Protesta nisi përpara Piramidës, ku të pranishmit kanë hedhur akuza të forta ndaj shtetit shqiptar, i cili sipas tyre, nuk bëri asgjë për Florencin, duke e lënë që mjekët e spitalit në Francë, t’i hiqnin aparaturat që e mbanin në jetë.
“Këta plehra…dhe pastaj guxojnë dhe flasin dhe guxojnë kërkojnë nga ju. Ti mbrojmë shqiptarët kudo që ndodhen se jemi pak nuk jemi shumë. Ta duam jetën se nuk na jepet dy herë. Florenci na mësoi ta duam jetën por shteti e la të vdiste.
Shteti që bën festa me paratë tona nuk kujtohet për ne. Të gjithë ju, sa herë qytetaria ju flet në shesh lëreni kafen dhe hajdeni, se po erdhët ju këta do dhi*** në brekë se këta janë dhjaksa. Lutem që prindërve të Florencit tu japë forcë Zoti. Këtu nuk jemi mbledhur kot por të shpëtojmë 1.5 milionë Florenca në botë. Shqiptar bëhu trim shqiptar se bota ka pasur frikë nga ty, të kenë edhe këta frikë”, tha pedagogu Erion Kristo.
Pasi kanë qëndruar për disa minuta para Piramidës, ata janë drejtuar për tek ambasada franceze, duke kërkuar që të ketë një reagim lidhur me këtë ngjarje të rëndë.
Gjatë gjithë rrugës, qytetarët kanë thirrur ‘Duam drejtësi’ si dhe ‘E vrau politika’, ndërsa kanë pasur edhe përplasje me policinë përpara ambasadës së Francës në Tiranë.
I riu nga Shkodra, ndërroi jetë ditën e premte pasi qëndroi në koma për disa ditë. Ai u masakruar në një burg në Marsejë, pas arrestimit të tij për mungesë letrash.
Autoritet franceze kanë hedhur si pistë vetëvrasjen në burg të tij, por shoku i tij, në një prononcim për GazetaExpress, bëri me dije se ai nuk kishte asnjë qëllim për të ndërmarrë këtë hap të rëndë.
Ai hodhi dyshime, se Florenci është vrarë nga disa të burgosur arabë në këtë burg, pasi ka pasur shqetësime më parë nga ata. Edhe babi i tij ka hedhur dyshime të forta mbi autoritet franceze, ndërsa heqja e aparaturave nga spitali është bërë pa lejen e tij.
Trupi i 23-vjeçarit ndodhet ende në Francë, ndërsa presidenti i Republikës Ilir Meta ka bërë me dije se po bën çmos që ai të mbërrijë se më parë në Shkodër.