Pothuajse në çdo raport 24 orësh të Policisë, përmenden 2-3 raste të vjedhjeve në Kosovë. Ndërsa, shumë të shpeshta janë bërë thyerjet e marketeve.
Rasti i fundit ka ndodhur në komunën e Lipjanit dhe atë të Gjilanit, ku disa biznese kanë qenë pre e hajnave. Vetëm gjatë këtij viti në Policinë e Kosovës janë raportuar afër 3 mijë vjedhje, raporton KTV.
Pothuajse çdo biznes ka të instaluara kamera. Por, kjo nuk i tremb aspak hajnat.
Siç shihet edhe në këtë video në një market në Lipjan, atyre u mjaftojnë pak minuta për të kryer vjedhjen.
Në Lipjan së fundi, brenda një nate hajnat kishin thyer disa lokale, duke vjedhur gjëra të ndryshme me vlerë.
E njëri ndër viktimat e këtij rasti ka qenë edhe Avdi Tërpeza nga Lipjani.
Rreth orës 1, pas mesnate hajnat atij ia kishin thyer lokalin duke i vjedhur shumë gjëra, në mesin e tyre edhe cigare.
Ai thotë se kjo është hera e parë, ndonëse me këtë biznes merret që nga paslufta.
Mirëpo, Tërpeza nuk është i vetmi i cili ka rënë pre e hajnave natën e së hënës.
Edhe disa biznese të tjera e kanë pësuar njëjtë.
Edhe në Gjilan, natën e së martës në një market janë vjedhur cigare në vlerë prej më shumë se 10 mijë euro.
Në këtë rast Policia i ka kapur të dyshuarit.
Të njëjtit po hetohen edhe për vjedhje të tjera në Gjilan, Viti e Ferizaj.
Numri i madh i vjedhjeve që po ndodhin në Kosovë, është bërë dukuri shqetësuese për qytetarët e vendit.
Vetëm gjatë këtij viti ka pasur 2.762 raste të vjedhjeve dhe 2.515 të cilësuara si vjedhje të rënda.
Megjithatë, sipas Policisë së Kosovës, këtë vit ka më pak raste të tilla të raportuara, në raport me vitin paraprak./KTV/
Shkup: Rikthehen mosmarrëveshjet për Ballkanin e Hapur
Vullneti u rrëfehet banorëve për përjetimet e tij gjatë luft...
Kurti: Qeveria vitin e ardhshëm do të mbështesë organizimin ...
Rumania mban zgjedhjet presidenciale
Trumpi hesht, Ukraina debaton
“Gjest i shëmtuar”, Vedat Muriqi kërkon falje publike pasi u...