner në Spanjë. Mund t’ju them se ai i ndjek zhvillimet në Shqipëri, mbase edhe më shumë sesa unë, sepse shpesh më informon në lidhje me shkrimet e gazetave shqiptare. Jemi konsultuar edhe kur ka marrë Alavesin, por edhe për mundësi të tjera që ka pasur. Marrëdhëniet midis nesh mbeten shumë të mira dhe kështu duhet të jetë për të gjithë në fakt.

Si e komentoni aventurën e De Biasit tek Alavesi, ku qendroi vetëm 8 javë?

Në futboll duhet të jesh i duruar dhe tek Alavesi duhet të prisnin akoma më shumë. Nëse do bënim të njëjtën gjë edhe ne, De biasin do ta kishim larguar që në vitin e parë, por mendoj që bëmë mirë që u treguam të duruar.

Panucci është një trajner pa shumë përvojë. Gjithmonë keni zgjedhur në krye të kombëtares trajnerë me CV të pasur. Pse e ndryshuat kursin këtë herë?

Kam marrë vendimin që unë e konsideroj të duhur dhe në momentin e duhur. Kam zgjedhur trajnerin që i duhet skuadrës në këtë moment, duke parë formën e skuadrës dhe objektivat e saj. Në asnjë moment nuk jam penduar për zgjedhjen e bërë dhe këtë herë mendoj gjithashtu se kam bërë zgjedhjen e duhur, në momentin e duhur. Ekipi ynë, pas suksesit në Europian, u zmadhua shumë psikologjikisht dhe u krijua shumë entuziazëm dhe eufori, ndaj i duhej një staturë e fortë dhe me energji e suksese, për t’i demonstruar kësaj skuadre se “ju jeni akoma në stacionin e dytë dhe keni mundësi të shkoni akoma më lart, ashtu siç kam shkuar edhe unë”.

Cilët ishin rivalët e Panuccit? Pse zgjodhët pikërisht atë?

Në fakt janë publikuar emrat e personave me të cilët kemi biseduar, si Seedorf, Zenga, De Canio, që të gjithë ishin shumë të mirë dhe më lanë përshtypje mjaft të mira. Seedorf, për mua ishte një nga njerëzit më intelektualë dhe më i përgatitur, nga më të mirët që unë kam parë në botën e futbollit, por nuk më bindte për postin e trajnerit. Më ka lënë mbresa të jashtëzakonshme dhe mund ta zgjidhja për çdo gjë, përveç postit të trajnerit, por nuk e mendoja që do të vinte një ditë, që ne do t’i thoshim jo pëfaqësuesit të një kandidature të tillë, kaq të madhe, kaq të përgatitur dhe kaq intelektuale. Vërtet më ka lënë përshtypje jashtëzakonisht pozitive Seedorf, por edhe De kanio ishte njeri me shumë eksperiencë dhe mjaft i përgatitur. Panucci më bindi sepse demostroi një dëshirë shumë më të madhë se të tjerët dhe një grintë të jashtëzakonshme, dhe unë mendoj se grinta dhe pasioni në futboll, janë shumë të rëndësishme, sepse edhe De Biasin e kam zgjedhur për të njëjtat karakteristika.

Ku ndryshon De Biasi nga Panucci?

Kam pasur përshtypjen se Panucci do të ndërtojë një skuadër akoma më difensive se De Biasi, për vetë idenë që kisha krijuar nga loja e tij dhe statura prej futbollisti, por ndodhi krejt e kundërta. Ai ka një mentalitet tjetër, ofensiv dhe ndryshe nga shkolla italiane e futbollit dhe kjo gjë pëlqehet nga të gjithë ndjekësit, por duhet qenë pak më i kujdesshëm, pasi në futboll mbahet mend rezultati. Ky është ndryshimi mes tyre, pasi De Biasi ishte shumë më pragmatist.

Cilat janë objektivat për Panuccin në krye të Kombëtares?

