Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias, i ftuar në një panel gazetarësh në një emision të televizionit publik “ERT” ka deklaruar se problemi kryesor që duhet të zgjidhet pozitivisht me Shqipërinë është ligji i gjendjes së luftës midis dy vendeve, duke parashtruar edhe dy opsione ligjore, me të cilat mund të procedohet: ose me një dekret nga ana e presidentit, ose me një dekret të miratuar nga Parlamenti grek.
“Problemi kryesor që duhet të zgjidhet pozitivisht është Ligji i Luftës. Pasojat ligjore do të rregullohen me një procedurë të veçantë. Sipas qasjes sime të parë, dekreti – sipas të cilit Greqia i shpalli luftë shqiptarëve, – ishte dekret mbretëror. Ekzistojnë dy interpretime ligjore. I pari, me të cilin jam pranë edhe unë sipas një këndvështrimi ligjor (që të hiqet ligji i luftës), dekreti mbretëror është i baras vlefshëm me një dekret presidencial. Por ka edhe një interpretim të dytë, që sipas meje nuk është edhe kaq rigoroz. Por kërkon debat kur të vije koha e tij. Ky interpretim thotë se, dekreti mbretëror ishte në një kohë kur nuk ekzistonte Parlamenti, e për këtë arsye nuk mund të kishte një dekret parlamentar, kështu që tani që ka një Parlament le ta formulojë atë. Por nuk korrespondon Parlamenti me dekretin mbretëror, korrespondon me dekretin presidencial”, tha Nikos Kotzias, përcjell tch.
Ndërkohë, pyetja e bërë nga gazetarët, nëse në negociatat me homologun e tij Bushati është diskutuar dhënia e dëmshpërblimeve për pasuritë e shtetasve shqiptarë të vënë në sekuestro konservative si pasojë e gjendjes së luftës, nuk ka marrë përgjigje.
Kotzias ka deklaruar gjithashtu se, Athina mund të fillojë procesin e zgjerimit të territorit ujor të Greqisë, nga 6 deri në 12 milje detare, fillimisht nga deti Jon, duke përdorur kështu për herë të parë legjislacionin që rrjedh nga Konventa për të Drejtën e Detit.
“Kam thënë se për kufirin detar, ne do të procedojmë në përcaktimin pjesë-pjesë të zonës detare greke. Duhet të dini se, sipas së Drejtës Ndërkombëtare, çdo zgjerim i zonës detare kombëtare, për shembull nga 6 në 12 milje, do të thotë edhe zgjerimi i territorit sovran të Greqisë. Sepse dallimi midis Zonës Ekonomike Ekskluzive dhe kufirit detar është se, Zona Ekonomike Ekskluzive ka të bëjë me të drejtën e shfrytëzimit, por jo me sovranitetin. Dhe duhet ta dini se, zona detare kombëtare ka një rëndësi të madhe për përcaktimin e ZEE-ve me të gjitha vendet. Veçanërisht me Shqipërinë. Është e rëndësishme nëse fillon të përcaktosh ZEE-të nga 6, ose nga 12 kilometra”, shpjegoi më tej Nikos Kotzias.
Gjatë intervistës prej gati dy orësh, Kotzias ka përmendur gjithashtu faktin se duhet të ndryshojnë pozitivisht marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe grekëve, ndaj dhe e ka quajtur përsëri një hap pozitiv nënshkrimin e marrëveshjes për varrezat e ushtarëve grekë në luftën me Italinë, si dhe rindërtimin e Kishës së Shën Athanasit në Himarë./TCH
Hasani takon homologun austriak, diskutojnë për lidhjen e fo...
Mustafa kujton babain Xhemailin, 24 vjet pas vrasjes: Ai ënd...
Në 24-vjetorin e vrasjes, Osmani kujton Xhemail Mustafën si ...
Ancelotti për Mbappen: Ai do të tregojë cilësitë e tij nesër
Çfarë është “Oreshnik”, raketa më e fuqishme që Rusia ka për...
Arrestohen 19 persona në Prizren, për bixhoz e skema piramid...