Dinamikë e ulët dhe performancë e dobët e punës e ka përcjellë Kuvendin e Kosovës prej momentit të marrjes së mandatit të legjislaturës së gjashtë, konkretisht që nga fillimi i punës më 3 gusht të këtij viti, shkruan arbresh.info.
Kjo për shkak se gjatë kësaj periudhe janë mbajtur zgjedhjet lokale, dhe fokusi i shumë ministrave e po ashtu edhe i deputetëve ishte në këto zgjedhje.
Sipas Institutit Demokratik të Kosovës, i cili merret me monitorimin e punës së Kuvendit një prej pikave më të dobëta të Kuvendit për periudhën raportuese është përmbushja e agjendës legjislative.
Për këtë periudhë, Kuvendi ka arritur të miratoj vetëm katër ligje, ku tre prej tyre janë projektligje për ratifikim të marrëveshjeve ndërkombëtare.
“Deri tash Kuvendi ka arritur që të miratoj vetëm 4 ligje, ku tre prej tyre janë projektligje për ratifikim të marrëveshjeve ndërkombëtare. Në procedurë nga komisionet parlamentare janë edhe 26 projektligje, prej të cilëve vetëm 14 projektligje kanë kaluar në shqyrtimin e parë”, kanë thënë në përgjigjen e KDI-së për arbresh.info.
Instituti Demokratik i Kosovës ka bërë të ditur që për këtë kohë janë mbajtur gjithsej 11 seanca, duke përfshirë këtu seancën konstituive dhe një seancë të jashtëzakonshme.
“Sa i përket seancave plenare, janë mbajtur 11 sosh, duke përfshirë seancën konstituive dhe një seancë të jashtëzakonshme, ndërkaq dhjetë herë seancat kanë vazhduar për një ditë tjetër. Kjo ka ardhur si rezultat i mungesës së kuorumit, ku në shumicën e rasteve Kryesuesi i seancës është detyruar të ndërpres seancën ose ta shtyjë votimin e ndonjë pike të caktuar për një ditë tjetër për mungesë të kuorumit”, kanë thënë nga KDI-ja.
Ndërsa KDI, vlerëson se intensitet më i lartë i punës është vërejtur në Komisionet Parlamentare.
“Prej fillimit të kësaj legjislature e deri më sot, intensiteti më i lartë i punës vërehet tek komisionet parlamentare të cilat kanë realizuar gjithsej 99 mbledhje”.
Në KDI, theksojnë se Kuvendi i Kosovës në këtë periudhë ka zhvilluar punimet pa miratuar një plan të punës.
“Kuvendi i Kosovës ka zhvilluar punimet pa miratuar një plan të punës ndonëse sipas Rregullores së Punës është i obliguar që të bëj një gjë të tillë. Ndërkaq në bazë të programit legjislativ të Qeverisë është paraparë dorëzimi i 92 projektligjeve, por janë dorëzuar vetëm 30 prej tyre kurse 62 kanë mbetur në pritje e rrjedhimisht do të barten për vitin 2018”, thuhet në përgjigjen e KDI-së.
Që ka pasur dinamikë të dobët të punës së Kuvendit e thonë edhe analistët politikë në vend. Madje, vlerësojnë se ky i fundit ka dështuar në misionin e tij.
Analisti politik Bajrush Morina, thotë për arbresh.info se Kuvendi i Kosovës ka qenë pasiv në miratimin e ligjeve, duke shtuar se puna e Kuvendit është penguar nga zgjedhjet lokale.
“Kuvendi është penguar në punën e vet normale nga zgjedhjet lokale sepse pjesa dërmuese e drejtuesve dhe e deputetëve të Kuvendit të Kosovës kanë vrapuar pas votave nëpër lagje e komuna duke e injoruar votën dhe përgjegjësinë e tyre për angazhim në Kuvend”, ka thënë ai.
Sipas tij, Kuvendi i Kosovës është peng i koalicionit t brishtë dhe i opozitës së përçarë.
“Kuvendi i Kosovës është peng i koalicionit të brishtë dhe i opozitës së përçarë. Një koalicion me 1 votë më shumë, asnjëherë nuk është i sigurtë dhe i gatshëm që të përballet në Kuvend.Një opozitë e përçarë asnjëherë nuk është e fuqishme që të sfidojë koalicion e brishtë. Prandaj mendoj se kemi një Kuvend të shkapërderdhur dhe përballë një koalicioni të lodhtë”, ka pohuar Morina për arbresh.info.
Të njëjtën gjë e thotë edhe analisti tjetër Imer Mushkolaj. Sipas tij, Kuvendi i Kosovës ka dështuar në misionin e tij.
“Kuvendi ka bërë shumë pak punë. Natyrisht, zgjedhjet kanë ndikuar në këtë mospunë, por deputetët paguhen për të punuar, e jo për të mbajtur séance të kota me sharje e fyerje. Kuvendi ka mundur që të përshpejtojë dinamikën e punës, që ta kompensojë kohën e humbur për zgjedhje, por nuk e ka bërë këtë. Kështu, Kuvendi ka dështuar në misionin e vet”, ka thënë ai.
Kosova ka zhvilluar zgjedhjet lokale më 22 tetor ndërkaq rrethi i dytë i tyre është mbajtur më 19 nëntor të këtij viti./J.Zhuniqi/arbresh.info/
Rashiq nuk pret asgjë nga takimi i radhës në Bruksel
Ish-legjenda e Liverpoolit e sulmon Salah: Egoist, dihet që ...
Gjenerallejtënant Jashari, uron “Ditën e Forcës- Ditën e Ush...
Formacionet/ Slovan Bratislava – Milan, Leao në bankë
Osmani në Senatin e Kolumbisë, diskuton për bashkëpunimin nd...
Rrahmani e Krasniqi startojnë nga minuta e parë ndaj Atletic...