Objektivi ynë i vetëm për kombëtaren, është pjesëmarrja në “Euro 2020” dhe kjo nuk është vetëm një dëshirë, apo një ëndërr e parealizueshme, sepse realisht ne i kemi mundësitë. Ne kemi një skuadër që mund të arrijë edhe e para në grup, por edhe e dyta. Gjithsesi, varet edhe se çfarë do të ofrojë shorti, si do të jetë ecuria e edicionit, veçanërisht me dëmtimet, por duhet të kemi edhe pak fat. Ashtu siç e ndjek unë futbollin, mendoj se përveç Spanjës, ne mund të luajmë me çdo skuadër tjetër në Europë dhe të bëjmë rezultat, ashtu si për vetë mentalitetin tonë shqiptar dhe ballkanas në përgjithësi, mund të humbim edhe ndaj kundërshtarëve shumë të dobët. Kemi mundësitë dhe të gjitha kushtet, për t’u kualifikuar. Unë besoj se për sa i përket motivimit dhe dëshirës, ne jemi skuadra më e mirë e botës. Dëshirën e këtyre futbollistëve për të kontribuuar për kombëtaren, nuk e ka asnjë kombëtare në botë.

A ju vjen keq që talente të caktuara, si Enis Bardhi, nuk luajnë për Shqipërinë? Mendoni se duhet të ishte bërë pak më tepër në këtë drejtim?

Ky është sport dhe subjektivizmi është brenda. Në futboll kemi raste plot, kur një lojtar është lënë i lirë nga një skuadër dhe pas një viti është bërë titullar dhe është shitur shtrenjtë. Subjektivizmi dhe vlerësim i injerëzve është në këtë mes dhe unë besoj se duhet të jemi të kënaqur me seleksionimin.

Investimi në kombëtaret e moshave nuk po kthehet në sukses. A është rastësi, apo çështje përzgjedhjeje?

Ne realisht shpenzojmë më shumë energji dhe më shumë financa për ekipet e moshave, sesa për ekipin e parë. Synimi ynë është t’i rritim këta futbollistë dhe t’i bëjmë të na shërbejnë në ekipin A. Ne jemi të kënaqur, sepse firot e atyre që marrin pjesë në U-17, deri në ekipin e parë, janë shumë të pakta. Mendoj se këtë edicion moshat kanë dhuruar paraqitje shumë të mira, por u ka munguar edhe fati në momente të veçanta. Gjithsesi, synimi është të përgatisim lojtarë për Kombëtaren A dhe nëse bëjmë edhe sukses, atëherë do të ishte më mirë.

Kukësi u shpall kampion mes shumë polemikave. A ishte ky viti më i keq për sa i përket arbitrimit? I referohem edhe fillimit të këtij sezoni.

Nuk besoj se ka ndonjë ndryshim nga vitet paraardhëse. Arbitrimi ka ecur pozitivisht, ashtu si të gjitha gjërat në futboll. Gabimet kanë ekzistuar dhe do të vijojnë të ekzistojnë, por pikërisht për këtë ka njerëz që punojnë, për të përmirësuar arbitrimin. Për mendimin tim, niveli i arbitrimit në Shqipëri, është i barabartë me nivelin e futbollit tonë. Për sa ka ekzistuar kjo lojë dhe për sa kohë unë e ndjek, pjesëmarrësit në garë kanë dhe do të vijojnë të kontestojnë arbitrimin. Gabimet arbitrare do ta shoqërojë gjithë kohën këtë sport.

Si e komentoni pezullimin e Lorenc Jeminit?

Vendimet e pezullimit të arbitrave nuk publikohen, pasi ky është rregulli i futbollit. Kjo është një kontratë pune dhe vlerësohet nga performanca. Ashtu si me një futbollist, që trajneri e lë në stol për shkak të performancës dhe nuk jep sqarime, edhe me arbitrat vlerësohet performanca dhe vendoset.

Në konceptin tuaj, gjyqtarët janë të paaftë apo të korruptuar?

Gabimet jonjerëzore të gjyqtarëve janë minimizuar, por jo eliminuar krejtësisht. Megjithatë, në Kategorinë Superiore ka vetëm gabime njerëzore.

Tirana ra nga Kategoria. Cili është komenti juaj?

