Pas dy dështimeve të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, ditën e premte, që të sigurojë kuorumin për shqyrtimin e kërkesës së 43 deputetëve nënshkrues, me të cilën kërkohej seancë e jashtëzakonshme për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e specializuara dhe Zyrën e prokurorit të specializuar, që njihet si Gjykata Speciale, procedimin e një projektligji për shfuqizimin e kësaj gjykate, mund ta bëjë Qeveria e Kosovës, thonë njohësit e të drejtës kushtetuese në vend.
Megjithatë, sipas tyre, një tentim i tillë, përsëri do të përballej me procedura, të cilat mund ta stopojnë procedimin e këtij projektligji deri te deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Mazllum Baraliu, profesor i të Drejtës Kushtetuese, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpjegon se në parim, Qeveria e Kosovës mund ta bëjë projektligjin për shfuqizimin e Gjykatës Speciale dhe ta dërgojë atë në Kuvend.
Sipas tij, Kuvendi më pas, do të duhej sërish ta thërriste Kryesinë, për të caktuar rendin e ditës së seancës dhe më pas, me shumicë votash ta dërgojë këtë projektligj në seancë parlamentare.
Por, sipas profesor Baraliut, pengesa e parë për t’u proceduar më tutje një projektligj i tillë eventual, do të mund të hasej në Kryesi të Kuvendit.
“Pikërisht që mund të ndodhë një situatë çfarë ishte të premten. Pa kuorum të caktuar në Kryesi të Kuvendit, nuk mund të caktohet rendi i ditës, rendi i punës së asnjë seance, çfarëdo qoftë ajo, parlamentare e rregullt apo e jashtëzakonshme, siç ishte tentuar të mbahej dje”, thotë ai.
Profesor Baraliu shton se edhe në rast se projektligji eventual për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, në cilëndo mënyrë do të arrinte në rend dite në Kuvend, vështirë se do të mund të kalonte, për shkak të procedurave të mëtejme. Sipas tij, një projektligj i tillë nuk do të mund të votohej për të kaluar me shumicë të thjeshtë.
“Meqë kemi të bëjmë tashmë me nivelin kushtetues – sepse nuk ka pasur bazë kushtetuese që të bëhej Ligji për Gjykatën Speciale dhe është dashur të ndryshohet Kushtetuta e pastaj të miratohet ligji – tash është procedura e njëjtë, me miratim dhe shfuqizim të ligjeve. Do të duhej edhe në këtë rast që të ndryshohet fillimisht Kushtetuta, e pastaj të votohej ligji, eventualisht me shumicë të thjeshtë, mirëpo, kështu siç është situata. Ky ligj, duhet domosdo t’i ketë dy të tretat e Kuvendit, përndryshe nuk mund të procedohet më tutje edhe po të shkonte eventualisht nga Kryesia në seancën përkatëse plenare të Kuvendit”, shpjegon Baraliu.
Ndryshe, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes rrjetit social Twitter, ka shkruar se drejtuesit e Kosovës mbeten të angazhuar për demokraci dhe sundim të ligjit.
“Mes spekulimeve, është e rëndësishme që të gjithë të vazhdojnë të jenë të sigurt për të ardhmen e Kosovës dhe për proceset e saj demokratike. Shoqëria dhe udhëheqësia e Kosovës mbeten plotësisht të angazhuara për demokraci, sundim të ligjit, pajtim, dialog dhe marrëdhënie në baza të barabarta dhe të drejta”, ka shkruar Thaçi në Twitter.
Përpjekjet që ditën e premte janë bërë në Kuvendin e Kosovës nga tri partitë në pushtet, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën lidhur me propozimin për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, ka ngjallur reagimin e ashpër të ambasadorëve të vendeve perëndimore në Kosovë, por edhe të shoqërisë civile.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, sërish ka reaguar lidhur me nismën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.
“Një vendim për revokimin e Gjykatës Speciale do të shënonte një pikë kthese larg sundimit të ligjit, Evropës dhe Shteteve të Bashkuara. Kosovë, mos e zgjidhni atë të ardhme për fëmijët tuaj!”, ka shkruar Delawie në Twitter.
Imer Mushkolaj, njohës i zhvillimeve politike në vend, thotë për Radion Evropa e Lirë se marrë parasysh disponimin me të cilin krerët e institucioneve të larta të Kosovës i janë qasur muajve të fundit Gjykatës Speciale, nuk është i befasishëm veprimi i tyre në ditën e premte.
“Unë besoj që e gjithë kjo nuk ka të bëjë me asgjë tjetër, por vetëm me interesa personale, në radhë të parë, të presidentit të vendit, i cili dëshiron që në këtë formë të provojë që të bëjë presion, për të shpëtuar nga ndonjë aktakuzë e mundshme që mund të jetë e drejtuar kundër tij”, vlerëson Mushkolaj.
Sipas tij, një vendim eventual i Kuvendit të Kosovës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, do të bartte pasoja të rënda për vendin.
“Unë besoj që pasojat do të jenë shumë të mëdha dhe nuk do të befasohesha fare që absolutisht të hiqet dorë nga ne dhe pastaj situata, në fakt, të kthehet prapa. Për shkak se unë plotësisht pajtohem me deklaratën e ambasadorit amerikan (Delawie), se kjo është ‘një ngulje e thikës prapa shpinës’ jo vetëm për miqtë ndërkombëtarë, por në radhë të parë është ngulje e thikës pas shpinës për vetë shtetin e Kosovës”, shprehet Mushkolaj.
Kuvendi i Kosovës më 3 gusht të vitit 2015 pati miratuar me procedurë të përshpejtuar Ligjin për Gjykatën Speciale. Miratimi ishte bërë me shumicë votash, por pa pjesëmarrjen e partive të opozitës, të cilat atë kohë i bojkotuan punimet e Kuvendit./ Radion Evropa e Lirë
“Edi, eja dashuria ime” – Gjesti me kunja ndaj Xhenetës
Fonseca insiston se Milani mund ta fitojë titullin kampion p...
Palestinezët e konsiderojnë moment historik urdhër arrestin ...
“Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket”, paralajmërimi...
Çka i shkakton dhimbjet e kokës në mëngjes?
A Kane karbohidrate kartotat dhe barishtet jeshile?