Kjo është një ngjarje, sepse ekipi me më shumë trofe ra nga kategoria, por kjo është një lojë, ku duhet të organizohesh mirë, të luash mirë dhe në fund të kesh edhe pak fat. Nuk mund të themi që Tirana ishte skuadra më e dobët e kampionatit, por fatkeqësisht unë nuk kam mundësi sportive që të kontriboj që Tirana të mos bjerë. Gjithsesi, më duket se këtë vit Tirana po i bën mirë gjërat nga ana sportive dhe uroj që vitin e ardhshëm të jetë në Kategorinë Superiore. Uroj gjithashtu që të mos kemi ndonjë skuadër tjetër me emër kaq të madh sa Tirana, që të bjerë, pasi të gjitha skaudrat aktuale të Superiores janë ekipe me histori në futbollin shqiptar. Por në ekonominë e tregut nuk ka më ekipe të mëdha apo të vogla. Ka vetëm klube që organizohen mirë dhe jo mirë.

Disa nga aktorët e Superiores, si Partizani dhe Flamurtari, vënë në dyshim integritetin dhe besueshmërinë e garës. A ka një përgjigje nga ana juaj për këto klube?

Në çdo rast, ekipi që nuk arrin atë që dëshiron, e kërkon gabimin tek tjetri dhe te Federata e kërkojnë më lehtë. Fajin e ka vetë skuadra, kur nuk fiton një ndeshje, apo nuk arrin një rezultat. Futbolli është lojë e gabimeve arbitrare, por në fund gjithsecili merr atë që meriton. Mesazhi im për trajnerë apo drejtues është se në momentin që e transferojnë përgjegjësinë, i bëjnë dëm skuadrës, pasi ata shkarkohen nga përgjegjësia e tyre për të garuar. Problemet dhe hallet zgjidhen brenda familjes, dhe ankesat duhet shprehur brenda organeve të institucionit. Shprehja e humbjes së besimit, për të justifikuar rezultatet e skuadrës, dëmton një të mirë që e kemi ndërtuar të gjithë bashkë.

Federata vendosi t’i hiqte titullin e sezonit 2015-2016 Skënderbeut, por në Europa League ju u patë si një ultras i korçarëve, ashtu si edhe më përpara me Kukësin. Cili është raporti juaj me garën në vend dhe për më tepër kur klubet që marrin pjesë në Europë?

Në fakt “mëkatin” e festimit e kam bërë gjithmonë në ndeshjet e Kombëtares dhe ekipeve shqiptare në Europë dhe do të vijoj ta bëj gjithmonë.

Vihet re një rënie e numrit të tifozëve, në Shqipëri dhe në rajon. Kemi një arsye për këtë, duke marrë parasysh edhe rikonstruksionin e impianteve?

Dëgjoj gjëra të ndryshme nëse ka rënie apo rritje të numrit të tifozëve në stadiumet në Shqipëri, por nuk kam një statistikë për këtë. Unë mendoj se nuk ka rënie, por as rritje. Unë mendoj se ky është një kampionat i mirë, që dhuron garë dhe spektakël, por ndoshta më pak gola dhe për më tepër luhet në ambiente të pranueshme. Mendoj se duhet eliminuar sjellja e tifozëve në stadium, si eliminimi i të sharave, por nga ana tjetër duhet rritur edhe promocionet dhe kushtet e pritjes së tifozëve. Produkti është i mirë, por mendoj se jemi vetë ne që e dëmtojmë këtë. Gjithashtu edhe transmetimi “live”, u krijon komoditet tifozëve në shtëpi.

A ka ndeshje të dyshuara në këto momente në zyrat e UEFA-s?

Në një periudhë, sidomos kur bëmë Kupën e Shqipërisë me grupe, kishte shumë ndeshje të dyshuara. Sot nga ndeshjet e Superiores thuajse nuk ka ndeshje të dyshuara, pasi janë minimizuar. Ka ndeshje të dyshuara në Kupën e Republikës, por edhe në katëgoritë e ulëta, por them se numri është 20 herë më i vogël. Nuk mund të bëhen publike, pasi janë ndeshje të dyshuara dhe jo të provuara dhe nuk mund të cënojmë imazhin.

Dhuna në stadium është çështje e emancipimit, apo edhe Federata mund të bëjë më shumë në këtë drejtim?

Zerimi i dhunës në Superiore është meritë e vetë klubeve, që bashkëpunojnë më shumë dhe kanë krijuar një respekt reciprok. Në ekipet inferiore nuk them se është shtuar dhuna dhe rasti i Këlcyrës ishtei i zoluar. Fatkeqësisht, këto ndeshjet derbi janë më të ngarkuara dhe sjellin të tilla probleme. Gjithsesi, rasti i fundit është totalisht i papranueshëm dhe ata që e bëjnë nuk duhet të kenë lidhje me futbollin.

Si e shikoni organizimin e klubeve në vend? Ka disa klube që janë shoqëri aksionere, por me kapital shtetëror. Mendoni që kjo është e dalë mode?

Vllaznia dhe Lushnja janë skuadrat e vetme me kapital 100% shtetëror. Forma e organizimit është e njëjtë dhe teorikisht duhet të jetë organizim i mirë, por faktikisht kur aksioneri është privat, e ndihmon më shumë klubin sesa kur aksioneri është shtetëror, pasi lidhet me vendimmarrjen. Nuk do të doja që bashkitë të hiqnin dorë dhe të mos ishin pjesë e klubit, por preferoj që drejtimi dhe menaxhimi të bëhet nga individët.

Cili është presidenti i vitit?

Për karakteristika të caktuara, ka president të caktuar që meritojnë këtë epitet. Unë mendoj se të gjithë janë maksimalisht të impenjuar dhe kanë ndryshuar pozitivisht organizimin e klubeve të tyre. Duhet që të arrijmë të menaxhojmë klubet në mënyrë të tillë, që bilanci në fund të dalë pozitiv.

A do të kandidoni sërish për President të Federatës së Futbollit?

Para se të marr nëj vendim, do të çekoj të gjithë premtimet e bëra para 4 viteve. Do t’i shoh me kujdes, në se i kam realizuar apo jo dhe nëse i kam realizuar, do të mendoj një projekt për të ardhmen dhe do ta diskutoj me “të zotët e shtëpisë”. Në fakt, nuk është edhe koha, pasi nuk është përcaktuar ende dita e zgjedhjeve, sepse vetëm atëherë është koha e duhur për të publikuar vendimin. Unë uroj të ketë sa më shumë alternativa.

Bashkim Fino pritet të jetë përballë jush në garën për President të FSHF-së. Pse mendoni se Fino duhet të kandidohet nga selia e PS-së?

Të gjithë që kanë mundësi dhe dëshirë, por edhe e ndiejnë veten të aftë, nuk jënë kundërshtarë, por të mirëpritur të kandidojnë. Në rastin e Finos, unë kam njohje personale me të dhe e kam respektuar periudhën e tij qeverisëse, si një moment të vështirë për Shqipërinë. Nëse Bashkimi do jetë kandidat për president të FSHF-së nga Partia Socialiste, atëherë kjo parti duhet ta zyrtarizojë nga selia e saj. Në të kundërt, PS-ja duhet të distancohet dhe iniciativa e Finos të vijojë në mënyrë personale. Partia Socialiste do ta bëjë këtë kur t’i vijë koha. Kjo do jetë në të mirë të lojës, që futbolli të mos jetë i varur nga politika.

Pse duhet t’ju votojnë anëtarët e futbollit shqiptar dhe a nuk mendoni se përgjatë këtyre 15 viteve jeni konsumuar?

15 vite janë të mbushura me eksperiencë. Një vedim që para 15 viteve ndoshta më duhej një orë për ta marrë, sot më duhet vetëm një minutë. 15 vite nuk i konsideroj konsum, por eksperiencë për ta bërë më mirë këtë punë. Anjëherë anëtarët e FSHF-së nuk duhet të më votojnë mua apo ndonjë kandidat tjetër nëse nuk binden. Në rastin konkret duhet të votojnë për premtimet që kemi bërë, nëse i kemi realizuar apo jo. Për atë që s’ka patur mundësi për të bërë diçka duhet të shohin “background”-in e tij në jetë për projektin që propozon. Duhet të mendohen mirë, sepse është për të ardhmen e tyre, për të ardhmen e lojës që ata drejtojnë.

Nëse një ditë to të thoshit mjaft, nga se do të vinte kjo, nga lodhja apo ndoshta nga ndonjë arsye tjetër?

Nga Zoti. Vetëm Zoti duhet të të thotë mjaft. Mjaft duhet të thotë ai që nuk ka asgjë, ai që ka duhet të luftojë gjithmonë për më shumë. Ai që ndien që mund të japë, duhet të vazhdojë të japë me maksimumin e tij, me përkushtim e tij dhe me ndërgjegjen e tij. Mjaft thotë vetëm Zoti, kur ta ndërpret jetën.

Nuk ka asnjë mes nesh që mund të t’ju thotë mjaft, një kanditat i fortë, një kanditat i zoti?

Mjaft në lidhje me se? Mjaft thotë Zoti kur ta merr jetën.

Cilat janë zyrtarisht premtimet e katër viteve të ardhshme?

Në momentin e duhur, kur KE të vendosë për datën e zgjedhjeve, patjetër që vetë ata që do të pretendojnë për ta drejtuar federatën, qoftë dhe unë, do të kenë strategjinë e viteve të ardhshme, siç ka qenë në çdo asamble zgjedhore. Në qëfotë se do të më pyesnit për çfarë ka nevojë futbolli për katër vitet e ardhshme dhe se çfarë duhet të bëjë kushdo që do të jetë në krye të saj, është kryesisht edukimi më i mire i të gjithë niveleve në federatë, d.m.th i aktorëve në futboll. Edukimi më i mire i fëmijëve, zhvillimi i më shumë projeklteve për fëmijë, promovimi i futbollit te fëmijët, edukimi i të gjithë nvieleve manaxheriale, që duhet të kenë jo vetëm administratorët apo zyrtarët e ndeshjeve, por duke ndihmuar edhe klubet për këtë, si dhe rezultatet e ekipit kombëtar, që janë feja e shqiptarëve sot. Duhet të bësh maksimalen që kjo Kombëtare të arrijë në 2020-ën.

Klubet ankohen për nivelin e taksimit, nivelin e të ardhurave, ligjin e sponsorizimeve. A mund të bëni ju diçka me shtetin në lidhje me një taksë “free”, taksën që ata paguajnë në 23% dhe 15%?

Kemi propozuar një paketë ligjore, e kemi ripropozuar me ardhmjen e zëvendësministrit Shkurti në Ministrinë e Sporteve, sepse kështu është mënyra e organizimit në Ministrinë e Arsimit, e kemi thënë edhe më parë. Kemi propozuar një paketë ligjore e cila do të ndihmonte në zhvillimin e sportit dhe të futbollit në veçanti, e cila parashikon ndryshime qoftë për taksat, qoftë për investimet në sport, qoftë për subvencionet që mund të japë shteti dhe shumë lehtësira të tjera, të cilat janë iniciativa që do t’i bëjnë më të intetesuar qoftë lojtarët, qoftë ata që duan të investojnë në futboll. Vetëm për pasion është e vështirë që njerëzit të ivestojnë në këtë sport.

Gjatë bisedës ju përmendët edhe Ligën e Futbollit. Përse nuk është krijuar deri më tani? Është utopike, sepse edhe disa vende të rajonit si Maqedonia, Mali i Zi dhe Kroacia nuk e kanë?

Nuk është bërë ndoshta sepse nuk ka ardhur koha, nuk ishin pjekur kushtet ose aktorët nuk e kanë kuptuar aq mirë. Unë mendoj se është e domosdoshme që të krijohet Liga Profesioniste. Për mua është një arsye madhore, që aktorët të ulen në një tavolinë. Janë një grup interesi më i vogël brenda interesave të mëdha të familjes së futbollit, që kanë një produkt të përbashkët, që është elita e futbollit në Shqipëri, dhe që duhet ta trajtojnë si një produkt të vërtetë komercial, të maksimalizojnë të ardhurat e tyre për t’u shërbyer bilanceve të tyre. Jo për të çuar para në shtëpitë e tyre, por për t’i investuar në sport. Kjo nuk është një gjë e lehtë, kërkon mirëkuptim, transparencë dhe besim tek njëri-tjetri. Kjo iniciativë është e federatës, por realisht duhet të ishte e vetë klubeve. Po bëjmë maksimumin që kjo të arrihet, por ka edhe skepticizëm nga ndonjë klub. Do t’i ftoja që të mos e shohin krijimin e Ligës me emra të veçantë, se kush është sot president i një klubi apo kush është sot president i FSHF-së. Ta shohin më interesin e tyre.

Pse e ka ndërmarrë FSHF këtë iniciativë, kur duhej të ishte e klubeve?

Duke patur bindjen që ky është një zhvillim pozitiv, që do ta rriste imazhin e vetë produktit, do t’u shtonte të ardhurat klubeve, që janë aktorë dhe do t’u siguronte të ardhmen, FSHF ka marrë rolin e iniciatorit deri në momentin e uljes në tavolinë, finalizimit të statutit dhe krijimit të Ligës Profesioniste. Pastaj vetë Liga do të hyjë në partneritet me Federatën. Siç e thashë, është një federatë brenda federatës. Është një grup interesi më i vogël nga interesat që ka i gjithë futbolli. Pasi të krijohet kjo ligë duhet të marrë nga federata maksimumin që i shërben këtij grupi të vogël interesi. Do të jenë në një lloj mënyre palë e bashkuar. Patjetër që do të jenë pjesë e organeve vendimmarëse të federates, do të jenë pjesë e federatës. E rëndësishme është ta krijojmë, të mos e shohim me skepticizëm dhe mosbesim tek njëri-tjetri apo me dashakeqësi. Ka edhe nga këto skepticizmat këtë na e lënë, këtë nuk na e lënë. Duhet të bëhet ajo çfarë është më e mira për lojën dhe për vetë klubet.

Nga informacionet që keni, kur mund të jetë gati?

Jemi në rrugë të mbarë. Sot që po flasim bëhet një mbledhje me presidentët për të rënë dakort për statutin. Urojmë që të bien dakort, të bëhet statuti dhe më pas mbetet vetëm për regjistrim.

Kalojmë në disa pyetje “flash”. Kur mbaron “Arena Kombëtare”?

“Arena Kombëtare” mbaron në fund 2018-ës. Besoj në 2019-ën do të luajmë aty.

Për cilën skuadër bëni tifo në futbollin shqiptar?

Për Vllazninë.

Keni bërë më shumë miq, apo armiq?

Miq më shumë.

Gjëja më e mirë që keni bërë?

Nuk e di çfarë kam bërë më mirë, por jam përpjekur që të bëj çdo gjë mirë.

Gabimet që keni bërë?

Gabime bëj çdo ditë. Uroj që të mos bëj të njëjtin gabim çdo ditë.

De Biasi, mik apo punëmarrës?

Tani mik, kur ka filluar, punëmarrës.

Të kalojmë të familja juaj, pse nuk është bërë futbollist djali juaj?

Ai është tip që i pëlqen elektronika, nuk është shumë sportiv. Më vjen keq për këtë, sepse jam përpjekur shumë, por nuk e di, ndoshta kështu është lloji i njeriut, i pëlqejnë vetëm kompjuterat. Edhe në shkollë studion për shkenca informatike. Më shumë i pëlqen muzika dhe kompjuteri sesa sporti.

Kush është kritiku juaj më i madh në familje?

Në familje, në përgjithësi, nuk janë kritikë, por bashkëpunues. Ndonjë shok, ndoshta.

Këtë vit dukeni ndoshta 20 kg më pak. A do të jetë fitnesi në projektet e tua për katër vitet e ardhshme.

Nëse do të mbaj peshën që kam, shumë mirë, shpresoj të mos shtoj sërish në peshë.

“OK”, kemi përfunduar, nuk e di nëse keni diçka për të shtuar?

Duke përfituar nga rasti, që jemi në fund të vitit, mbetet që t’i uroj të gjithë teleshikuesit tuaj, të gjithë futbollistët të gjithë trajnerët, gëzuar festat! Uroj një vit të ri të mbarë, të kenë një vit 2018 sa më të mire, sa më të suksesshëm dhe sa më të mbarë. Ju falënderoj edhe ju për kontributin që jepni për zhvillimin e futbollit në Shqipëri. /Supersport

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme